Bie interesi për Antalian, del sërish në skenë Egjipti
Antalia ka qenë një destinacion mjaft i preferuar i shqiptarëve për të kaluar pushimet e verës. Sidomos në 2017-n, udhëtimet me çarter drejt Antalias u rritën me 53%, kurse numri i pasagjerëve që udhëtuan me çarter drejt Antalias dhe kthim ishte rreth 62.4 mijë persona. Por, në 2019-n, shqiptarët duket se u “velën” nga Turqia. Numri i pasagjerëve që udhëtuan drejt dhe nga Antalia ra për herë të parë me 2.1% gjatë pesë viteve të fundit, pasi në 2018-n ishte rritur me vetëm 1%.
Agjencitë turistike pohojnë se shtrenjtimi i paketave në Antalia ka stepur pushuesit, ndërsa një destinacion i preferuar u bë dhe Greqia. Turizmi i diellit po zëvendësohet edhe nga ai kulturor, ku shumë shqiptarë preferojnë që të mos “shullëhen” vetëm në diell, por të kalojnë pushimet, duke vizituar kryeqytetet e Europës, apo drejt destinacioneve ekzotike që po kthehen në preferencë vitet e fundit.
Egjipti ka qenë një tjetër destinacion që është rikthyer në modë, pas qetësimit të konflikteve që i larguan për një farë periudhe pushuesit nga e gjithë bota. Në 2019-n, ndonëse në nivele të ulëta rifilluan çarterat drejt Sharm El Sheikut dhe Hurgadas, me një total prej rreth 4 400 pasagjerësh.
Ulen polakët, rriten ndjeshëm izraelitët, zgjerohet gjeografia me ish-vendet sovjetike
Shqipërinë e kanë vizituar gjatë vitit 2019 një numër rekord prej 6.4 milionë të huajsh, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT-it. Rreth 705 e hyrjeve ishin nga pesë shtete: Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Mali i Zi.
Por vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm dhe turizmi i organizuar përmes agjencive të mëdha turistike, të cilat sjellin turistë përmes linjave të dedikuara (çarter), kryesish gjatë perudhës maj-shtator. Në total, përmes çarterave fluturuan 324 mijë pasagjerë në 2019-n, me një rritje prej 10% me bazë vjetore.
Avionët direkt nga Polonia përbëjnë pjesën më madhe të trafikut të çarterave, teksa turistët polakë ishin të parët që “zbuluan” Shqipërinë rreth 4 vjet më parë. Në 2019-n, nga Polonia në Shqipëri erdhën çartera nga 5 qytete të Polonisë: Katovica, Varshava, Poznani, Wroclaw, Gdańsk. Gjithsej rreth 103 mijë pasagjerë fluturuan në Rinas nga këto destinacione, ku kryesimin e mban Katovica, e ndjekur nga Varshava.
2019-a shënoi një trend rënës për turistët polakë, pas rritjes së fortë të tyre gjatë tre viteve të mëparshme, me tkurrje rreth 11% të fluksit të pasagjerëve. Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, arsyet janë tre. Së pari ishte falimentimi i një kompanie ajrore polake, e cila siguronte çarterat për të sjellë turistët. Kontratat ishin të parashkruara, çka do të thotë që në sezon ishte e pamundur të bëhej zëvendësimi.
Së dyti, operatorët kanë nënvizuar se Durrësi, ku vendoset shumica, po shtrenjtohet dhe kjo ka bërë që të kërkohen opsione më të lira. Së treti, dinamika e tregjeve të turizmit ka ndryshuar dhe përveç Turqisë dhe Greqisë që kanë qenë të preferuara dhe me çmime të lira, edhe rikthimi i Egjiptit në skenë ka dhënë efektin e vet. Rritjen më të lartë në turistët që vijnë në Shqipëri përmes çarterave e shënoi Izraeli, me 23 mijë pasagjerë, pothuajse dyfishim në raport me 2018-n. Më pas renditen çekët (rritje 19%), dhe ukrainasit (+12%).
