Turizëm me kusht

20/02/2018 4:26 PM 0 komente

Sezoni turistik veror, këtë vit do të jetë rreth pesë muaj dhe kjo i atribuohet kontingjentit të pushuesve nordikë që kanë “pushtuar” me rezervime Golemin. Operatorët turistikë shqiptarë shprehen se ky është shansi i artë ose vetëvrasje për turizmin shqiptar. Kjo do të varet nga mënyra sesi do të menaxhohet situata dhe këtu nuk u referohen hoteleve, por infrastrukturës.
Inspektorët e agjencive të huaja kanë lënë afat deri në fund të marsit për të mbyllur punimet nëpër rrugë, ose do të nisin negociatat me Rinasin për të zgjatur qëndrimin e avionëve. Hotelet, nga ana tjetër, janë bërë gati. Shumica do të ofrojë shërbimin “all inclusive” dhe polakët vijojnë të mbajnë “flamurin” si grupi me frekuentim më të lartë, kurse rikthime nga pushuesit e sezonit të kaluar ka shumë pak.

 

Nga Nertila Maho

Në datë 11 maj 2018, një avion me turistë nga vendet nordike do të ulet në Rinas dhe me autobus do të shoqërohen për në Golem. Pushuesit do t’i drejtohen hotelit që kanë rezervuar për të kaluar një javë pushime në Shqipëri, por avioni nuk do të largohet nga aeroporti. Ai do të qëndrojë gati që, nëse ndokujt nuk i pëlqen infrastruktura apo hoteli, të kthehet brenda ditës në vendin e tij. Është sa për të qeshur aq edhe për të qarë ky skenar, por është tërësisht pasqyrë e realitetit shqiptar.

Kur u deshën gati dy dekada që të huajt të hidhnin sytë nga Shqipëria dhe të na merrnin seriozisht si një destinacion turizmi, sërish kanë rezervat e tyre. Janë grupet e inspektimit të agjencisë nordike që kanë vizituar Golemin dhe që kanë gjetur një rrugë të kthyer përmbys në punime dhe kanë hartuar pikërisht skenarin e mësipërm, sikurse sqarojnë operatorët turistikë vendas.

Infrastruktura, gati në mars ose negociata me Rinasin për avionët

Inspektorët e agjencisë nordike që po sjell turistët në vendin tonë janë çdo dy javë në Golem për të vlerësuar sigurinë, ecurinë e punimeve në rrugë, kushtet e hoteleve, kuzhinën e çdo detaj tjetër. Deri më tani, ngërçi i vetëm që është evidentuar janë punimet në zonën e Mak Albania deri tek pishat e buta.

“Prova jonë reale këtë vit mbeten turistët nga Suedia, Finlanda, Danimarka. Pjesën e infrastrukturës që përmenda ata e kanë shënuar si një mangësi dhe kanë lënë afat deri në fund të marsit për të parë sesi do të jetë situata në pjesën e Golemit. Nëse deri atëherë punimet nuk premtojnë që infrastruktura të jetë gati, na kanë bërë të qartë që do të hyjnë në bisedime me Rinasin, koncesionarin e Aeroportit për të zgjatur afatin e pritjes së avionëve. Pra, avioni do të vijë të sjellë turistët.

Ata do të shoqërohen me autobus deri tek hoteli dhe nëse nuk iu pëlqen, autobusi do të qëndrojë gati për t’i kthyer pas tek avioni. Ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë dhe të mos kemi asnjë rast të tillë, por risku ekziston dhe nëse ndodh kjo, mund të themi me gojë plotë që është katastrofë për turizmin tonë”, tregon Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe njëkohësisht menaxher i Happy Tours që ka lidhur edhe marrëveshjen me agjencinë Apollo që operon në vendet nordike.

