Turizmi (jo) i lirë

13/12/2013 8:50 AM 0 komente

Statistikat tregojnë se turizmi në Shqipëri ka kaluar ditë edhe më të mira. Situata politike dhe paqëndrueshmëria ekonomike ndikuan jo pak në ecurinë e të ardhurave që gjenerohen nga kjo industri. Ekspertët mendojnë se është koha që të bëhen vlerësime të drejta për turizmin dhe të punohet për zhvillimin e qëndrueshëm të tij. Vazhdimi me “eksperimentimin”, sipas tyre, do të kushtonte shtrenjtë.

 

Nga Elona Bedalli

Pjesa më e madhe e vitit u mbyll me një bilanc neto negativ për të ardhurat nga turizmi. Industria, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjeneroi 41 milionë euro më pak, shifra e parë me minus që nga viti 2004, kur raportohen të dhënat. Periudha e artë e “turizmit” sa u përket të ardhurave ishte në vitet 2007-2009 (ku u arrit edhe pika më e lartë me 1.3 miliardë euro), por ka gjasa që këto shifra do të vonojnë për t’u përsëritur, kjo të paktën sipas ekspertëve. Një tjetër fenomen që u vu re gjatë tremujorit të tretë të 2013-s ka të bëjë me faktin se paratë që shpenzuan shqiptarët jashtë për turizëm, rezultuan më të larta sesa ato që sollën të huajt në Shqipëri. Më e dukshme kjo, veçanërisht në stinën e verës, kur ishte kulmi i sezonit turistik në vend. Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë, të ardhurat nga udhëtimet (paratë që të huajt shpenzojnë në Shqipëri) ranë 18%, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke zbritur në 362 milionë euro. Ndërsa shpenzimet e shqiptarëve jashtë, ndonëse në një vit krize ekonomike, u rritën me 3% në 336 milionë euro. Po sipas të njëjtit burim për periudhën janar-shtator, të ardhurat nga udhëtimet ranë me 13% (116 milionë euro) me bazë vjetore, duke arritur në 760 milionë euro, ndërsa shpenzimet e shqiptarëve jashtë u rritën me 7% (54 milionë euro) për të njëjtën periudhë kohore.

E ndërsa shifrat tregojnë se ku gjendet industria, qeveria po artikulon se po punohet për të përfunduar kornizën e re ligjore, për hartimin e masterplanit të territorit dhe për strategjinë 2014-2020. Këto dokumente, sipas drejtuesve të institucioneve të turizmit, do të shërbejnë si themelet e një industrie të qëndrueshme, për të cilën është folur pa fund këto vitet e fundit.

Por, ekspertët, ata që kanë punuar jo pak në këtë lëmë duket se janë skeptikë. Sipas tyre, turizmi duhet të gjejë një herë “veten” dhe pastaj të mendojë se ku do të shkojë.

Për ekspertin e turizmit, pranë programit gjerman GIZ, Luan Dervishej, shifrat e raportuara nuk japin një panoramë të qartë duke qenë se në Shqipëri ka probleme me atë që quhet turist, pasi në këtë përkufizim futen edhe shqiptarët që jetojnë jashtë dhe kthehen në vend për arsye të ndryshme. “Dalja e shqiptarëve në shtete fqinje si Maqedonia apo edhe Mali i Zi, përbëjnë fluksin më të madh që mund të numërohet në disa mijëra, por jo në qindra mijë, nuk mund të përbëjë më shumë se një e katërta e popullsisë. Ndërkohë që kemi (pavarësisht diskutimit se për çfarë lloj turizmi vijnë) disa milionë turistë hyrje. Pra, shqiptarët duhet të harxhojnë 4-5-fishin e atyre që hyjnë në Shqipëri që shifrat e raportuara të ndjekin logjikën. Mendoj se shifrat mes shpenzimeve për turizëm brenda dhe jashtë vendit përfshijnë edhe të atyre shqiptarëve që mund të mos jenë rezidentë. Natyrisht për këtë duhet parë metodologjia për të kuptuar nëse këtu futen edhe shpenzimet joturistike. Duhet thënë se potenciali dalës i shqiptarëve për turizëm me ata që vijnë ka një proporcion disafish. Megjithatë këto nuk janë parametra tërësisht të saktë për të diskutuar mbi ecurinë e turizmit (shpenzimet/të ardhura) më tepër sesa sesi është dinamika e të ardhurave”, thotë z. Dervishej. Sipas tij, tendenca tregon se ka një rënie të lehtë të të ardhurave sa i takon frekuentimit të hoteleve dhe restoranteve, që në fakt janë pjesa formale e industrisë turistike.

