Turizmi, flluska e radhës?!

23/10/2017 4:23 PM 0 komente

Kryeministri ka deklaruar se hotelet me 5 yje do të përjashtohen të paktën 10 vjet nga taksat.

Artikujt promovues që na krahasojnë me Spanjën dhe Kroacinë duket se e kanë zgjuar euforinë e qeverisë, e cila busullën e saj po e orienton tek resortet dhe komplekset turistike luksoze. Por ky diferencim në politikë fiskale nuk shihet si pozitiv nga Shoqata e Hotelerisë Shqiptare.

Orientimi drejt këtij modeli do të na çojë vërtet tek Spanja, por bëhet fjalë për modelin e saj të dështuar që komplekset i nxori në tregun imobiliar. Duke vrapuar pas vendeve me të cilat nuk mban dot hapin, Shqipëria ka harruar se konkurrenca e saj mbetet në rajon.

Ajo duhet të fokusohet tek mbajtja e pjesës më të suksesshme të saj, që për vitin 2017 ishte tërheqja e vëmendjes së Europës Qendrore, një treg që mund të sjellë qindra milionë euro.

 

I tërhequr nga shtimi i kërkesës, biznesi po orientohet dukshëm drejt investimeve në turizëm, teksa qeveria po miraton projekte të shumta për fshatra turistikë luksozë, kurse shteti të lë përshtypjen se sërish po ecën kuturu. A po rrezikojmë një tjetër flluskë?!

 

Nga Nertila Maho

 

Turizmi ka qenë kryefjalë e çdo fillim mandati në qeveri të ndryshme. Të paktën dy mazhorancat e dala nga zgjedhjet e 2013-s dhe të 2017-s premtuan masa konkrete për të stimuluar zhvillimin e një sektori që shihet si motor i rritjes ekonomike.

Në mandatin e parë ishte premtimi për të ulur TVSH-në, një kërkesë e vazhdueshme e biznesit duke nxjerrë në pah argumentin se rajoni, qëështë edhe konkurrenti ynë, po e shfrytëzonte më së miri këtë pikë. Por u deshën tëpaktën katër vjet që qeveria të vendoste se ulja e TVSH-së duhet të bëhej dhe pavarësisht synimit pozitiv për ndikimin në industri askush nuk e besoi se kjo lëvizje nuk ishte edhe elektorale në kushtet kur u bë vetëm fare pak kohë para zgjedhjeve.

Sot pas disa muajve në fuqi e një TVSH-je 6%, askush nuk di të thotë sa ka fituar nga kjo politikë dhe mbi të gjitha sesa qëndrueshmëri do të ketë kjo politikë. Kjo sepse Kryeministri në ditët e para të qeverisë, madje një ditë pasi prezantoi emrat, deklaroi se do të ketë një paketë të re në mbështetje të sektorit. Por paketa duket se ka sërish “të mëdhenjtë”.

Qeveria kërkon të nxisë turizmin elitar. Kryeministri tha se në gjithë vendin ka vetëm një strukturë që përmbush standardet e 5 yjeve dhe se afrimi i investitorëve potencialë që mund të rrisin numrin e kësaj kategorie strukturash është e nevojshme. Sipas kreut të qeverisë për “brand name”(zinxhirë hotelesh ndërkombëtarë me emër) do të shihet mundësia e përjashtimit nga taksat për një afat 10-vjeçar.

“Shqipëria ende dhe sot nuk ka struktura me 5 yje përveçse një strukture në Tiranë dhe në vijim për të nxitur ndërtimin e tyre mendohet lehtësimi nga taksat për të paktën 10 vite. “Kjo nuk do të thotë që ti more këto 5 yje dhe i ke aty, nuk t’i heq njeri, duhet që t’i mbash dhe të kujdesesh që shërbimi që ofron është ai me 5 yje”, do të shprehej mes të tjerash Rama.