Kjo nuk është hera e parë që indiferenca e shtetit rrezikon mbarëvajtjen e sezonit turistik. Si për ironi, pas çdo sezoni, pjesa e infrastrukturës lakohet si problemi kryesor që do zgjidhet, por kjo nuk ndodh. Dhe akoma më keq, punimet nisin fiks në të njëjtën kohë me sezonin, në disa raste duke kthyer pushimet në një aventurë aspak të këndshme. Operatorët kanë marrë një angazhim nga qeveria, se punimet të paktën në zonën e Golemit do të përfundojnë para verës, por kjo mbetet për t’u parë. Hotelet ia kanë dalë që në gjithë këtë kaos infrastrukturor dhe problemesh me ujin dhe energjinë të krijojnë oaze pushimesh, që joshin edhe turistin elitar i cili testohet në limitet e tij sapo del nga dyert e hotelit.

Polakët sërish të parët, por edhe pak rusë

Polakët, ashtu sikurse vitin e kaluar, vazhdojnë të kenë një interes të madh për të vizituar Shqipërinë. Arbër Shehu, administrator i Sandy Beach Resort në Golem, tha se të paktën 70% e dhomave janë të rezervuara nga ky grup. “Kërkesa ka mjaft rritje dhe ka kaluar gjithë parashikimet tona. Rezervimet janë në rritje e sipër dhe numri është më i lartë se një vit më parë. Ne shohim një rritje të çekëve dhe nordikëve, por pjesën më të madhe e zënë polakët. Në total, 70% e kërkesës vjen nga polakët kurse pjesa tjetër u takon grupeve të tjera. Vëmë re që nuk ka ndonjë rritje të dukshme për hungarezët, për të cilët kishte një pritshmëri më pozitive. Ata janë në stanjacion”, – shprehet ai.

Rritja e kërkesës konfirmohet edhe nga menaxheri Rrahman Kasa i Happy Tours. “Ata që dominojnë në rezervime janë polakët por jo vetëm. Ne të paktën, duke filluar që nga hapja e sezonit, kemi rreth 10 avionë në javë nga Polonia, 3 avionë nga Sllovakia, 2 nga Çekia, por edhe 5 fluturime charter nga vendet nordike. Nordikët vijnë për herë të parë në Durrës dhe ne e nisëm si fillim me rezervime për 3 avionë në javë, por deri tani kemi arritur në 5 dhe me këtë ritëm është plotësuar gjysma e kapaciteteve të rezervuara paraprakisht”, – shprehet Kasa.
Një tjetër element është prezenca e rusëve dhe ukrainasve, por në një masë të vogël. Ende kjo nuk mund të konsiderohet tendencë pasi mbetet modeste. Këtë po e eksperimenton një agjenci që mbulon pjesën e Malit të Zi dhe që disa po i transferon drejt Shqipërisë në formë testi.

Paketat, polakët dhe çekët ‘all inclusive’, nordikët kryesisht vetëm mëngjes

Pavarësisht skepticizmit për ‘all inclusive’, hotelet në zonën e Golemit e kanë marrë përsipër ta ofrojnë si shërbim edhe këtë vit. Ata pranojnë se kostoja varion nga 5-6 euro dhe fitimi është minimal ose pothuajse nuk ka fare, por pranojnë ta ofrojnë duke pritur që të kenë fitim nga shërbimet e tjera. “Kemi gërshetim të të gjitha paketave ‘all inclusive’, ‘a la carte’, apo edhe vetëm mëngjes. Ne e kemi vitin e parë këtë, kështu që është vit prove. Modelet e paketave i kemi zgjedhur paraprakisht duke negociuar me agjencinë. Është një gërshetim i kuzhinës tradicionale shqiptare dhe menusë nordike. Ka një leverdi të vogël dhe kostoja varion deri në 5 euro për paketë, por edhe po nuk pati fitim, këtu ti e ke një bonus të integruar që justifikon pjesën e fitimit te shërbimet e tjera që ofron” shprehet sipërmarrësi Fatos Çerenishti nga Fafa Resort.

