Drejtori i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), Baki Hoti, ka thënë se deri më tani kanë arritur të kategorizohen 26 hotele, ndërkaq “Grand Hotel Prishtina” nuk i është nënshtruar procesit të kategorizimit dhe klasifikimit prandaj, sipas tij, i janë hequr yjet.
“Deri më tani janë kategorizuar 26 hotele. Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka filluar të dalë në terren. Ky inspektorat ka filluar t’ua heqë yjet të gjitha objekteve hoteliere të cilat nuk i janë nënshtruar kategorizimit dhe klasifikimit. ‘Grand Hotel Prishtina’ i ka pasur pesë yje dhe tani i janë hequr të gjithë”, ka thënë Baki Hoti në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka shtuar se Kosova nuk ka numër të saktë të statistikave të turistëve, të cilët e vizitojnë Kosovën. “Për fat të keq, nuk ka statistika të sakta për numrin e turistëve që hyjnë në Kosovë dhe prej nga vijnë këta turistë”, ka deklaruar ai.
“Epoka e re”: Sa është numri i turistëve të cilët e kanë vizituar Kosovën gjatë verës?
Hoti: Për fat të keq, Kosova nuk ka statistika të sakta për numrin e turistëve që hyjnë në Kosovë dhe prej nga vijnë. Po të kishte statistika, atëherë do të ishte shumë më e mirë.
“Epoka e re”: Pse ende nuk ka statistika të turistëve të cilët e vizitojnë Kosovën?
Hoti: Kjo është një procedurë më shumë shtetërore. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Polici, Doganë, janë disa statistika, por nuk janë të sakta, sepse merret numri i hyrje-daljeve në kufi, jo numri i saktë i vizitorëve. Unë e kam përmendur një model anglez, sipas të cilit, merren shënime prej nga vijnë turistët, sa do të qëndrojnë dhe çfarë lloj vizite kanë. Prandaj, në bazë të asaj, ne do ta dinim sa vizitorë kanë hyrë në Kosovë brenda jave, muaji dhe viti si dhe prej nga vijnë ata.
“Epoka e re”: Mospasja e statistikave a mund të ndikojë në zbehjen e imazhit për turizëm?
Hoti: Nuk mendoj se do të ndikojë aq shumë, por gjithsesi se mund të ndikojë pak negativisht. Më së shumti kjo ndikon te ne për shkak se institucionet tona nuk e dinë saktë se sa është numri i turistëve dhe nga cilat shtete vijnë. Nëse do ta dinim këtë, atëherë edhe targeti ynë për promovim të turizmit do të ishte shumë më i madh në ato vende prej të cilave ka vizitorë më tepër. Shembull, në ato vende do të organizonim panaire dhe konferenca të turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.