Flet Blerina Ago, eksperte e turizmit
Natyra shqiptare ka bukuri të pafundme për t’u eksploruar, nga Veriu në Jug. Adrenalina e vendeve të tilla ka tërhequr vëmendjen e turistëve viteve të fundit. Por, pandemia pati një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë sektor.
Blerina Ago, eksperte në fushën e turizmit, thotë se periudha e pas-pandemisë mendohet se do t’i japë hov zhvillimit të turizmit të aventurës. Sipas saj, do jenë aktivitetet e tilla që do kërkohen më tepër. Ajo shton, se sektori në Shqipëri ka ende rrugë për të bërë për përmirësim, i cili përfshin trajnimin e burimeve njerëzore, dixhitalizimin, si dhe mbështetjen e të rinjve në rrugën për të pasur një biznes në fushën e turizmit.
Sa vëmendje ka turizmi i aventurës momentalisht? Sa kërkohet?
Një nga pasojat e pandemisë në industrinë e turizmit është kthimi i vëmendjes së operatorëve turistikë dhe udhëtarëve drejt turizmit të gjelbër, përvojave të lidhura me natyrën. Për këtë arsye, turizmi i aventurës është lloji i turizmit, i cili po kthehet më shpejt me hapjen graduale të lëvizshmërisë.
Gjatë pjesëmarrjes virtuale në këta muaj në panaire dhe evente të ndryshme ndërkombëtare si ITB Berlin, Adventure Elevate Europe, New Deal Europe dhe World Tourism Forum Lucerne kuptohej dukshëm kërkesa e aktorëve të turizmit për të lidhur kulturën dhe natyrën e një vendi, nëpërmjet aktiviteteve fizike në ajër, ujë e tokë, me fjalë të tjera, të turizmit aventurë, eko-turizmit apo turizmit rural.
Në Shqipëri, pandemia përveçse krizës së madhe të sektorëve të ndryshëm, përfshirë turizmin solli dhe një kulturë pozitive. Shqiptarët u larguan nga tendenca e kërkimit të destinacioneve të cilat në thelb kishin kulinarinë (të ngrënies së drekave dhe darkave) dhe pushimit pasiv. Kemi vënë re që iu janë drejtuar më shumë maleve, zonave rurale të paeksploruara dhe aktiviteteve ne natyrë. Më në fund, ne po zbulojmë bukuritë e panumërta të Shqipërisë!
Cili është ndikimi i pandemisë?
Ende nuk mund të flasim me shifra të sakta se sa i thellë dhe afatgjatë do të jetë ndikimi i pandemisë në fushën e turizmit. Sigurisht që, si një nga sektorët më të goditur të ekonomisë, i cili në mënyrë indirekte punësonte 219.000 persona (2017), turizmi është duke vuajtur mungesën e të ardhurave dhe shitjeve, e cila ka sjellë një sërë problemesh si papunësi apo keqpunësim, mungesë likuiditeti për operatorët turistikë, mungesë stafi të kualifikuar (duke qenë se pjesa më e madhe në mungesë punësimi në sektor, kërkuan dhe janë të angazhuar në sektorë të tjerë), mungesë e tregjeve turistike, frenim i zhvillimit të ofertës turistike apo të investimeve në turizëm, mungesë e edukimi të vazhdueshëm të burimeve njerëzore etj.
Sa është kostoja mesatare e aktiviteteve që përfshihen te turizmi i aventurës në përgjithësi?
Siç mund të dëshmojë çdo operator turistik, dalja me një koncept fantastik të produktit turistik është sfidë, por kjo është shpesh pjesa e lehtë e hartimit të itinerareve të aventurave. Shumë më sfiduese është vendosja e çmimit të duhur dhe krijimi i këtij itinerari me fitim.
Ka një sërë kostosh që duhen llogaritur dhe kjo varet thellësisht nga lloji i pushimeve që një operator turistik ofron. Në bazë të të dhënave të Adventure Travel Trade Association (ATTA), Europa është tregu kryesor i burimit për kompanitë e turizmit aventurë, ndjekur nga Afrika (43%) dhe Azia (30%). Brenda vetë Europës, 60% e turistëve europianë janë angazhuar në udhëtime aventurë.
Turizmi aventurë kontribuon shumë në ekonomitë lokale: afërsisht dy të tretat e parave të shpenzuara për udhëtime në aventurë qëndrojnë në vend. Kjo është mesatarisht 350 euro në ditë për vizitor. Sigurisht që në vendet në zhvillim si Shqipëria, kjo shifër është shumë më e ulët dhe shkon në 100-170 euro në ditë përfshirë transportin, akomodimin, vaktet, udhërrëfyesin turistik të certifikuar, siguracionin, pajisjet për aktivitetet në natyrë etj.
