Në zonat bujqësore, ndonëse papunësia është e ulët, varfëria mbetet e lartë. Në bregdet, papunësia është e lartë, po ashtu dhe niveli i varfërisë…
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, në bazë të hartës së varfërisë të Bankës Botërore dhe Atlasit Statistikor të Shqipërisë të INSTAT, në komunat me normë të lartë papunësie, ka një nivel të lartë të pabarazisë (koeficienti Gini).
Kjo është veçanërisht e vërtetë për zonat në të cilat nuk ka burime të jashtme të qëndrueshme të të ardhurave, si remitancat nga emigracioni, si në Berat apo Delvinë.
Në zonat kufitare dhe qyteteve apo komunave, të cilat tradicionalisht kanë lidhje të fortë, varfëria dhe koeficienti Gini janë më pak të shpjeguar me normën e punësimit, duke qenë se remitancat luajnë rol të rëndësishëm në cilësinë e jetës, si p.sh. në Gjirokastër apo në Durrës.
Emigracioni është një faktor i rëndësishëm në uljen e varfërisë në vend. Zonat me lidhje të forta me emigracionin kanë normë varfërie relativisht të ulët, edhe kur norma e papunësisë është e lartë.
Në Gjirokastër, vendi me normën më të ulët të papunësisë, pensionet janë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave, në pjesën më të madhe të familjeve. Kjo është e vërtetë edhe për disa nga komunat e Qarkut të Vlorës, si Himara apo Lukova.
Në zonat e tjera, lidhja midis normës së papunësisë dhe nivelit të varfërisë është e dobët, veçanërisht në zonat rurale, edhe kur norma e papunësisë është e ulët, niveli i varfërisë është veçanërisht i lartë, duke kuptuar se të ardhurat nga bujqësia janë të pamjaftueshme për të reduktuar varfërinë. Kjo tendencë konstatohet më shumë për komunat e zonës qendrore, ku bujqësia është më së shumti e zhvilluar, si Lushnja, Fieri, Elbasani, duke reflektuar kështu vlerën e ulët të shtuar nga bujqësia.
Në qytetet kryesore, si Tirana dhe Durrësi, trendi pozitiv i rritjes së popullsisë, i shkaktuar kryesisht nga lëvizjet e brendshme, është një faktor që ka rritur pabarazinë.
Zonat bregdetare, megjithëse kanë potencial të lartë në zhvillimin e turizmit, kanë normë relativisht të lartë të papunësisë dhe të nivelit të varfërisë, duke reflektuar kohën e shkurtër të shfrytëzimit të turizmit (kryesisht maj-gusht), shërbimet me vlerë të shtuar të ulët dhe këputjen e zinxhirit të furnizimit në zonat lokale.
Tirana
Tirana është qarku me densitetin më të lartë të popullsisë në Shqipëri, rritja e popullsisë është shkaktuar si pasojë e lëvizjeve të brendshme migratore, ndërkohë që ka dhe nivelin më të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë në vend. Kjo është reflektuar në treguesit e varfërisë dhe të pabarazisë. Tirana është e para për sa i përket numrit të komunave me nivel më të lartë të pabarazisë në të gjithë vendin. Farka është komuna me nivelin më të lartë të pabarazisë, duke reflektuar zhvillimin e pasurive të paluajtshme (trojet dhe vilat). 75% e të punësuarve në Farkë punojnë në sektorin e shërbimeve.
Komuna e Dajtit në Tiranë është e treta me nivelin më të lartë të pabarazisë në Shqipëri, ndërkohë që qyteti i Tiranës është i gjashti. Kamza, një komunë e cila ka pasur fluksin më të lartë të migrimeve, ka normën më të lartë të varfërisë në Qarkun e Tiranës, rreth 22.55. Sektori kryesor i punësimit në Kamëz është ai i shërbimit, me 59% të totalit të të punësuarve. Zona e dytë më e varfër e Tiranës është Kërraba, me 24.9%.
Tirana është qyteti me normën më të ulët të varfërisë.
Përveç Zall Bastarit, që ka një normë papunësie prej 6%, të gjitha njësitë e tjera kanë një normë papunësie dyshifrore, nga 15.3% në Pezë, në 53.9% në Kamëz.
Durrësi
Durrësi është qarku ku norma e lartë e papunësisë nuk është e lidhur drejtpërdrejt me varfërinë dhe pabarazinë, duke qenë se kjo zonë ka lidhje të forta me emigracionin, kryesisht në Itali. Megjithëse Shijaku, për shembull, ka një prej niveleve më të larta të papunësisë në zonën e Durrësit, prej 30.7%, ka normën më të ulët të varfërisë, 12.5%, shpjeguar me hyrjet e larta të parave nga jashtë.