Por nga ajo ditë deri më sot, ende nuk është qartësuar se çfarë do të ketë paketa e nxitjes së turizmit. Ministria e ristrukturuar që mbledh nën vete disa përgjegjësi të ish-Ministrisësë Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes si dhe ish-ministrinë e Mjedisit, nuk ka mundur të sigurojë një faqe zyrtare funksionale kurse Ministri i ri në angazhimet e tij të para ka pasur pastrimin ashtu si dhe disa ministra të tjerë tëkabinetit.

Një panoramë më e qartë pritet të jepet në javët në vijim, çka është paralajmëruar,por fokusimi tek VIP-at e sektorit duket se ndryshon disi kursin e mbajtur deri tani për një zhvillim të harmonizuar dhe të të gjithëve.

 

Topuzi: Pa logjikë të ketë diferencime politikash mes hoteleve

Aktorët e tregut duhet të trajtohen si të barabartë nga shteti. Politikat fiskale duhet të ruajnë balancat në mënyrë që secili të ketë mundësinë të mbijetojë apo përfitojë nga aktiviteti i tij. Për kryetarin e Shoqatës së Hotelerisë Shqiptare, Zak Topuzi, qeveria duhet të tregohet e kujdesshme me iniciativat që ndërmerr, pasi e njëjta politikë ka një impakt krejt të ndryshëm tek kategori të ndryshme të biznesit. “Nuk ka logjikë që të ketë diferencim mes hoteleve pasi vetë politika fiskale duhet të mos bëjë dallime.

Për shembull e gjithë Europa ka Tatim mbi Vlerën e Shtuar të ulur nga 5 deri 15%dhe përgjithësisht hotelet e shtrenjta nuk e vuajnë këtë lloj diference. Uljen e diferencës mëtepër e vuajnë hotelet e vogla që kanëçmime të ulëta. Këto hotele kanë zakonisht 36% shpenzime në fonde pagash pra një pjesë të mirëçka amortizohet disi nga ulja e TVSH-së.

Por duke marrë parasysh ndikimet që ka kjo industri në punësim, si dhe kontributin në ekonomi, bota vazhdon të gjejë mënyra nga më të ndryshmet për ta stimuluar. Kjo nuk bëhet vetëm përmes masës së thjeshtë të uljes së TVSH-së. Në vendet e Ballkanit gjejmë subvencionimin prej 10-15 euro për çdo turist. Italia,nga ana tjetër, për çdo autobus i kthen të paktën 500 euro agjencisë, kjo kryesisht në Romë”, shprehet Topuzi.

Sipas tij nëse një sektor si turizmi e mbështet siç duhet, ai mund të jetë kontributori kryesor i ekonomisë dhe rasti më i mirëështë Anglia, e cila në raportin e fundit deklaroi se turizmi kishte kaluar 2.5 herë në të ardhura industrinë e makinave. Të ardhurat gjenerohen jo vetëm në mënyrë direkte, por edhe nga aktivizimi zinxhir i bizneseve në mënyrë indirekte.

“Për çdo turist futen në punë 1-7 vetë dhe vetëm kjo sjell interes. Kryesisht aktivizon bizneset e vogla që i heq nga skema e subvencioneve të shtetit. Do të ishte gabim që të bëhej diferencimi pasi duhen menduar dhe pasojat.

Ne kemi rastin e Golemit, i cili këtë vit nisi vitalizmin e tij dhe industria e kësaj zone është mobilizuar duke mbledhur 10 hotele bashkë me kontrata 140 ditë. Kjo është diçka që duhet mbështetur dhe jo të konkurrohet, duke zënë plazhe të reja me apartamente dhe vila që jo vetëm nuk janë në funksion të turizmit, por edhe e dëmtojnë atë”, tha Topuzi.

 

Lehtësimi nis nga taksa e infrastrukturës

Qeveria ka vendosur të marrë menjëherë masat për tëçuar në vend premtimin e saj. Në ligjin “Për taksat vendore” janë bërë disa ndryshime ku përveç modifikimit të taksës së pronës propozohet edhe një përjashtim nga taksa e infrastrukturës.