Udhëtarët, janë shqiptarë apo të huaj? Çfarë karakteristikash kanë në lidhje me moshën e statusin?
Referuar shifrave të INSTAT, para COVID-19, vihet re se në vitin 2017, numri i vizitorëve që hynë në Shqipëri në rrugë detare ishte 42,6% më i lartë se një vit më parë, ndërsa numri i vizitorëve që hynë në rrugë ajrore 26,5% më i lartë se një vit më parë. Përtej përpjekjeve për të eksploruar tregje të reja edhe përtej kontinentit, Shqipëria mbetet shumë e varur nga vizitorët europianë. Gjatë vitit 2018, 90% e turistëve që vizituan Shqipërinë ishin nga Europa, me rritje prej 13,8% krahasuar me një vit më parë.
Gjatë pandemisë, turizmi shqiptar mbijetoi nga turistët vendas dhe shqiptarët nga diaspora ku kryesojnë pushuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut. Gjithashtu ka pasur një trend në rritje të turistëve nga rajoni i Ballkanit si p.sh., Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania etj., ku shumica, për shkak të kufizimit të lëvizshmërisë, i kanë hedhur sytë drejt një vendi mesdhetar si Shqipëria.
Sipas ATA-s, rreth 37% e turistëve të aventurës kanë diplomë universitare, 11% studim pasuniversitar dhe e ardhura mesatare e turistit të aventurës është 4.800.000 lekë në vit.
Sa mundësi ka Shqipëria që të jetë një destinacion për turizëm outdoor edhe për turistët jashtë?
Mundësitë që Shqipëria të jetë një destinacion europian i turizmit të aventurës janë të jashtëzakonshme. Ne jemi të bekuar nga një natyrë e thyer, kulturë e lashtë dhe autentike dhe njerëz të dashur e mikpritës, të cilët përditë e më shumë po e shohin turizmin si një sektor, i cili mund të sjellë të ardhura ekonomike për familjen e tyre.
Por nuk mjaftojnë vetëm mundësitë. Duhen politika të qarta zhvillimi për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik aventurë. Është shumë e rëndësishme të nxiten biznese të reja dhe të rritet konkurrueshmëria e operatorëve turistikë. Duhet të zhvillohen programe edukimi dhe kualifikimi, të cilët të formojnë burimet njerëzore të turizmit sipas kërkesave të reja të tregut post-COVID-19 dhe standardeve ndërkombëtare.
Është e nevojshme të zhvillohen procedura dhe infrastruktura përkatëse në përgjigje të ndihmës së shpejtë dhe emergjencave. Gjithashtu duhet një vlerësim më i madh në mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit, duke nxitur investime sa më ekologjike në turizëm. Zemra e këtyre politikave duhet të jetë zhvillimi i qëndrueshëm për një jetë më të shëndetshme dhe cilësore për komunitetet lokale.
Çfarë vështirësish ka sektori dhe si mund të përmirësohen?
Megjithëse Shqipëria ka zbatuar një sërë reformash të rëndësishme, mjedisi i biznesit vazhdon të paraqesë pengesa të konsiderueshme strukturore për forcimin e konkurrencës dhe nxitjen e rritjes. Shtyllat e ekosistemit sipërmarrës të turizmit duhen mbështetur si më poshtë
Politika: mbështetja e qeverisjes lokale dhe qendrore (p.sh. rishikim i taksave dhe tarifave, shtyrje e detyrimeve ndaj shtetit për shkak të krizës); legjislacion miqësor për sipërmarrjet (sa me pak burokraci dhe nxitje të konkurrencës);
Financa: Ndërmjetësimi me subjektet financiare; hua; grante, burimet financiare të përshtatura për sektorin, ku t’i jepet rëndësi krijimit të bizneseve të reja;
Kultura: inovacion dhe kreativitet. Dixhitalizimi po bëhet jetik në zhvillimin e shumë sektorëve të jetës sonë. Zgjidhjet dixhitale në turizëm duhet të jenë prioritet gjithashtu;
Mbështetje për institucione joqeveritare si shoqatat e biznesit, qendrat e zhvillimit të biznesit të turizmit.
Kapitali njerëzor: Investim në zhvillime të përgjithshme profesionale dhe akademike; rritjen e kapaciteteve të institucioneve arsimore me fokus turizmin, nxitjen e konkurrueshmerisë në trajnime sektoriale specifike si p.sh. udhërrëfyes turistikë, ekspertë të marketingut dixhital; menaxhim turizmi etj.
Tregjet: duhet investuar në kanalet e reja të shpërndarjes, pas identifikimit të tyre; në krijimin e rrjeteve lokale të biznesit të turizmit në nivel rajonal e europian; rrjetet e diasporës etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.