Në qytetin e Durrësit, 7.1% e familjeve kanë remitancat si burim të të ardhurave të tyre, Rashbull 15.2%, Golem 17.1%, Gjepalaj 23.2%, Shijak 10.3%, Sukth 18.2%, Ishëm 14.8%.
Ishmi, një komunë me potencial të lartë të zhvillimit të turizmit, rezulton që ka normë të lartë të papunësisë dhe të varfërisë.
Durrësi është një nga dy qarqet (së bashku me Tiranën) që kanë tendenca pozitive të migrimit të brendshëm, të cilat kanë ndikuar në nivelin e pabarazisë, veçanërisht në qytetin e Durrësit, i cili renditet i katërti për sa i përket koeficientit Gini.
Elbasani
Qyteti i Elbasanit dhe Cërrikut kanë normën më të lartë të papunësisë (37.4 dhe 49.4) dhe normën më të lartë të pabarazisë. Disa komuna në zonën e Elbasanit kanë normë të ulët papunësie 9 më pak se 10%), si Gostimë, Kajan, Mollas, Klos, Paper, Labinot Fushë, Funarë, por disa prej tyre janë nga komunat me normë më të lartë varfërie. Elbasani është zona e dytë me normën më të lartë të punësimit në bujqësi. Në Labinot Mal, zona më e varfër e Elbasanit, me një normë papunësie prej 14%, 80% e të punësuarve janë në bujqësi.
Fieri
Qyteti i Fierit dhe i Patosit janë dy zona me nivelin më të ulët të varfërisë në Qarkun e Fierit, megjithëse kanë një normë të lartë të papunësisë (27.55 në Fier dhe 52% në Patos, më i lartë në këtë qark), duke reflektuar zhvillimin e industrisë nxjerrëse të naftës dhe shërbimeve të lidhura në këtë industri, 48% e të punësuarve në Patos janë në sektorin e shërbimeve dhe 42% në industri). Zonat e tjera, të cilat bazohen kryesisht në bujqësi, kanë një normë relativisht të lartë të varfërisë. Struma, komuna me nivelin më të lartë të varfërisë në Fier, ka thuajse 79% të të punësuarve në bujqësi.
Megjithëse Fieri është i dyti për sa u përket të ardhurave (PBB-së) për frymë, pas Tiranës, norma e varfërisë për njësi është relativisht e lartë duke qenë se PBB-ja e lartë për frymë reflekton më së shumti zhvillimin e industrisë së rëndë (nxjerrjes së naftës, një industri intensive).
Vlora
Varfëria në Vlorë, megjithëse është qarku me potencialin turistik më të madh, mbetet e lartë, ndërsa papunësia është dyshifrore në të gjitha njësitë e saj.
Himara është komuna me nivelin më të ulët të varfërisë, rreth 11.6% (ku burim kryesor i të ardhurave janë pensionet, 49%), Lukova ka gjithashtu 48.2% të të ardhurave prej tyre.
Vllahina ka normën më të lartë të papunësisë, pothuajse 23%.
Të ardhurat nga emigracioni mbeten burimi kryesor, duke reduktuar impaktin e papunësisë së lartë. 7.6% e familjeve kanë remitancat si burim kryesor të të ardhurave në qytetin e Vlorës, Orikumi 10.6%, Qendra 145, Brataj 14.2%.
Shkodra
Shkodra është një ndër zonat me normë të lartë papunësie, duke kapur nivelin e 82.5% në Komunën e Shalës, ndërsa norma e papunësisë mbetet e lartë gjithashtu. Gjithsesi komunat e këtij qarku kanë të tjera burime të ardhurash përveçse punësimit, duke qenë se Shala është komuna me normën më të ulët të varfërisë, rreth 8.7%. Burimi kryesor i punësimit në Qarkun e Shkodrës është bujqësia. Velipoja, një komunë me potencial në turizëm, ka një normë të lartë papunësie prej 52.1%, ndërsa norma e saj e varfërisë është 11.5%.
Lushnja
Lushnja është një prej qarqeve me normën më të ulët të papunësisë në Shqipëri, me 10 nga 16 komunat e saj me normë papunësie njëshifrore (krahasuar me normën mesatare prej 26.1% të Shqipërisë), por varfëria përsëri është e lartë, duke shënuar vlerën më të lartë në Tërbuf.
