Fluturimet me deltapalan apo paragliding janë aktivitete sportive që kohëve të fundit janë përhapur edhe më shumë, si pjesë e ofertës turistike të vendit. Shpesh, në aktivitete të dedikuara në zona të ndryshme të vendit, këto fluturime janë kthyer në një trend në rritje.
Një urdhër i miratuar së fundmi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon vënien nën kontroll të këtij aktiviteti, për të rritur sigurinë e personave që i përdorin, por edhe atyre që duan të provojnë këtë eksperiencë. Referuar urdhrit të nënshkruar nga ministrja Belinda Balluku, së pari kërkohet që të bëhet certifikim i gjithë deltaplaneve apo paragliding që përdoren. Kur ato janë të ndërtuara brenda vendit duhet që të plotësojnë një seri kushtesh dhe gjithashtu të certifikohen. Urdhri saktëson se fluturimet nuk mund të bëhen kuturu dhe pa marrë miratimet paraprake nga institucionet.
“Të gjithë operatorët e interesuar për kryerjen e fluturimeve me praglajde ose deltaplan duhet të paraqesin një kërkesë pranë Komitetit të Politikave të Hapësirës Ajrore (KPMHA) për t’u klasifikuar si “subjekte të miratuar”. Vetëm pas marrjes së këtij miratimi, subjekteve në fjalë ju lind e drejta të negociojnë me AMC-në, me qëllim rezervimin e zonave të përhershme apo të përkohshme të hapësirës për zhvillimin e aktiviteteve të tyre” thuhet në urdhrin e MIE.
Sërish në kuadër të sigurisë përcaktohet lartësia mbi të cilën duhet të fluturojnë deltapalnet dhe paraglajdet. Kështu këto të fundit duhet të fluturojnë mbi lartësinë minimale të sigurisë, 150 metra. Lartësia minimale e sigurisë është lartësi që siguron se në rast emergjence nuk do të ketë kërcënim të panevojshëm ndaj personave apo objekteve në tokë apo mbi ujë. Me deltaplanët apo paraglajdët mund të fluturohet nën lartësinë e 150 metrave mbi tokë apo ujë, nëse është e nevojshme për shkak të llojit të fluturimit, me kusht që ai nuk paraqet rrezik ndaj njerëzve dhe objekteve në tokë apo mbi ujë.
Në rastet e fluturimeve dyshe, personi i dytë duhet që të ketë nënshkruar një dokument ku vërtetohet se ai është informuar mbi çdo detaj të fluturimit dhe risqeve që paraqet ai. Personi nuk duhet të jetë nën efektin e alkoolit.
Autoriteti i Aviacionit Civil gjithashtu në raste të veçanta duhet të miratojë autorizime për fluturime të rregullta në zona të caktuara kur ato zhvillohen më shumë se 5 herë në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.