Turizëm apo HEC-e?!

21/04/2018 10:05 PM 0 komente
Kampi i punimeve për HEC-et

Turizëm apo HEC-e në Valbonë janë dy mundësi investimi që po shkojnë në front të kundërt me njëra-tjetrën. Turizmi ka avantazh vetëm natyrën e bukur dhe banorët e zonës, që pa asnjë mbështetje, ia kanë dalë të tërheqin turistë nga e gjithë bota dhe të shndërrojnë Valbonën si marketingun më të mirë për Shqipërinë jashtë vendit.

Në anën tjetër, HEC-et kanë pasur në krah gjithmonë qeveritë si para 2013-s dhe qeverinë e tanishme, interesat e të cilave për të fituar kanë prevaluar mbi të gjitha interesat publike.
Me gjithë këto zhvillime, po të vësh në peshore se cili sjell më shumë të ardhura në ekonominë e Valbonës, turizmi apo HEC-et, bilanci flet për nga turizmi.

Sipas kalkulimit të të dhënave zyrtare, ekonomia e vendit përfiton nga vizitorët në Valbonë rreth 23 milionë euro në vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ditë-qëndrimi mesatar për një turist në Shqipëri është pesë ditë, ndërsa shpenzimet mesatare janë 76 euro në ditë. Sipas të dhënave nga Bashkia e Tropojës, vitin e kaluar, pika turistike e Valbonës është vizituar nga së paku 60 mijë turistë. Më së paku, fitimi vjetor nga vizitorët e Valbonës i kalon të 20 milionë euro në ekonomi teksa numri i turistëve është duke u rritur me 20% nga viti në vit dhe gjithashtu edhe kapacitetet e akomodimit.

Teksa përfitimet kalojnë disa milionë euro, e rëndësishme është se ato lidhen me faktin se shpërndahen në shumë familje. Zoti Selimaj, i cili ka një bujtinë në qendër të zonës, thotë se me biznesin e tij e kanë të lidhur jetesën edhe rreth 50 familje të Tropojës. Secila bujtinë në Tropojë furnizon me të ardhura dhjetëra familje të tjera. Valbona është dora e zgjatur për banorët e qytetit verilindor, që është pjesë e qarkut më të varfër në vend. Turizmi në zonë ka nxitur mbarështimin e bagëtive autoktonë. Lopët e vendit, dhitë dhe delet racë e moçme janë një biznes me fitim. Tregu është i garantuar, madje me çmim të lartë. Rritja e numrit të vizitorëve nga dita në ditë po nxit lulëzimin e fermave blegtorale. Banorët e atjeshëm kanë nisur të jetojnë mirë dhe po u përshtaten kërkesave të turizmit për të rritur fitimet.

Turistët vijnë për natyrën e bukur, por edhe për ushqimin e shijshëm, thotë Hajredini. Për shkak të turizmit ka marrë hov zhvillimi i bletarisë dhe blegtorisë, por edhe shërbimeve të transportit. Në hyrje të Valbonës në Dragobi, vjet nisi punën një fermë me 300 dhi, i zoti i saj është rikthyer për të nisur jetën në vendin e tij të lindjes. Të tjerët që nuk kanë pasur mundësi të hapin bujtina, janë angazhuar në zinxhirin mbështetës, si bujqësia, blegtoria dhe shërbimet. Marangozët e vjetër, po rikthejnë profesionet. Lokalet janë me orendi artizanale. Tavolinat e rrumbullakëta në formë sofre i prodhon një nga vendasit. Sektori i transportit në zonë po zhvillohet gjithashtu për shkak të turizmit malor. Dy tragete bëjnë linjën e rregullt për transportin e turistëve përmes liqenit të Fierzës që është një atraksion më vete.

Por potencialet e zhvillimit të zonës janë shumë më të mëdha, pasi shërbimet e turizmit janë ende në fillesa dhe kanë hapësira për maturim.
Nëse do të ndërtoheshin HEC-et dhe do të hiqej dorë nga turizmi, bilanci i përfitimit ekonomik do të ishte shumë i ulët. Të tre kontratat parashikohet që në maksimumin e tyre të prodhojnë 327 milionë kilovatorë në vit energji elektrike, me një vlerë të përafërt tregu me çmimet e sotme jo më shumë se 30 milionë euro. Por biznesi i HEC-eve do të punësonte shumë herë më pak persona se turizmi dhe të ardhurat e fituara do të përqendroheshin në dorën e vetëm tre bizneseve. Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës, prodhimi i HEC-eve në Valbonë nuk ndikon as në 1% të shtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend.