Megjithëse Qarku i Lushnjës është një prej zonave më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare dhe zhvillimi i këtij sektori ka gjeneruar punësim (në pjesën më të madhe të komunave, më shumë se 80% e të punësuarve punojnë në bujqësi), norma e varfërisë është relativisht e lartë, duke reflektuar vlerën e shtuar të ulët në bujqësi.
Kavaja
Kavaja është një qark me potencial të lartë në turizëm, për shkak të pozicionit gjeografik, por që është i pazhvilluar duke e lënë popullsinë në varfëri. Golemi, i cili është qendër e rëndësishme e turizmit, ka një nivel relativisht të lartë të varfërisë, rreth 17%. Vetëm 38% e të punësuarve janë në sektorin e shërbimeve. Pabarazia është gjithashtu e lartë, për shkak të ndërtimit të vilave luksoze në këtë zonë. Synej, një tjetër zonë e rëndësishme, për sa i përket turizmit, ka një normë relativisht të lartë për sa i përket varfërisë. Sinaballaj, komunë jo bregdetare, ka normën më të lartë të varfërisë në Kavajë, me 22%. Punësimi në bujqësi (85% e të punësuarve) nuk ka ndihmuar në reduktimin e varfërisë. Remitancat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave. 17.2% e familjeve kanë si burim të të ardhurave të tyre remitancat.
Saranda
Norma e varfërisë në Sarandë ka luhatshmëri të lartë, nga 5.8% në Livadh, në 16% në Xarrë. Saranda është një qark me potencial të lartë në turizëm, ndërsa afërsia e saj me Greqinë i siguron të ardhura shtesë nga jashtë. Ksamili, një zonë e preferuar turistike, ka një normë papunësie prej 53.2% dhe një normë varfërie prej 13.8%, e treta më e larta në këtë vend (pas Xarrës dhe Konispoli), ndërsa 63% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve.
Pjesa më e madhe e komunave të Skraparit kanë një normë shumë të ulët të papunësisë, ndërsa burimi kryesor i të ardhurave mbetet bujqësia. Norma e papunësisë varion nga 7.8% në Çepan në 16.9% në Zhepe.
Gjirokastra
Qarku i Gjirokastrës, megjithëse ka një normë të lartë të papunësie (përveç komunës së Zagorisë), mesatarisht në 25.6% kanë normë të ulët varfërie. 10 komuna të Gjirokastrës (nga 13 që janë në total), janë në mesin e 14 qyteteve dhe komunave me normën më të ulët të varfërisë në Shqipëri (nga 373 në total). Niveli i ulët i varfërisë është kryesisht i shpjeguar me pensionet nga Greqia që marrin të moshuarit (Dropull i Poshtëm ka 61.6% të të ardhurave nga pensionet, Zagoria 58%, Pogoni 72.4%) dhe remitancat (të rinjtë punojnë në Greqi dhe sjellin të ardhura për prindërit e tyre), si dhe për shkak të emigracionit të lartë, Qarku i Gjirokastrës ka densitetin më të ulët, 25 banorë për km2.
Në Dropullin e Sipërm, thuajse 20% e familjeve kanë remitancat si burim të të ardhurave të tyre, Libohova, 7.3%.
Niveli i ulët i varfërisë është reflektuar në nivelin e lartë të konsumit bazë. Tetë komuna në Gjirokastër udhëheqin renditjen e konsumit bazë në Shqipëri (Zagoria, Pogoni, Antigoneja, Dropull i Sipërm, Gjirokastër, Lunxhëri dhe Lazarat), me Zagorinë që është komuna me nivelin më të lartë të konsumit bazë në Shqipëri.
Një tjetër tregues i konsumit të lartë bazë, Qarku i Gjirokastrës ka normën më të lartë të familjeve që kanë një pajisje të larjes së enëve (lavastovilje) (51% e familjeve) dhe e dyta që kanë lavatriçe (91.2% e familjeve).
Korça
Në Korçë, komunat që janë afër Greqisë kanë një nivel të ulët të varfërisë, pavarësisht normës së papunësisë. Liqenas, në kufi, është komuna e dytë për sa i përket normës së papunësisë, me 36.8%, por ka nivelin më të ulët të varfërisë në rajon, me vetëm 5%.
Maliqi, dikur një zonë e rëndësishme industriale (e njohur për prodhimin e sheqerit) ka normën më të lartë të papunësisë në Korçë, me 42.8% dhe me normë varfërie 12.2%. Sot, 55% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve.
Lekas, me një normë papunësie vetëm 2.1%, është komuna më e varfër e qarkut. 75% e të punësuarve punojnë në bujqësi.
