Turizmi, mes kontrasteve të forta

12/10/2019 10:10 PM 0 komente

Në gusht, në Shqipëri, hynë 1.55 milionë shtetas të huaj. Padyshim, ky ishte muaji më i mirë i turizmit që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. E teksa kjo shifër mund të lumturojë këdo, dëshpëruese duket ajo për ikjen e polakëve.
Në gusht, hyrjet e polakëve ishin 19.6% më pak sesa një vit më parë, një tendencë e paralajmëruar. Të dy këto shifra paraqesin kontrastin e fortë që përjeton sektori i turizmit në vend,  me pjesën e vet të rritjes dhe shkëlqimit, por edhe me probleme të forta që kërkojnë reflektim. Për ekspertët e fushës, kjo kërkon marrjen sa më shpejt të masave, duke nisur së pari me “pastrimin” e vendit, i kthyer në një pirg inertesh ashtu sikurse çdo rritje e cilësisë së shërbimit dhe zbatimin e projekteve konkrete që ndihmojnë industritë mbështetëse të zhvillohen duke plotësuar ofertën e Shqipërisë.

 

Nga Nertila Maho

 

“Mëngjesi ishte i tmerrshëm, as kafe, as çaj, shumë i thjeshtë. I njëjti ushqim çdo ditë. Rreth hotelit, mjedisi është shumë i ndotur, po ashtu edhe plazhi dhe askujt nuk i bëhet vonë që ta pastrojë plazhin apo shezlonget. Nuk ka as gjërat më elementare në tualet, përfunduam duke i blerë vetë, shampo dhe sapun. E vetmja gjë e mirë është vendi ku ndodhet hoteli”. Ky është vlerësimi që ka lënë Mirsadi në faqen e një hoteli në zonën e Durrësit dhe që nga Booking shënohet si një shtetas që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Teksa përshtypjet negative nuk mungojnë as për hotelet më të mira në botë dhe përgjigjja e tyre është shumë diplomate duke kërkuar falje apo duke premtuar përmirësim, duket se kjo nuk vlen për një pjesë të shqiptarëve gjaknxehtë. “Përshëndetje Mirsad. Ne të mbajmë mend ty, një çift i moshuar nga Bosnja. Asgjë nuk është e vërtetë, ndaj nuk meriton një përgjigje”, – përgjigjet menaxhimi i hotelit. Përgjigje si kjo mund të gjesh pafund në vlerësimet që u janë dhënë hoteleve.

Mund të gjesh ankesa për ujin me pikatore në dushe dhe që nuk mund të lahesh normalisht, mund të gjesh komente për ushqimin, për stafin që nuk është i kualifikuar apo që nuk është në numër të mjaftueshëm për të garantuar standard, ashtu siç mund të gjesh me mijëra vlerësime negative për plehrat rreth hotelit apo për “joshjen” me foto dhe çmime jo reale. Pavarësisht kësaj situate me ankesa të shumta, është edhe ana tjetër e medaljes, grupi i atyre që kanë ikur me mbresat më të mira nga Shqipëria.

 

Mjedisi i ndotur rreth hoteleve mbetet problemi kryesor që kërkon zgjidhje

Teksa brenda çdo hoteli sipërmarrësit janë munduar që të krijojnë oaze qetësie, relaksi, duke u përpjekur të ofrojnë standarde për pushuesit që i zgjedhin, panorama jashtë hoteleve shfaqet ndryshe. Zona e Golemit ku është përqendruar kryesisht turizmi i organizuar këto vite me nordikët, çekët, polakët dhe gjermanët, që po vijnë me charter, është kthyer në një kantier ndërtimi. Janë me qindra pushuesit që ankohen në Booking për punimet rreth hotelit, ku kishin rezervuar apo brenda hotelit të tyre.