Nga shtetet nordike, ndonëse ka linja direkte në verë, fluksi mbetet i ulët, ku kryesojnë norvegjezët, që shënuan rriten më të fortë me 34% (15 mijë pasagjerë). Nga Suedia, numri i pasagjerëve ra me rreth 5%, (Në 10.5 mijë) ndërsa nga Finlanda rritja ishte rreth 15%, ndonëse duke u nisur nga një bazë e ulët (rreth 3,600).
Krahas ukrainasve, të cilët kanë disa vjet që kanë zbuluar Shqipërinë, -duke u renditur të katërtit pas çekëve, izraelitëve dhe polakëve me rreth 15 mijë pasagjerë, këtë vit gjeografia e ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik u zgjerua me Rusinë, Letoninë, Bjellorusinë, Lituaninë, që kishin çartera me rreth 4-8 mijë pasagjerë secili.
Ulen çmimet e biletave
Pas shumë vitesh me tarifa të kripura, që arrinin dhe 300 euro në një drejtim në periudhën e verës, shqiptarët kanë mundësi që të gjejnë bileta të lira, nëse i prenotojnë më parë dhe sidomos në periudhën e sezoneve të ulëta. Biletat në një drejtim kushtojnë mesatarisht 30-70 euro drejt Italisë, mund të gjesh 50-100 euro edhe drejt Gjermanisë e Vjenës Por sërish në verë ato shtrenjtohen, sidomos në gjysmën e parë të gushtit drejt Rinasit dhe në gjysmën e dytë nga Rinasi drejt vendeve të tjera, si rrjedhojë e lëvizjeve të shtuara nga emigrantët që vijnë për pushime në Shqipëri. Këtë periudhë, biletat e kalojnë 100 euro për një drejtim.
Në periudhën tjetër të vitit, hyrja e operatorëve low cost si “Wizz Air” e “Easy Jet” dhe shtimi i konkurrencës, sidomos drejt destinacioneve italiane, ka bërë që çmimet e biletave të jenë më të lira.
Drejt Milanos, biletat kushtojnë 50-70 euro (në një drejtim) me “Blue Panorama”, vetëm në gjysmën e dytë të gushtit, çmimi rritet në 110 euro (një drejtim).
Me “Easy Jet”, po drejt Milanos, biletat kushtojnë 30-50 euro një drejtim dhe në gusht shkojnë deri në 90 euro.
Me “Air Albania” për në Milano mund të gjesh bileta me 50 euro, ndërsa në gusht me 70 euro.
Me “Wizz Air” për në Bergamo, çmimet e biletave variojnë mes 20-40 euro, ndërsa në gjysmën e dytë të gushtit për të shkuar nga Tirana drejt Bergamos çmimet rriten në rreth 100 euro.
Rënia më e fortë e çmimeve ka qenë për Vjenën, ku hyrja e “Wizz Air” në fund të vitit të kaluar ka detyruar dhe “Austrian Airlines” që të ulë çmimet e biletave. Për në qershor, p.sh. drejt Vjenës mund të shkosh nga Tirana me 40-50 euro me “Wizz Air”, ndërsa me “Austrian Airlines” mund të gjesh në disa data edhe bileta me 47 dhe 62 euro, ndërsa mesatarisht janë 100-167 euro (në një drejtim).
Më lirë janë dhe destinacionet e Gjermanisë, përveçse ato janë shtuar vitin e fundit. Me “Alba Wings”, Dyseldorfi fillon nga 50.5 euro.
Në Londër, me Wizz Air, në Londër mund të shkosh nga Tirana edhe me 50 euro, por mesatarisht luhaten mes 70 dhe 100 euro. Me Alba Wings biletat drejt Londrës fillojnë nga 60 euro, me British luhaten rreth 40-90 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.