Kukësi
Kukësi është zona më e varfër e Shqipërisë, megjithëse shumica e banorëve të këtij qyteti janë larguar në vitet e fundit (është një prej qyteteve me densitet më të ulët në Shqipëri, me 36.2 banorë për km2, ndërkohë që ka balancën më të madhe negative të migrimit të brendshëm). Ky trend pritet që të vazhdojë deri në vitin 2031, me popullsinë që pritet të rritet me mbi 30% gjatë kësaj periudhe. 7 komuna të Kukësit janë 10 komunat me nivelin më të lartë të varfërisë në Shqipëri. Në Kalis, zona më e varfër e Shqipërisë, norma e papunësisë është 64.4%, ndërkohë që 68% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve).
Shishtaveci, një nga zonat më të njohura për prodhimin e kulturës së patates, ka një normë relativisht të ulët të papunësisë, prej 14.4%, por norma e varfërisë mbetet relativisht e lartë, rreth 26.5%.
Trendi sipas qarqeve të tjera
-Në Qarkun e Beratit, Teprani ka nivelin më të ulët të papunësisë, prej 4% dhe koeficientin më të ulët Gini, por është i dyti për sa i përket varfërisë pas Sinje.
-Në Delvinë, sa më e lartë norma e papunësisë, aq më e lartë ishte norma e varfërisë dhe pabarazisë për të katërta komunat – Vergo, Delvinë, Finiq dhe Mesopotam.
-Megjithëse Bulqiza ka një normë të lartë të papunësisë, duke kapur normën e 54% në Komunën Trebisht, norma e varfërisë në këtë zonë është relativisht e ulët, veçanërisht në qytetin e Bulqizës, që ka një normë papunësie prej 46% dhe një normë varfërie prej vetëm 13% (e renditur e 233-a në rang kombëtar). Kjo shpjegohet kryesisht me shfrytëzimin e burimeve minerale të zonës (kromin).
-Komunat e Devollit, me normë të lartë papunësie (Bilisht dhe Qendër Bilisht) kanë nivel të lartë pabarazie, ndërkohë që niveli i varfërisë në të gjithë zonën mbetet i ulët, për shkak të lidhjeve të ngushta që kanë banorët e zonës me emigracionin në Greqi. Në Bilisht, 11.2% e të ardhurave të familjeve vijnë nga remitancat.
-Dibra është një zonë e varfër, me normë të lartë papunësie. Katër komuna të Dibrës (Sllovë, Zall Dardhë, Zall Reç) janë ndër 20 komunat me normën e varfërisë më të lartë në vend. Megjithëse ky vend ka normën më të lartë negative të migrimit të brendshëm në Shqipëri, kjo nuk e ka ndihmuar që të reduktojë varfërinë. Lura, dikur një nga zonat turistike më të bukura të Shqipërisë, ka normën më të lartë të papunësisë në Qarkun e Dibrës (48%) dhe pabarazi të lartë (e dyta pas Zall Dardhës), ndërkohë që varfëria është e ulët, rreth 19%, për shkak të shfrytëzimit të lartë të zonave pyjore.
-Gramshi është i bazuar kryesisht në bujqësi (me përjashtim të qytetit, 70-80% e të punësuarve punojnë në sektorin e bujqësisë). Norma e varfërisë është më pak se 20%, përveç se në Procan, me 26.7%.
-Qarku i Hasit ka normën më të lartë të papunësisë, që arrin nivelin prej 75% në Gjinal. Norma e varfërisë është ndër më të lartat në Shqipëri. Qarku i Hasit e siguron jetesën më së shumti duke punuar në sektorin e shërbimit.
-Kolonja është një qark me nivel të ulët varfërie dhe papunësi të ulët. Afërsia me vendin fqinj, Greqinë, ka ndihmuar në reduktimin e varfërisë, veçanërisht në Ersekë, e cila ka dhe normën më të lartë të papunësisë (42.4%), por varfërinë më të ulët (7%).
-Komunat në Krujë kanë një normë të lartë të papunësisë, mbi 20%, përveç Cudhisë). Interesant është fakti, se përsëri si komunë me normën më të ulët të papunësisë, vetëm 4.25, Cudhia ka normën më të lartë të papunësisë. Kjo komunë ka normën më të lartë të të punësuarve në bujqësi (58%).
-Kurbini ka gjithashtu një normë të lartë të papunësisë (43-62%), ndërkohë që norma e papunësisë në katër komunat e tij variojnë nga 19-20%.
-Lezha, megjithëse ka potencial në bujqësi dhe turizëm, ka normë të lartë papunësie, nga 30% në Dajç, në 60% në Shënkoll.