Pozitive për disa hotele është krijimi i përvojës. Sipas Arbër Shehut nga Sandy Beach Resort, ky vit pritet që të menaxhohet më mirë në pjesën e paketave. “Edhe këtë vit, rezervimet i kemi për ‘all inclusive’. Kemi mësuar nga viti i kaluar dhe kemi krijuar marrëdhëniet me furnitorët. Është pozitive që kemi krijuar një historik për të bërë parashikim për pjesën e konsumit”, – shprehet ai.

Administratori i Prestige Resort, i njohur si ish-Mak Albania, Blerim Norja, shprehet se shërbimet në hotel janë “bed and breakfast” (shtrat dhe mëngjes) për nordikët dhe All inclusive (fjetje dhe ushqim tre vakte) për polakët, çekët dhe sllovakët. Kemi një masë të vogël me rusë, ukrainas dhe hungarezë, të cilët i sjell një agjenci Aler Travel, (ukrainas) por edhe këta janë vetëm me mëngjes. Në tërësi është rënë dakord që 50% e ushqimit të jetë tradicional shqiptar dhe 50% italian. Problemi ynë nuk ka qenë gjetja e furnitorëve dhe ofrimi i paketave, por gjetja e stafit të kualifikuar. Ky është një ngërç që ne mendojmë se ekziston dhe që i kushton goxha biznesit”, tha Norja.

Strategjia e re e turizmit 2018-2022

Një draft strategji pesëvjeçare për turizmin e nxjerrë për konsultime nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit hedh dritë mbi politikat që do të ndërmerren dhe objektivat e qeverisë për sektorin në harkun 2018-2022. Ashtu sikurse e kemi dëgjuar nëpër fjalime politike vit pas viti, problemi që ngre strategjia është si të sjellim më shumë turistë dhe jo si të mbajmë ata që vijnë. Kjo kuptohet sapo i hedh një sy politikave kryesore, ku rritja e shpenzimeve për turizëm apo investimet publike janë të renditura në vendin e katërt.

“Pikësynimet kryesore të politikave në fushën e turizmit janë: Rritja e kontributit të turizmit në të ardhurat e përgjithshme të vendit, zhvillimi i balancuar i ofertës turistike dhe shërbimeve, rritja e punësimit në sektorin e turizmit, përmirësimi i nivelit të jetesës dhe zbutja e varfërisë në zonat turistike në të gjithë territorin e vendit, rritja e shpenzimeve për turizëm (investimet publike), rritja e të ardhurave nga aktivitetet dhe shërbimet turistike dhe sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale të të drejtave të udhëtarëve dhe vizitorëve”, – thuhet në strategji.

I njëjti dokument nënvizon se duhet vepruar në pesë fusha kryesore siç është zhvillimi i produktit (diversifikimi i ofertës turistike), zhvillimi i burimeve njerëzore (përmirësimi i cilësisë së shërbimeve), marketingu (promovimi i Shqipërisë si destinacion i turizmit gjithëvjetor), investimet private dhe publike dhe së fundmi, kuadri i politikave dhe menaxhimi i destinacioneve.

Të paktën 5 resorte me 4 dhe 5 yje deri në vitin 2022

Numri i lartë i turistëve kërkon edhe më shumë struktura akomoduese. Qeveria ka dhënë disa incentiva për nxitjen e ndërtimit të strukturave, kryesisht ato me 4 dhe 5 yje brand name, si një masë për të përballuar fluksin në rritje. Por sot për sot, numri i strukturave mbetet i kufizuar dhe akoma më keq, janë të gjitha të paklasifikuara. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikon që deri në vitin 2022 të jenë klasifikuar të paktën 2000 struktura, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Po kështu, pritet që numri i shtretërve të rritet me 30% dhe të bëhet regjistrim me 80% i akomodimit familjar (dhoma, apartamente, shtëpi). Në kuadër të lehtësive parashikohet që numri i resorteve me 4 dhe 5 yje, të shtohet me 5 të tillë që ofrojnë shërbime komplekse deri në vitin 2022.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of