Ismail Beka, përfaqësues i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ, i orientuar në mbështetja e turizmit rural në Shqipëri, tha se padyshim, nëse do të gjykonim nga përfitueshmëria ekonomike, turizmi ka prioritet në Valbonë. Zona është marketuar në tregjet ndërkombëtare dhe është pjesë e 10 operatorëve të mëdhenj globalë në turin e Mal i Zi-Theth-Valbonë-Çerem. Në dekadën e fundit, Thethi dhe Valbona kanë fituar status të veçantë në imazhin e Shqipërisë jashtë vendit për turizmin e natyrës së virgjër. I bazuar në shërbimet e turizmit familjar, përfitimet zgjerohen në shumë persona. Beka, si një ekspert i hershëm i turizmit familjar, pohoi se institucionet publike në vend, nëse do të kishin vënë në punë logjikën ekonomike, padyshim që do të kishin zhvilluar dhe investuar në turizmin familjar, për të cilin kërkesa globale është në rritje gjithnjë e më shumë. Ai tha se ndërtimi i HEC-eve do ta minojë këtë lloj turizmi, pasi shumë nga vizitorët vijnë edhe për shkak të veçantisë së lumit Valbona.

 

“Realiteti” virtual për HEC-et

Kompania Gener 2, e cila është aksioneri dhe zhvilluesi i punimeve në HEC-et e Valbonës, aktualisht në faqen e saj zyrtare në internet (http://gener2.al/business-lines/hidrocentrali-qarrishtes-dhe-dragobise-2) jep versionin e saj për punimet që po bëhen brenda zonës së mbrojtur.

Kompania thotë se, Gener 2 zotëron licencën për të ndërtuar, për të operuar dhe për të transferuar hidrocentralin e Dragobisë në lumin e Valbonës, në Veriun e Shqipërisë. Projekti ka një fuqi totale të instaluar prej 21.9 MW. Sipas kompanisë, projekti konsiston në skemën e lumit me deviacion, që do të thotë nuk do të ketë rezervuarë uji apo diga dhe prodhimi i energjisë varet drejtpërdrejt nga ujërat sezonale. Një nga avantazhet kryesore të projektit të HEC-it është funksionimi i tij pa pasur nevojë për rezervuarë uji, duke krijuar kësisoj burime të qëndrueshme të energjisë së rinovueshme.

Një nga elementet kyç në të tilla projekte është ruajtja e padiskutueshme e një prurje ekologjike të lumit me qëllim mbrojtjen e ekosistemit, florës dhe faunës, sqaron kompania. Sipas saj, HEC-i është projektuar në një mënyrë të tillë që të ruajë rrjedhjen ekologjike të lumit, duke pasur kujdes të veçantë për peshqit dhe rrjedhën e tyre pa pengesa. Projekti përbëhet nga dy HEC-e të vogla. Një prej tyre ndodhet në Çerem, përrua i lumit të Valbonës, dhe tjetri në lumin e Valbonës pranë fshatit të Dragobisë. Të dy projektet do të kenë tuba nën tokë, të cilët do të marrin ujë nga tuneli për në turbinë, duke bërë kësisoj që projekti të jetë thuajse i padukshëm.

“Vlen të theksohet se shtrati i lumit nuk do të thahet përgjatë segmentit të shkurtër ku uji do të devijohet. Uji i devijuar, pa asnjë ndotje apo mbetje dhe që sipas studimeve, akoma dhe më i pastër pas daljes nga tuneli, do t’i rikthehet lumit në rrjedhën e tij natyrale. Uji do të prodhojë një nivel të konsiderueshëm energjie alternative me një ndikim mjedisor minimal”, – shton më tej kompania Gener 2 në deklaratën zyrtare për HEC-et. Sipas tij, Godina ku do të vendoset turbina e HEC-it, është në harmoni të plotë me mjedisin përreth dhe arkitektura e saj ruan linjat tradicionale të zonës, duke përdorur vetëm materiale guri.

“Zona ku do të zhvillohet projekti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe serioze në kohë nga ndërhyrjet e shumta që janë bërë në të nga dora e njeriut. Në bashkëpunim të ngushtë me organet e qeverisjes vendore dhe autoritetet përkatëse, ne kemi identifikuar disa zona të dëmtuara, për të cilat kompania ka marrë angazhimin t’i rehabilitojë duke i kthyer në gjendjen e mëparshme”, – sqaron kompania në lidhje me investimin. Gener 2 thotë se ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në trajtimin dhe rehabilitimin e zonave të tilla. Ndaj, falë punës së kujdesshme, burimeve dhe stafit të kualifikuar, mjedisi jo vetëm do të ruhet por do të rehabilitohet aty ku ka nevojë. Një kujdes i veçantë po tregohet për të minimizuar ndikimin mjedisor. Gener 2 është i angazhuar dhe përkushtuar për të realizuar ndërtime miqësore ndaj mjedisit dhe këtë e bëjmë me përgjegjësi”, përfundon deklarata.

 

Realiteti tjetër

Realiteti në brigjet e Valbonës është krejt tjetër. Projekti thotë se nuk ka digë, por ndërkohë punimet për ndërtimin e saj po vijojnë me shpejtësi. Projekti thotë se punimet do të bëhen duke respektuar mjedisin, por ndërkohë kantieret kanë shpërbërë pjesën më të bukur të grykës së Valbonës. Investitori thotë se, mjedisi jo vetëm do të ruhet por do të rehabilitohet aty ku ka nevojë, por në fakt mjedisi përreth është shndërruar totalisht. Këtë e tregojnë fotot bashkangjitur të bëra në fillim të muajit.

