Për shkak të rritjes së numrit të turistëve nga viti në vit, Shqipëria përjetoi një rritje drastike të ndërtimit të strukturave akomoduese, e cila nuk u ndal as gjatë pandemisë.
Në zonën e Golemit, ku po zhvillohet prej disa vitesh edhe turizmi i organizuar, marka me kontrata me garanci me agjencitë e huaja kanë nisur praktikën e ndërtimit në zinxhir të disa strukturave duke zgjeruar kapacitetet. Ndërkohë Jugu i vendit vazhdon të kenë tipologjinë e vilave dhe fshatrave turistikë.
Në vitet e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një sërë resortesh e fshatrash turistikë, të vendosura kryesisht në brezin mes Palasës dhe Himarës, ndërkohë që edhe disa projekte të tjera në Sarandë kanë marrë miratimin dhe po gjejnë zbatim.
Por cila është zona më dinamike e bregdetit ku po ndërtohet ose pritet të nisë ndërtimi referuar lejeve të dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Bashkia e Himarës mban rekordin për numrin e shtretërve që po u shtohen sektorit të turizmit përmes strukturave akomoduese që kanë marrë lejen e zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Konkretisht në Bashkinë e Himarës janë dhënë leje zhvillimi për struktura me një total prej 5726 shtretër.
Analiza, e cila përfshin lejet e dhëna deri në muajin prill të këtij viti, tregon për dinamikën që po merr zona bregdetare në vend ku e dyta nga bashkitë për nga numri i shtretërve në struktura akomoduese që kanë marrë leje zhvillimi është Saranda me 1958 shtretër. Lejet e zhvillimit të dhëna për Vlorën parashikojnë shtimin e 1688 shtretërve. Bashkia e Kavajës që përfshin edhe një pjesë të Golemit ka 970 shtretër ndërkohë që Durrësi 758 dhe Shkodra 646 shtretër.
Përveç lejeve të zhvillimit KKT miraton edhe lejet e ndërtimit. Në përmbledhjen e fundit për punën e Këshillit Kombëtar të Territorit sa i takon turizmit bashkia me kapacitet më të lartë shtretërish për projekte që kanë marrë lejen e ndërtimit është Durrësi me 4303 shtretër dhe pas saj Himara me 3330 shtretër. Më pas vjen Bashkia e Vlorës me 1688 shtretër dhe ajo e Kavajës me 1116 shtretër.
Tur-operatorët kanë vlerësuar vit pas viti se Shqipëria vijon të ketë kapacitete të ulëta akomoduese në raport me volumin e turizmit që kërkon të presë i cili është në rritje nga viti në vit.
Politika e fshatrave turistikë dhe vilave është parë me sy kritik, duke qenë se një pjesë e tyre nuk po funksionojnë si struktura hoteliere, por për shitje. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2019 në vend 1.456 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) dhe janë vënë në dispozicion rreth 37 mijë dhoma dhe rreth 87 mijë shtretër./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.