Sipas variantit që po diskutohet në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, mësohet se kjo taksë do të bëhet zero për hotelet me 5 yje “brand name” (hotele të mëdhenj të zinxhirëve të njohur ndërkombëtarë).

Aktualisht taksa e ndikimit në infrastrukturë që aplikohet për ndërtime që nuk kanë qëllim banimi, por turizmi, dhe një seri orientimesh të tjera, në Bashkinë e Tiranës është sa 4% e vlerës së investimit. Pra nëse një kompani do të investojë në një resort me vlerë 100 milionë euro nga këto 4 milionë euro janë taksë e ndikimit në infrastrukturë që i paguhet bashkisë. Për pjesën tjetër të vendit, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet në turizëm luhatet mes 1-3% të vlerës së investimit.

 

Avantazhet dhe rreziqet e “brand name”, rasti i Malit të Zi

Qeveria ka deklaruar se mbështetja dhe lehtësimi nga taksat do të jetë për “brand name”. Pra për emra të njohur ndërkombëtarë që vendosin të investojnë në Shqipëri. Kjo nismë mbart me vete avantazhet dhe dizavantazhet e saj që janë të reflektuara në raste të ndryshme, më i afërti Mali i Zi. Ajo që sjell një emër i njohur është një investim gjigant, pra që kap qindra milionë euro, imponon standard dhe një kulturë shërbimi të një niveli krejt të ri që stimulon përmirësimin e konkurrencës.

Hotelet, edhe pse mund të mos ta konkurrojnë dot, pasi janë dy kategori krejt të ndryshme, mundohen vazhdimit të përmirësohen. Por koha ka treguar që për të ruajtur standardin, këta emra të njohur mundohen që rekrutimet e stafit t’i bëjnë në qendrat e tyre që zakonisht nuk janë nëlokalitetin ku ushtrojnë aktivitetin, sepse jo përherë gjendet forca e punës që ka kualifikimet e duhura.

E dyta, fitimet e kompanisë nuk riinvestohen në zonën ku ushtrohet aktiviteti, por dalin jashtë vendit në shumicën e rasteve. Zakonisht në rastet e ofrimit të politikave lehtësuese fiskale, për investime që quhen strategjike, vendet tregohen të kujdesshme duke vendosur klauzola me kushte të punësimit të stafit lokal apo politikave sociale të kompanive.

 

Kostoja e dy këndvështrimeve të ndryshme

Golemi përjetoi për herë të parë këtë vit disa nga zhvillimet më pozitive në sektor. Falë bashkëpunimit me agjenci të huaja çekët dhe polakët vizituan disa nga hotelet me numër akomodimi më të lartë që, përveçse ju siguroi të ardhura, për herë të parë disa prej tyre i angazhoi drejt paketave all inclusive.

Për të mos e stërmunduar një biznes që ende nuk përfiton nga ekonomia e shkallës dhe nga një zinxhir i mirorganizuar nga prodhuesi tek konsumatori, paketa që rekomandohet, por edhe që po shihet nga hotelet është ajo “Half Board”. Kjo mundëson përballim më të mirë tëflukseve. Fakti që kemi një rritje të kërkesës por edhe rezervimeve në avancë, ka angazhuar bizneset në ndërtime të reja. FAFA Group, aktualisht është duke dyfishuar kapacitetet e saj, me një angazhim të plotë në ndërtimin e strukturave të reja.

“Për momentin kemi rezervime për vitin 2018 nga polakët, çekët, sllovakët dhe ukrainasit. Kemi plotësuar pjesën më të madhe të strukturave që kemi gati, ndërkohë që për pjesën në ndërtim kemi qenë më të rezervuar në numër, pasi nuk dimë sesi do të kenë ecur punimet deri në sezonin e ri. Por është e sigurt që një pjesë të strukturave të reja do ta kemi gati”, – shprehet Arioli, përfaqësues i FAFA Group.