Më herët, vitin e kaluar, një grup ekspertësh mjedisi prej 9 personash me tituj shkencorë kanë bërë ekspertizë të pavarur nëse leja mjedisore e dhënë në vitin 2013 për ndërtimin e dy HEC-eve në Dragobi, është e bazuar në argumente shkencore.

Kjo ekspertizë e dhënë nga dr. Abdulla Diku, prof. dr. Anila Paparisto, prof. dr. Aleko Miho, dr. Ermelinda Mahmutaj, prof. dr. Ferdinand Bego, prof. dr. Lulëzim Shuka, msc. Olsi Nika, prof. dr. Petrit Hoda dhe prof. dr. Spase Shumka, arrin në përfundimin se leja mjedisore për dy HEC-et e kontratës së parë në Dragobi përmban shumë mangësi dhe përfundime me të meta të rënda në studimin mjedisor.

Mbështetur në rishikimet e ekspertëve të fushave, duke përfshirë ekologjinë, florën dhe bimësinë, faunën, peizazhin, aspektet sociale dhe etike, studimi gjeti se ndikimi i dy hidrocentraleve në kaskadën e Dragobisë mbi florën dhe faunën tokësore e ujore është i fuqishëm.
Ndërkohë vihet re se ka pasur të meta të rënda në metodologjinë dhe strukturën e Vendimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), si mosvlerësim i përgjithshëm i ndikimeve, analizë sipërfaqësore e masave zbutëse (e ndikuar kjo nga mungesa e të dhënave), analizë sipërfaqësore (madje mungesë) e ndikimeve të devijimeve dhe zvogëlimit të rrjedhës së ujit mbi larminë biologjike të ujërave të ëmbla dhe habitateve përreth.
Nëntë ekspertët e pavarur kanë gjetur në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis mungesën e përafrimit të integruar të ekosistemeve, mungesën e analizës ndërdisiplinore, mungesën e plotë të komponentëve ekologjikë, të florës dhe faunës, dominimin e përqasjes inxhinerike dhe hidrologjike, varfërinë e elementeve metodologjike të përqasjes, mungesën e alternativave të tjera ndaj ndërtimit të HEC-eve dhe përqasjen e varfër të vlerësimit të ndikimeve dhe masave zbutëse.

Bazuar në këto gjetje, ekspertët e pavarur të mjedisit mendojmë se vlerësimi i paraqitur në raport nuk jep asnjë mundësi reale të të kuptuarit të përgjithshëm të ndikimeve mjedisore dhe socio-ekonomike që mund të shkaktojë ndërhyrja në kaskadën e Dragobisë.
Ata shprehen se, ky është një shembull tipik ku “skema” paraqet një gjobë për larminë biologjike, natyrën dhe shoqërinë dhe relativisht shembull i zakonshëm i “zhvillimit hidroenergjetik të babëzitur”, kur inxhinierët përpiqen të shfrytëzojnë përqindje të lartë të potencialit të hidrocentraleve (le të themi > 90%) dhe në këtë mënyrë të rrezikojnë dhe të lënë pas dore të gjitha vlerat e tjera të ekosistemit natyror të lumenjve tanë.

“Ne mendojmë se ka mundësi ndryshe, më pak shkatërruese, por vetëm nëse vlerësimet e shërbimeve të ekosistemeve (krahas shfrytëzimit të potencialit hidroenergjetik) realizohen në mënyrë shkencore, duke lënë hapësirë për mbajtjen e shërbimeve të rëndësishme ekologjike për gjallesat dhe shoqërinë”, – shprehen ekspertët e pavarur.

Vendimi i Ndikimit në Mjedis për dy HEC-et e Dragobisë është hartuar në qershor 2013, dhe Leja Mjedisore nga AKM është lëshuar më 23 korrik 2013, me vlefshmëri vetëm 2 vjet. Në leje theksohet se ajo mund të përsëritet ose dhe anulohet kur shfaqen elemente ekologjike të panjohura më parë, si në këtë rast. “Është për këtë që ne shpresojmë, se të gjitha këto janë arsye që qeveria të rinisë çështjen e ndërtimit të këtyre HEC-eve”, – shprehet grupi i ekspertëve.

Raporti i ekspertëve thotë se devijimet e ujit përmes tuneleve dhe zvogëlimi i sasisë së ujit në shtratin lumor do të shoqërohet me pasoja mjedisore të pariparueshme. Në dokument mungojnë analizat e logjikshme.
Rrjedha e ujit është përcaktuesi kryesor i mjedisit fizik në lumenj dhe përrenj, e cila, nga ana e saj, është një përcaktues kryesor i përbërjes biotike.
Njohuritë e ekspertizës së VNM-së lidhur me mbrojtjen e natyrës, me ekoturizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm janë shumë të cunguara.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of