Nordikët, shans i artë për Shqipërinë por që mund të kthehet në vetëvrasje….
Kjo do të varet nga mënyra sesi do të menaxhohet situata dhe këtu nuk u referohen hoteleve, por infrastrukturës.
Inspektorët e agjencive të huaja kanë lënë afat deri në fund të marsit për të mbyllur punimet nëpër rrugë, ose do të nisin negociatat me Rinasin për të zgjatur qëndrimin e avionëve
Nga Nertila Maho
Në datë 11 maj 2018, një avion me turistë nga vendet nordike do të ulet në Rinas dhe me autobus do të shoqërohen për në Golem. Pushuesit do t’i drejtohen hotelit që kanë rezervuar për të kaluar një javë pushime në Shqipëri, por avioni nuk do të largohet nga aeroporti. Ai do të qëndrojë gati që, nëse ndokujt nuk i pëlqen infrastruktura apo hoteli, të kthehet brenda ditës në vendin e tij. Është sa për të qeshur aq edhe për të qarë ky skenar, por është tërësisht pasqyrë e realitetit shqiptar. Kur u deshën gati dy dekada që të huajt të hidhnin sytë nga Shqipëria dhe të na merrnin seriozisht si një destinacion turizmi, sërish kanë rezervat e tyre. Janë grupet e inspektimit të agjencisë nordike Apollon, që kanë vizituar Golemin dhe që kanë gjetur një rrugë të kthyer përmbys në punime dhe kanë hartuar pikërisht skenarin e mësipërm, sikurse sqarojnë operatorët turistikë vendas.
Infrastruktura, gati në mars ose negociata me Rinasin për avionët
Inspektorët e agjencisë nordike që po sjell turistët në vendin tonë janë çdo dy javë në Golem për të vlerësuar sigurinë, ecurinë e punimeve në rrugë, kushtet e hoteleve, kuzhinën e çdo detaj tjetër. Deri më tani, ngërçi i vetëm që është evidentuar janë punimet në zonën e Mak Albania deri tek pishat e buta. “Prova jonë reale këtë vit mbeten turistët nga Suedia, Finlanda, Danimarka. Pjesën e infrastrukturës që përmenda ata e kanë shënuar si një mangësi dhe kanë lënë afat deri në fund të marsit për të parë sesi do të jetë situata në pjesën e Golemit. Nëse deri atëherë punimet nuk premtojnë që infrastruktura të jetë gati, na kanë bërë të qartë që do të hyjnë në bisedime me Rinasin, koncesionarin e Aeroportit për të zgjatur afatin e pritjes së avionëve.
Pra, avioni do të vijë të sjellë turistët. Ata do të shoqërohen me autobus deri tek hoteli dhe nëse nuk iu pëlqen, autobusi do të qëndrojë gati për t’i kthyer pas tek avioni. Ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë dhe të mos kemi asnjë rast të tillë, por risku ekziston dhe nëse ndodh kjo, mund të themi me gojë plotë që është katastrofë për turizmin tonë”, tregon Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe njëkohësisht menaxher i Happy Tours që ka lidhur edhe marrëveshjen me agjencinë Apollo që operon në vendet nordike.
Kjo nuk është hera e parë që indiferenca e shtetit rrezikon mbarëvajtjen e sezonit turistik. Si për ironi, pas çdo sezoni, pjesa e infrastrukturës lakohet si problemi kryesor që do zgjidhet, por kjo nuk ndodh. Dhe akoma më keq, punimet nisin fiks në të njëjtën kohë me sezonin, në disa raste duke kthyer pushimet në një aventurë aspak të këndshme. Operatorët kanë marrë një angazhim nga qeveria, se punimet të paktën në zonën e Golemit do të përfundojnë para verës, por kjo mbetet për t’u parë. Hotelet ia kanë dalë që në gjithë këtë kaos infrastrukturor dhe problemesh me ujin dhe energjinë të krijojnë oaze pushimesh, që joshin edhe turistin elitar i cili testohet në limitet e tij sapo del nga dyert e hotelit.
Polakët sërish të parët, por edhe pak rusë
Polakët, ashtu sikurse vitin e kaluar, vazhdojnë të kenë një interes të madh për të vizituar Shqipërinë. Arbër Shehu, ortak i Sandy Beach Resort në Golem, tha se të paktën 70% e dhomave janë të rezervuara nga ky grup.
“Kërkesa ka mjaft rritje dhe ka kaluar gjithë parashikimet tona. Rezervimet janë në rritje e sipër dhe numri është më i lartë se një vit më parë. Ne shohim një rritje të çekëve dhe nordikëve, por pjesën më të madhe e zënë polakët. Në total, 70% e kërkesës vjen nga polakët kurse pjesa tjetër u takon grupeve të tjera. Vëmë re që nuk ka ndonjë rritje të dukshme për hungarezët, për të cilët kishte një pritshmëri më pozitive. Ata janë në stanjacion”, – shprehet ai.