Por, nëse do të shohim pjesën e pasme të panoramës, thotë z. Dervishej, pra se cilët janë konsumatorët e tyre, atëherë kuptojmë se shpenzimet e tregut “panshqiptar” (vendas, emigrantët, etj.) dominohen nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Me përkeqësimin e situatës ekonomike gjatë muajve të fundit ka rënë edhe fuqia shpenzuese qoftë e shqiptarëve apo edhe emigrantëve. “Kjo ndikon në radhë të parë te konsumi në restorante. Te hotelet kemi shumë pak të tilla ku dominojnë pjesa e tregut të huaj të mirëfilltë. Pra, në pjesën formale nuk kemi zhvillime. Numrat ndoshta janë rritur, por ato shkojnë kryesisht te pjesa e tregut që mund ta konsiderojmë informal, që nuk identifikohen. Një element tjetër ka të bëjë edhe me rritjen e net-qëndrimeve që ndikon në shpenzimet e tregut turistik. Në dy-tre vitet e fundit kemi pasur rritje të numrit të turistëve, por ulje të ndikimit në ekonomi të pjesës formale, atëherë na lind nevoja për të pasur një sistem informimi më të saktë, për të kuptuar se çfarë po ndodh në turizëm dhe për të marrë masa”, thotë z. Dervishej.

Eksperti i turizmit thotë se tashmë një gjë duhet të jetë e qartë: nuk mund të mburremi më me numrin e turistëve dhe të mjaftohemi me hyrjet në kufi, por duhet të kuptohet përbërja e tregut dhe si duhet të ndikojmë në të. “Turizmi, duke pasur segmente komplekse, ka nevojë që për secilin të ketë objektivë të qartë rritjeje ose për ruajtjen e numrave. Këtu lind nevoja e hartimit të politikave dhe masave shumë të mirëmenduara. Nuk mund të mendohet më në mënyrë përgjithësuese për rritjen apo për përmirësimin e infrastrukturës, për faktin se turizmi zhvillohet vetë dhe se nuk ka nevojë për shumë fokus, specializime, ndjekje të detajuara për probleme etj. Të gjitha çështjet e makroekonomisë nuk mund të zgjidhen me një praktikë pune rutinë apo joprofesionale, duhet fokus, shfrytëzim ekspertize dhe masa specifike”, thotë z. Dervishej. Ai thotë se zgjidhjet nuk mund të ndjekin më linjën tradicionale.

E si rrjedhim mund të “rrezikohet” edhe me vonesën në hartimin e kuadrit të ri ligjor, për të marrë gjithë kohën e mundshme dhe për të mos përsëritur më gabimet.

Sipas tij, në radhë të parë duhet të ngrihen kapacitetet teknike të strukturave përgjegjëse, duke filluar nga “koka” që është Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe të vazhdohet me alokimin e mjaftueshëm të fondeve. Disa zëra në buxhetet e ministrisë gjatë viteve të fundit kanë qenë më shumë se modest. Kanë munguar fondet për kërkime apo projekte të infrastrukturës specifike të turizmit. Pra, pa një strukturë të duhur, e cila të përcaktojë qartë planin e punës dhe të hartojë objektivat, nuk mund të flitet për miratime ligjesh apo hartime strategjie që nuk duhet më të ekzistojnë vetëm “se duhet t’i kemi”, por sepse do të garantojnë krijimin e një “fytyre” të qartë dhe zbatimin e duhur në përputhje edhe me territorin e vendit.

Burimet njerëzore, “thembra e Akilit”

Një nga elementët kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit që nënvizohet nga ekspertët janë edhe burimet njerëzore, sipas tyre duhet të bashkëpunohet me agjenci të ndryshme, me nivele të ndryshme të edukimit, me aktorë të industrisë për të hartuar një kornizë të profesioneve dhe aftësive që kërkohen në turizëm.

Nëse do të analizojmë historinë e industrisë shqiptare të turizmit do të shohim se kemi shumë pak traditë, duke marrë parasysh historinë 40-vjeçare të një regjimi që luftonte konceptin e një shoqërie konsumi, ku ofrimi i shërbimeve të çlodhjes dhe argëtimit konsideroheshin të huaja dhe mikroborgjeze, ku arti i kulinarisë nuk u zhvillua nga varfëria, ku në sferën e shërbimeve ekzistonin vetëm restorantet popullore dhe ku ndërtimi i hoteleve në qytetet kryesore u bë vetëm në vitet ‘70, atëherë kur nevoja për valutën e huaj u pa e domosdoshme. Kjo shpjegon edhe interesin e pakët të opinionit publik mbi turizmin. Sipas ekspertëve, edhe pse diçka ka lëvizur dekadën e fundit, ajo ngelet në kuadrin e propagandës politike gjatë muajve të sezonit turistik. Mungon sensibilizimi që i tregon opinionit publik vendas rëndësinë që ka turizmi në zhvillimin ekonomik, në nxitjen e sjelljes