-Shëngjini, një zonë turistike, me afërsi me detin, ka një normë papunësie prej 31.8% (e dyta më e ulëta në këtë zonë), dhe një normë varfërie prej 13.8%, ndërkohë që 69.3% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve. Bujqësia nuk është e zhvilluar, ndërkohë që shumica e njerëzve punojnë në sektorin e shërbimit.
-Komunat e Librazhdit kanë një normë papunësie nga 5.6% në Stëblevë në 45.9% në Përrenjas. Shumica e të punësuarve punojnë në sektorin e bujqësisë, ndërsa varfëria mbetet e lartë, përveç qytetit të Librazhdit, ku varfëria është në nivelin e 8.7%.
-Në Qarkun e Malësisë së Madhe, Kopliku ka normën më të ulët të varfërisë (9.2%), megjithëse ka një normë relativisht të lartë të papunësisë, për shkak të lidhjeve me vendin fqinj, Malin e Zi. Kastrati dhe Qendër kanë gjithashtu lidhje të forta me jashtë kufijve, duke rezultuar me normë të ulët të papunësisë.
-Shumica e komunave në Qarkun e Mallakastrës e sigurojnë jetesën duke punuar në sektorin e bujqësisë (3%). Selita ka një ndër normat më të ulëta të papunësisë (3%), por është komuna më e varfër, me një normë varfërie prej 22%, ndërkohë që ka përqindjen më të madhe të të punësuarve në bujqësi (78.5).
-Komunat e Matit kanë normën më të lartë të papunësisë, ndërkohë që Gurrë, zona më e varfër, ka 70.9% të të punësuarve punojnë në sektorin e bujqësisë. Ulëza, një prej komunave me varfërinë më të vogël, ka pjesën më të madhe të të punësuarve në sektorin e industrisë (56.4%), të cilët janë të punësuar në hidrocentral.
-Komunat e Mirditës kanë një normë relativisht të lartë të papunësisë, mbi 24%, ndërkohë që norma e varfërisë mbetet e lartë, me vlerën më të lartë prej 23.8% në Fan. Rubiku, i njohur për burimet minerale, ka një normë papunësie prej 53.2%, megjithëse niveli i tyre i varfërisë është i ulët, rreth 15.7%.
-Peqini është një qark i bazuar kryesisht në bujqësi me një normë varfërie e cila luhatet nga 12.4% në 14.9% në 5 komunat e tij.
-Përmeti është një qark me normë të ulët papunësie, nga 6.7% në Carcovë në 11.6% në Frashër, megjithëse papunësia në pjesën më të madhe të komunave është dyshifrore. Puna e paguar apo vetëpunësimi është burimi kryesor i të ardhurave në këtë zonë.
-Pogradeci, një qark me potencial të lartë në turizëm, ka një normë të lartë të papunësisë, ku vlerën më të lartë e ka Cerrava, ndërsa më të ulëtën qyteti i Pogradecit, me 10%. Bujqësia është burimi kryesor i të ardhurave për pjesën më të madhe të komunave në Pogradec.
-Puka është një qark i varfër, me normë varfërie që luhatet nga 12.6% në qytetin e Pukës, në 23.7% në Komunën e Blerimit. Papunësia është dyshifrore në të gjitha komunat e saj, duke kapur vlerën më të lartë në Qelez me 59.1%. Sektori i shërbimeve dhe i bujqësisë janë burimet kryesore të të ardhurave në komunat e këtij qarku.
-Tepelena ka si burim kryesor punësimi bujqësinë. Qyteti i Tepelenës ka normën më të ulët të varfërisë, rreth 8.1%, ndërsa më të lartën e ka Komuna Krahës, 14.2%.
-Tropoja ka disa nga komunat më të varfra të të gjithë Shqipërisë, si Lekbibaj, komuna e pestë më e varfër në të gjithë vendin, me një normë varfërie prej 34%. Shërbimet janë burimi kryesor i sigurimit të jetesës në pjesën më të madhe të njësive të Qarkut të Tropojës.
Tirana, kryeqyteti i të gjithave
-Qyteti i Tiranës ka normën më të ulët të papunësisë, Kamza më të lartin
-Farka ka normën më të lartë të pabarazisë, Zall Bastari më të ulëtin
-Farka ka konsumin më të lartë për frymë, Kërraba më të ulëtin
-Megjithëse Tirana ka PBB-në më të lartë për frymë, konsumi nuk është ndër më të lartët. Farka renditet e 9-a, ndërsa qyteti i Tiranës i 13-i.
-Zhvillimi i pasurive të paluajtshme në periferinë e Tiranës, si në farkë, Dajt, Kashar, Prezë ka ndikuar pozitivisht në normën e varfërisë të këtyre njësive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.