Rritja e kërkesës konfirmohet edhe nga menaxheri Rrahman Kasa i Happy Tours. “Ata që dominojnë në rezervime janë polakët por jo vetëm. Ne të paktën, duke filluar që nga hapja e sezonit, kemi rreth 10 avionë në javë nga Polonia, 3 avionë nga Sllovakia, 2 nga Çekia, por edhe 5 fluturime charter nga vendet nordike. Nordikët vijnë për herë të parë në Durrës dhe ne e nisëm si fillim me rezervime për 3 avionë në javë, por deri tani kemi arritur në 5 dhe me këtë ritëm është plotësuar gjysma e kapaciteteve të rezervuara paraprakisht”, – shprehet Kasa.
Një tjetër element është prezenca e rusëve dhe ukrainasve, por në një masë të vogël. Ende kjo nuk mund të konsiderohet tendencë pasi mbetet modeste. Këtë po e eksperimenton një agjenci që mbulon pjesën e Malit të Zi dhe që disa po i transferon drejt Shqipërisë në formë testi.
Paketat, polakët dhe çekët ‘all inclusive’, nordikët kryesisht vetëm mëngjes
Pavarësisht skepticizmit për ‘all inclusive’, hotelet në zonën e Golemit e kanë marrë përsipër ta ofrojnë si shërbim edhe këtë vit. Ata pranojnë se kostoja varion nga 5-6 euro dhe fitimi është minimal ose pothuajse nuk ka fare, por pranojnë ta ofrojnë duke pritur që të kenë fitim nga shërbimet e tjera. “Kemi gërshetim të të gjitha paketave ‘all inclusive’, ‘a la carte’, apo edhe vetëm mëngjes. Ne e kemi vitin e parë këtë, kështu që është vit prove.
Modelet e paketave i kemi zgjedhur paraprakisht duke negociuar me agjencinë. Është një gërshetim i kuzhinës tradicionale shqiptare dhe menusë nordike. Ka një leverdi të vogël dhe kostoja varion deri në 5 euro për paketë, por edhe po nuk pati fitim, këtu ti e ke një bonus të integruar që justifikon pjesën e fitimit te shërbimet e tjera që ofron” shprehet sipërmarrësi Fatos Çerenishti nga Fafa Resort.
Pozitive për disa hotele është krijimi i përvojës. Sipas Arbër Shehut nga Sandy Beach Resort, ky vit pritet që të menaxhohet më mirë në pjesën e paketave. “Edhe këtë vit, rezervimet i kemi për ‘all inclusive’. Kemi mësuar nga viti i kaluar dhe kemi krijuar marrëdhëniet me furnitorët. Është pozitive që kemi krijuar një historik për të bërë parashikim për pjesën e konsumit”, – shprehet ai.
Administratori i Prestige Resort, i njohur si ish-Mak Albania, Blerim Norja, shprehet se shërbimet në hotel janë “bed and breakfast” (shtrat dhe mëngjes) për nordikët dhe All inclusive (fjetje dhe ushqim tre vakte) për polakët, çekët dhe sllovakët. Kemi një masë të vogël me rusë, ukrainas dhe hungarezë, të cilët i sjell një agjenci Aler Travel, (ukrainas) por edhe këta janë vetëm me mëngjes. Në tërësi është rënë dakord që 50% e ushqimit të jetë tradicional shqiptar dhe 50% italian. Problemi ynë nuk ka qenë gjetja e furnitorëve dhe ofrimi i paketave, por gjetja e stafit të kualifikuar. Ky është një ngërç që ne mendojmë se ekziston dhe që i kushton goxha biznesit”, tha Norja.
Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Menaxher i Happy Tours
Nordikët, shans i artë për Shqipërinë por që mund të kthehet në vetëvrasje
Për herë të parë drejt Shqipërisë po vijnë ata që cilësohen si turistë elitarë, të cilët paguajnë mirë dhe që kanë një sezon më të gjatë. Bëhet fjalë për vendet nordike ku përfshihen Suedia, Finlanda apo Danimarka, të cilët kanë bërë një rezervim paraprak për struktura akomoduese në Golem. Këtë vit, ata janë të dytët pas polakëve për nga interesi i treguar.
Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Menaxher i Happy Tours, tha për “Monitor” se ky është një shans i artë për Shqipërinë por që mund të kthehet në vetëvrasje, nëse nuk menaxhohet siç duhet. Sipas tij, agjencia që po sjell nordikët ka vënë kusht përfundimin e punimeve në infrastrukturë në zonën e Golemit në mars të këtij viti dhe, nëse kjo nuk ndodh, ata do të nisin diskutimet me koncesionarin e Rinasit për të zgjatur orë-qëndrimin e avionëve.