së kulturuar dhe shërbimit në nivelin e duhur apo në indiferencën që vihet re shpesh në sektorin e shërbimeve. Sipas tyre, më shumë se për një ndërgjegjësim të plotë mbi potencialet e turizmit në vendin tonë, ka konfuzion, paqartësi, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Kjo për faktin se askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë drejtimi do të marrë turizmi, kush do t’i përcaktojë këto drejtime, si dhe kur do të zbatohen. “Shpëtimi” nuk duhet të vijë nga thjesht fjala “masterplan”. Ekspertët thonë se problemet në turizëm nuk zgjidhen as nga një masterplan që nuk zbatohet ndonjëherë, as nga ndonjë funksionar ministrie që dëgjon për herë të parë për turizmin atëherë kur e caktojnë në një detyrë të tillë. Zgjidhja e vetme, thonë ata, vjen nëpërmjet edukimit në nivele bashkëkohore. Turisti i sotëm modern, nuk pyet më se ku do të shkojë për pushime, por çfarë do të bëjë atje ku do të shkojë. Prandaj, për të kapur ritmin e kohës, duhet të fillohet të mendohet për përgatitjen e brezit të ri të menaxherëve të ardhshëm të turizmit.

Ekziston një boshllëk shumë i madh ndërmjet kërkesës për menaxherë të tillë dhe strukturës arsimore të profilit të turizmit. Tashmë, thonë ata, ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për burimet njerëzore dhe kulturën e shërbimit para se mikpritja tradicionale shqiptare të komercializohet e të transformohet në kulturën e moskujdesit, shërbimit të dobët, apo zhvatjes së klientit, duke përballur pasojat e pariparueshme të moskthimit dhe rrjedhjes së numrit të turistëve.

Profili i një turizmi modest

Studimet e ndërmarra së fundmi nga ekspertë të ndryshëm arrijnë të krijojnë një profil të turizmit të deritanishëm, një identikit të turistëve që e vizitojnë, por edhe i asaj që duhet të bëhet për ta zhvilluar në të gjithë zinxhirin. Sipas të dhënave mbi natyrën e vizitorëve, tre janë blloqet kryesore të tregut: ndërkombëtarët, etnikët nga rajoni, si dhe emigrantët dhe që janë të rëndësishëm edhe për të ardhmen. Natyrisht, tregu i Kosovës dhe emigrantët zënë pjesën kryesore, veçanërisht gjatë sezonit të verës dhe janë drejt maturimit. Ndërkohë, tregu i vizitorëve ndërkombëtarë është në faza eksploruese, kryesisht për kulturën dhe ka potencial më të madh për rritjen në numër, në vitet në vazhdim. Padyshim produkti kryesor i turizmit shqiptar mbetet ai i detit dhe i rërës, i ndjekur nga kultura dhe turizmi i natyrës (që është në fillesa). Nga ana tjetër, vihet re shtrirje në rritje e vizitorëve ndërkombëtarë nga pranvera në vjeshtë. Qëllimi, thonë ekspertët, është që krahas ruajtjes së shifrave për turistët tradicionalë të punohet më shumë për tërheqjen e atyre nga Europa Jugore (Italia, Greqia, etj.), Europa Perëndimore (vendet gjermanishtfolëse, Anglia, Franca, vendet skandinave), Europa Lindore dhe Qendrore (Çeki, Poloni, Rusi), por edhe nga Azia e SHBA-ja. Ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm rritja e numrit të vizitorëve, por edhe e net-qëndrimeve dhe shpenzimeve. Të rëndësishme vlerësojnë rritjen e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, gjithmonë duke e orientuar nga klientët, të gamës së aktiviteteve dhe integrimin e produkteve dhe ofertave. Ata thonë se për këtë nevojitet fuqizimi i strukturave të menaxhimit të turizmit në destinacione dhe rajone. Për sa u përket specifikave të produkteve të ndryshme, turizmi i kulturës (me treg kryesor atë ndërkombëtar por dhe dy tregjet e tjera, Kosovën dhe emigrantët) duhet të orientohet në pasurimin e aktiviteteve, në përmirësimin e shërbimeve si biznes dhe atraksion. Turizmi i rërës dhe i detit duhet të përmirësojë ofertën aktuale, duke gërshetuar edhe turizmin e kulturës dhe natyrës, por për të organizuar edhe ofertën e resorteve për tregun e huaj. Në turizmin e natyrës, ekspertët thonë se duhet t’i jepet përparësi zhvillimit të shërbimeve në parqet kryesore kombëtare, nënprodukteve si ecjet në natyrë, alpinizmit, rafting etj., duke mbështetur infrastrukturën bazë, zhvillimin e akomodimit, promocionin dhe rritjen e kapaciteteve. Në turizmin rural, sipas tyre, është e nevojshme që të mbështetet përvoja pozitive e deritanishme, komuniteti, bizneset lokale etj., me qëllim ruajtjen e vlerave origjinale dhe atmosferës rurale. Të gjitha këto duhet të mbështeten nga fusha të mirëmenduara të marketingut me materiale, panaire, takime, vizita, konferenca etj. Nuk duhet të lihen pas dore elementë të rëndësishëm, siç janë: siguria e klientëve në lidhje me të drejtat e konsumatorit, standardet e ndërtimeve, higjienës, shërbimeve shëndetësore, rendit etj. Nga ana tjetër, një sistem i favorshëm fiskal do të krijonte një mjedis favorizues për biznesin, duke mbështetur ngritjen e standardeve dhe kapaciteteve njerëzore. Do të ndihmonte në regjistrimin e bizneseve sipas kodeve të emërtimit në bazë industrie, përmirësimit të procedurave të inspektimeve. Ata vlerësojnë si shumë të rëndësishme edhe dyfishimin e buxhetit për turizmin.