Aktualisht grupi ka 400 shtretër të disponueshëm nga strukturat ekzistuese,ndërkohë që do të shtohen edhe 400-500 të tjera tek ndërtimet e reja. Por përveç hotelerisë, është menduar që një pjesë e ndërtimit të shkojnë për shitje si apartamente nga të interesuarit.

E ndërsa ka një angazhim për të tërhequr turistët nga Europa Qendrore duket se biznesi kërkon që qeveria të shohë në të njëjtin drejtim me të sa i përket problemeve emergjente që duhen zgjidhur. Infrastruktura cilësohet si problemi i parë që duhet të shihet përmes investimeve dhe kjo në afat tëshkurtër, ndërkohë që problem mbetet pjesa e mungesës së programeve të asistencës për trajnimin e stafeve.

Arioli shprehet se ofrimi i asistencës për trajnimin e stafit, unifikimi i këtyre praktikave si dhe kategorizimi i strukturave do të kishte efektet e saj pozitive që do të garantonin sukses afatgjatë duke kthyer sa më pak vizitorë të zhgënjyer drejt vendeve të tyre pas përvojës së kaluar në Shqipëri. Kjo do të thotë që për momentin të garantohet mbajtja e trendit rritës të vizitorëve në zonën e Durrësit, duke dhënë mbështetjen e nevojshme që shuan kontrastin “e frikshëm” hotel dhe jashtë mureve të hotelit.

 

“Ëndrrat” me resorte dhe fshatra turistike, histori e gjatë por ende pa rezultat

Shqipëria ka miratuar në 24 vitet e fundit(1993-2017) leje për të paktën 44 fshatra turistikë. Në fakt, pjesa më e madhe e lejeve është dhënë për zonën e Golemit, Ksamilit dhe Gjirit të Lalëzit, duke nënkuptuar ndërtime në zona turistike por me funksion banimi.

Vetëm pas viteve 2010 do të niste një tendencë për fshatra turistikë, që synonin ndërtimin e strukturave akomoduese për të pritur vizitorë. Pavarësisht disa projekteve të kaluara në letër dhe të konkretizuar tashmë, të dhënat nga tregu reflektojnë se planet kanë ndryshuar.

Një pjesë e mirë e këtyre vilave janë shitur si shtëpi të dyta duke e humbur qëllimin e tyre fillestar në nxitje të turizmit elitar. Thënë shkurt, Shqipëria është ende i vetmi vend mes fqinjëve konkurrentë që nuk ka të përmbyllur në gjithë këto vite një resort të vetëm apo fshat turistik që përmbush parametrat dhe standardet e nevojshme për të mbajtur këtë emërtim. E ndërsa turizmi masiv duket se nisi të marrë rrugë, në zonën e Golemit kryesisht, dhe jo për meritë të politikave të qeverisë, busulla po shkon sërish tek resortet.

Për kryetarin e Shoqatës së Hotelerisë Shqiptare, Zak Topuzi qeveria është duke bërë gabimin që dikur kanë bërë vende të tjera si Spanja, duke dhënë autorizime për resorte e fshatra turistikë që në fund përfundojnë në tregun imobilar.

“Kjo është politika më e gabuar që mund të ndiqet dhe pasojat e saj i kanë përjetuar vende të tjera që i kanë aplikuar siçështë Spanja. Në këtë vend nisi ndërtimi i apartamenteve dhe vilave masive, por që në fund përfunduan në tregun imobilar. Kjo nuk jep përfitim në turizëm. Spanja dhe vendet e tjera të Mesdheut e kuptuan gabimin dhe ndryshuan politikat fiskale për t’i rikthyer këto zona në zona turistike. Të gjitha ato ish-apartamente u grumbulluan dhe menaxhohen si hotele”, pohon Topuzi.