Kjo do të thotë që turistët do të çohen deri tek hoteli dhe, nëse atyre nuk ju pëlqen infrastruktura apo diçka tjetër, kanë të rezervuar të drejtën të kthehen pas. Kjo, sipas Kasës, është edhe pika ku duhet të vihet më shumë theksi, përmirësimi sa më i shpejtë infrastrukturor.
Duhen edhe pak muaj për sezonin turistik veror. Si kanë qenë rezervimet paraprake për këtë sezon nga të dhënat tuaja? Kush po vjen në Shqipëri?
Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit, ne kemi operuar me rezervime paraprake. Kompanitë e huaja që bëjnë rezervimin përmes nesh, vijnë me garanci. Kjo do të thotë që, pavarësisht nëse turisti vjen apo jo dhe dhoma mbetet bosh, pagesa ekzekutohet. Një kontratë me garanci quhet një kontratë e ekzekutueshme dhe rezervimet që kemi momentalisht janë të tilla. Ata që dominojnë në rezervime janë polakët, por jo vetëm. Ne të paktën, duke filluar që nga hapja e sezonit, kemi rreth 10 avionë në javë nga Polonia, 3 avionë nga Sllovakia, 2 nga Çekia por edhe 5 fluturime charter nga vendet nordike. Nordikët vijnë për herë të parë në Durrës dhe ne e nisëm si fillim me rezervime për 3 avionë në javë, por deri tani kemi arritur në pesë dhe me këtë ritëm është plotësuar gjysma e kapaciteteve të rezervuara paraprakisht. Agjencia që po sjell nordikët është Apollo, kurse për polakët mbetet Itaka.
Tregu nordik tipikisht është një treg që ka një sezon më të gjatë, por edhe më të mirëpaguar turistik. Si u bë e mundur ardhja e tyre në Shqipëri?
Më tepër, është përpjekje e marketingut dhe punës së operatorëve turistikë. Një impakt të rëndësishëm e ka dhënë pjesëmarrja në panaire. Ne kemi qenë aktivë në këto evente dhe normalisht kjo ka ndikuar në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm për diferencën që kanë dy tregjet që po i drejtohen sot Shqipërisë, pra polaku dhe nordiku. Këta të fundit janë më kërkues, sepse edhe paguajnë më shumë. Çdo dy javë, vjen një grup inspektimi nga agjencia e tyre që informohet mbi situatën. Dikush vjen për sigurinë, një tjetër për infrastrukturën, dikush tjetër për hotelin dhe shërbimet. Pra ata janë në kontakt të vazhdueshëm me ne.
Nga inspektimet që kanë bërë, çfarë shihet me skepticizëm nga nordikët? Çfarë kanë shprehur ata si shqetësim?
Shqetësimi kryesor mbetet infrastruktura, si për ata edhe për ne. Në zonën e Golemit, ka ende punime në infrastrukturë para disa prej hoteleve ku janë bërë rezervimet. Për momentin, zona tek Mak Albania është e shkatërruar totalisht, edhe pse kemi marrë një angazhim nga kryeministri Rama, që segmenti kryesor nga Mak Albania e deri tek pishat e buta dhe nga rreth-rrotullimi tek Murrizi do të mbarojnë para nisjes së sezonit.
Sa hotele janë rezervuar në zonën e Golemit dhe çfarë kanë preferuar të zgjedhin turistët në kuptimin e paketave, sepse një vit më parë kishte një eksperiment drejt ‘all inclusive’?
Vetëm Itaka e polakëve ka 20 hotele të rezervuara dhe ‘All Inclusive’, kurse pjesa tjetër kanë të rezervuar 15-16 hotele. Në përgjithësi, nga përshtypjet e para që kemi marrë janë të kënaqur me situatën aktuale. Nordikët kanë preferuar që të rezervojnë hotelin vetëm me mëngjes. 2017-a ishte një vit testi për “all inclusive”.
Nga bisedat tona me përfaqësues të hoteleve kemi mësuar për penalitetet që janë aplikuar nga agjencia polake Itaka lidhur me raste të veçanta. Mund të na jepni ndonjë detaj më shumë se çfarë janë këto penalitete?
Është shumë e thjeshtë. Itaka i ka me kontratë kushtet që duhet të plotësojë hoteli. Nëse një “X” turist konstaton se nuk është duke u respektuar ajo që i ka shitur kompania, atëherë, ai në bazë të Ligjit Ndërkombëtar të Turizmit të Frankfurtit, mund të ngrejë ankesën e vet. Në momentin që bëhet konstatimi, agjencia ka delegatët e vet që monitorojnë ecurinë të cilët, bashkë me delegatët shqiptarë, plotësojnë dosjen dhe klienti mund t’ia kalojë gjykatës, e cila aplikon penalitet mbi agjencinë dhe ajo e fundit ia faturon hotelit. Ka pasur disa raste vitin e kaluar por shpresojmë të mos kemi të tilla këtë vit, sepse kemi më shumë përvojë.