Po çfarë modeli kemi ndjekur deri tani apo ky sektor është zhvilluar në mënyrë krejtësisht sporadike dhe pa orientim?

Zhvillimi ka qenë pak a shumë “me rrjedhje të lirë” d.m.th duke ndjekur zhvillimet e përgjithshme. Shteti më tepër ka marrë përsipër të përmirësojë kushtet e përgjithshme sesa të drejtojë dhe të koordinojë turizmin. Sektori privat, në kuadër të iniciativës së lirë ka zhvilluar ofertën në disa sektorë, por me njohuri të kufizuara dhe në përgjigje të kërkesës aktuale të tregut kryesisht vendas. Mungesa e planifikimit ka çuar në një ecje me drejtim të kundërt me nevojat dhe karakteristikat që ka turizmi për harmonizimin dhe koordinimin e përbërësve, si atraksione, shërbimet infrastrukturore, për t’iu përgjigjur dhe segmenteve të caktuar të tregut. Rezultati i një zhvillimi të paplanifikuar është një ambient i vështirë për planifikimin dhe zhvillimin e bizneseve cilësore apo investimeve serioze.

Ana tjetër, mungesa e standardeve ka bërë që orientimi i bizneseve të mungojë, gjë që ka krijuar shërbime me mangësi dhe jo në përputhje me territorin. Mungesa e strukturave përkatëse për menaxhimin e turizmit dhe e përvojës për rolin e strukturave publike (në informacion, trajnim, moderim, koordinimi i zhvillimeve hapësinore me ato të biznesit, i infrastrukturës me investimet private, të investimeve me marketingun, të marketingut me territorin) ka çuar në një produkt pa standarde e me dobësi në segmente të caktuara të zinxhirit të ofertës.

Politikat dhe strukturat e turizmit kanë lënë disa fusha kyçe të pambuluara, si zhvillimin e produktit, informacionin turistik, burimet njerëzore, mbrojtjen e konsumatorit etj. Brishtësia e shtetit ka çuar në mungesën e mbrojtjes së interesit publik, si në termat e dëmtimit të ambientit, dominimin dhe në vende kyçe të ofertës së akomodimit rezidencial, dëmtime që do të ndikojnë në një afat të gjatë cilësinë e ofertës në destinacione të caktuara.…Dhe pasojat?

Konkurrenca në tregun ndërkombëtar nuk mund të realizohet duke ecur në këtë linjë. Fakti është se produkti i turizmit të bregdetit, ku dominon zhvillimi i paplanifikuar, nuk është dhe nuk mund të krahasohet me fqinjët si Greqia, Mali i Zi, Kroacia e kështu me radhë. Me këtë model, cilësia nuk është e garantuar në të gjitha segmentet e produktit dhe as e koordinuar, prandaj nuk mund të jetë e garantuar dhe për produktin në tërësi. Po kështu, ky model zhvillimi nuk është i qëndrueshëm, ndaj mjaft atraksione dhe destinacione mund të dëmtohen nëse nuk arrijmë të ruajmë cilësinë. Po ku duhet të orientohen në vazhdim politikat zhvillimore? Drejtimet kryesore si rrjedhim i analizës së mësipërme janë: zhvillimi dhe integrimi i produkteve, ngritja e kapaciteteve dhe strukturave, menaxhimi i destinacioneve dhe planifikimi, standardet, por dhe krijimi i shërbimeve publike që lidhen me turizmin. Për t’u realizuar këto duhet që të merren përgjegjësi për rolin dhe funksionet e shtetit në turizëm. Pra, shteti duhet të punojë për të ndërtuar një sistem menaxhimi, me struktura, planifikim, përgjegjësi dhe standarde. Sektori privat nuk mund të mbulojë përgjegjësinë e shtetit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of