Por ka edhe nga ata që mendojnë se Shqipëria mund t’ia dalë shumë mirë me të dyja, pra edhe turizmi masiv edhe ai elitar i përqendruar në resorte. Për pedagogen Klodiana Gorica, e cila është e angazhuar në Departamentin e Marketingut dhe Turizmit në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, janë kushtet aktuale qëpërcaktojnë orientimin.

“Zona e Shëngjinit dhe e Durrësit mund të përdoren për turizëm masiv dhe janë të destinuara për një treg me të ardhura relativisht të mesme dhe të ulëta. Në këto zona nuk mund të aplikohen modele të ndryshme nga ky, sepse është shumë e vështirë për t’i ndryshuar si struktura dhe për t’ia përshtatur nevojave të një turizmi me të ardhura të larta, mungojnëhapësirat fizike, shërbimet që mund t’u ofrohen turistëve janë të kufizuara.

Ndërsa përsa i përket Rivierës nga Vlora në Sarandë, mund dhe duhet të synohet targetimi i një kategorie të caktuar turistësh, ata me të ardhura të larta. Kjo sepse Jugu është ende i pandërtuar dhe në këto kushte ka mundësi që aktorët e këtij procesi (tur-operatorët, strukturat akomoduese, partneritetipublik-privat), mund të hartojnë plane për thithjen e kësaj kategorie që do jenë më të pakët në numër, por do të shpenzojnë më shumë.

 

Shqipëria, në drejtim të kundërt me rajonin. A e njohim konkurrentin?

Viti 2017 pati një listë të gjatë artikujsh për turizmin në Shqipëri. Shumë prej tyre na krahasonin me vende si Spanja apo Kroacia, por ajo që ra në sy ishte fakti që vlerësimi mbetej vetëm tek asetet natyrore e këtu nuk kemi shumë kontribut ne si shqiptarë apo qeveritë tona kohë pas kohe. Është thjesht çështje fati.

Por promovimi i tillë, padyshim pozitiv ka ngjallur kureshtjen e shumë të huajve për të na vizituar, por ngjalli edhe euforinë e politikës. Vetë kryeministri u kujdes që në rrjetet sociale të ndante artikujt promovues ku cilësoheshim një Spanjë apo Kroaci e pazbuluar dhe shumë më e lirë, por çështja që shtrohet është: A jemi një Spanjë apo Kroaci në shërbime dhe standarde? Për tur-operatorët në vend, Shqipëria po ecën në drejtim të kundërt me rajonin, i cili është në fakt konkurrenti ynë real për kushtet ku ndodhemi.

Investimi në resorte duhet të ecë në të njëjtën kohë me investime të tjera paralele që kërkon ky standard. “Nejemi nëdrejtim të kundërt me rajonin. Mali i Zi dhe Kroacia janë kampionë në sektor dhe tani po ndërtojnë resorte dhe hotele nga më luksozet duke grumbulluar target grupin e atyre që paguajnë për rërën dhe detin në periudhën 90 ditë. Por këtë po e bën Kroacia ku kontributi nga turizmi ka shkuar sa 24% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shqipëria nuk lejon shumë hotele e resorte. Sipas një strategjie të hershme dhe të pazbatuar, vendi ynë mund të lejojë 150 hotele deri në 200 shtretër dhe 5-6 resorte për të thithur këtë lloj klientele që paguan dhe kërkon shërbime”, – shprehet Zak Topuzi.

Pra në një rajon me konkurrencë agresive për të thithur pjesën elitare, ndërtimi pa kriter i fshatrave turistikë, resorteve mund të kthehet në bumerang ku një pjesë e tyre mund të rezultojnë me një plan biznesi tërrënuar. Për aq kohë sa në krye të titujve dhe promovimit do të kemi fjalën “e lirë”, ajo që do të ketë më shumë prurje do të jetë turizmi masiv. Për standardin tonë konkurrenti është fillimisht rajoni, kurse ambicia që shtyn përpara mund të jetë edhe Spanja apo Italia, por kjo do kohë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of