Kur nis zyrtarisht sezoni turistik veror, në bazë të rezervimeve që janë bërë?
Për këtë sezon, pra të 2018-s, strukturat u rezervuan në qershorin e 2017-s nga ana e agjencive. Nga burimet e brendshme që kemi ne, ato kanë shitur më shumë se gjysmën deri më tani por kjo vazhdon. Sipas rezervimeve që kemi ne si agjenci, sezoni nis më 11 maj me nordikët që kanë rezervuar për 141 net, pra më shumë se katër muaj, kurse polakët kanë rezervime të shtrira në 133 ditë. Vihet re një zgjatje e sezonit që vjen si efekt i nordikëve që, siç e thamë, është gati 5 muaj.
Mendoni që ky vit do të jetë më i mirë se një vit më parë?
I vetmi problem që shoh për momentin është infrastruktura, në çdo gjë tjetër mendoj se do jetë më mirë. Hotelet tani kanë krijuar një lloj përvoje, e dinë se çfarë i pret. Kanë mësuar nga viti i kaluar. Prova jonë reale mbeten turistët nga Suedia, Finlanda, Danimarka. Pjesën e infrastrukturës që përmenda, ata e kanë shënuar si një mangësi dhe kanë lënë afat deri në mars për të parë sesi do të jetë situata në pjesën e Golemit. Nëse deri atëherë punimet nuk premtojnë që infrastruktura do të jenë gati, na kanë bërë të qartë që do të hyjnë në bisedime me Rinasin, koncesionarin e Aeroportit për të zgjatur afatin e pritjes së avionëve. Pra, avioni do të vijë të sjellë turistët.
Ata do të shoqërohen me autobus deri tek hoteli dhe nëse nuk ju pëlqen autobusi, do të qëndrojë gati për t’i kthyer pas tek avioni. Ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë dhe të mos kemi asnjë rast të tillë, por risku ekziston dhe nëse ndodh kjo, mund të themi me gojë plotë që është katastrofë për turizmin tonë.
Nëse e gjejnë situatën siç është sot, gjasat janë që gjysma të kthehen pas. Kjo s’ka ndodhur as në Egjipt, në kohën e trazirave dhe s’mund ta marrim kaq lehtë. Kur ata vendosin të kthehen pas fotografojnë dhe plotësojnë dosje të tëra për problematikën, sepse janë marrëdhënie kontraktuale dhe kjo do ta shkatërronte tërësisht mundësinë e Shqipërisë për të pasur këtë treg sërish në turizëm. Një skenar i tillë është si një vetëvrasje për turizmin.
Në raport me një vit më parë, a ka rritje interesi? Po rikthime nga ata që e kanë vizituar më parë Shqipërinë?
Të gjithë grupet që përmenda – çekë, sllovakë, polakë, nordikë janë në rritje. Nordikët më shumë, sepse janë si vit i parë. Lidhur me rikthime mund të them se ka pasur edhe të tilla por kjo është një pjesë e vogël.
Po nga tregje të tjera, a ka rritje interesi?
Këtë vit ka dhe një zgjerim të tregut rus dhe ukrainas. Më shumë se vjet, por sërish shifra është e moderuar. Ka një organizim edhe nga këto tregje drejt Shqipërisë me koncepte të ndryshme. Gjithashtu ka dhe një kërkesë nga Rumania dhe Hungaria, por që këto grupe kanë sezon të shkurtër dhe nuk gjejnë akomodim, pasi hotelet e mira që janë të afirmuara, kërkojnë operatorë që ju garantojnë një situatë më afatgjatë.
Epiqendra duket se është Golemi, ndoshta ngaqë ka dhe më shumë struktura. Po në Vlorë, ose më në Jug, nuk po e shihni opsionin e zgjerimit?
Kemi futur edhe në Vlorë, por pak. Përveçse ka mungesë akomodimi siç thoni ju, është edhe problemi i Bypass-it të Fierit nëse do të mbarojë apo jo, sepse tranziti nga avioni në hotel është shumë i gjatë. Po kështu jemi përpjekur që një numër të vogël ta çojmë në Dhërmi, Himarë dhe Sarandë. Kapaciteti në këto zona është i zënë. Vëmë re që ka një rritje të interesit për Shëngjinin, por nuk ka shumë hotele, sepse nuk e realizojnë dot paketën ‘all inclusive’. Në vitin 2019 po shohim mundësinë që të zgjerojmë rezervimet në Velipojë, me një mbërritje nga Podgorica që është më afër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.