Për ata që nuk janë të rrethuar nga kjo, mund të gjejnë pa problem pirgje mbeturinash dhe inertesh në anë të rrugëve. Problemet e ngritura vazhdimit që nga infrastruktura e deri te shërbimi duhet të shërbejnë si kambanë për qeverinë për të përmirësuar ndryshe risku për të humbur një pjesë të mirë të turistëve është te dera me hapjen e mundësive të reja. “Imazhi i krijuar: “Vend i bukur por, jo dashamirës ndaj mjedisit” është një sinjal SOS.

Sfida e pastrimit, eliminimi i derdhjeve në det e lumenj të ujërave zeza, mbetet sfidë e hapur. Paketat turistike shqiptare vazhdojnë të përfshijnë aeroportet rajonale, si rezultat i çmimeve konkurruese, falë politikave subvencionuese të shteteve fqinje. Autostrada Prishtinë-Shkup dhe Beograd-Shkup hapi perspektiva të reja në rajon për turizmin, duke bërë më të lehtë aksesimin në tregun potencial dhe cilësor grek. Kjo është një kambanë alarmi për vitet në vazhdim. Me lejimin e lëvizjes së lirë pa viza në Kosovë, rrezikojmë të humbasim tregun potencial nga Kosova. Është momenti që qeveria të mendojë seriozisht për një strategji afatmesme të turizmit rajonal”, thekson Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit.

Një tjetër element është përputhja e shërbimit që ofrohet me çmimin e përshtatshëm. Shumë prej turistëve kanë vlerësuar se shërbimi për të cilin kanë paguar nuk përshtatet me atë çka ju është dhënë realisht. Çështja e yjeve që vendosen ende sipas dëshirës i ka bërë ata konfuzë kur thonë se “ky hotel ka vlerësimin për pesë yje, por në fakt shërbimin e ofron për 3”.

Konkretisht, komenti lidhej me një prej hoteleve më të mira në zonën e Golemit, por si ky mund të gjesh pafund nëpër hotele të ndryshme përgjatë gjithë bregdetit. Nëse nuk reflektohet, ndoshta efekti do të jetë protesta, sikurse po ndodh me polakët që këtë vit ishin më pak sesa një vit më parë. Agjencitë raportuan se kjo vjen si efekt i shtrenjtimit të paketave dhe se aktualisht, tregje të tilla si Turqia dhe Greqia po merrnin vëmendje të re.

 

Hyrjet në Shqipëri, polakët ranë me rreth 20%, kryesuan shtetasit nga Kosova

Sinjalet e para për largimin e polakëve u dhanë nga tur-operatorët që në maj të këtij viti. Por do të ishin shifrat zyrtare për lëvizjen e shtetasve publikuar nga Instituti i Statistikave muaj pas muaji që do të reflektonin plotësisht këtë tendencë. Të dhënat e fundit, që i përkasin gushtit, zbuluan se gushti ishte muaji më i mirë për turizmin në vend me një rekord prej 1.55 milionë shtetasish të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar që bashkë me shtetasit shqiptarë e çonin shifrën e hyrjeve në 2.2 milionë.

“Krahasuar me gusht 2018, ky tregues rezulton me rritje 6,4%. Në gusht 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 1.556.826, krahasuar me gusht 2018, ky numër është rritur me 7,4%. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë gjatë tetë muajve të 2019 është 4.870.588, duke u rritur me 10,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018”, – thuhet në publikimin e INSTAT.

Por teksa shifra optimiste tregon për një ecuri të mirë të turizmit dhe një interes në rritje të të huajve për vendin tonë si destinacion, ana tjetër e medaljes është rënia e theksuar e polakëve. Sipas INSTAT në gusht 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Maqedonia ka pasur rritjen më të madhe me 19,2%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 19,6%. Gjatë tetë muajve të 2019, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 16,9% ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 13,3%.
Polakët duket se po tërhiqen gradualisht nga Shqipëria për shkak të disa zhvillimeve, ku më kryesori duket se është rritja e çmimeve nga ana e Shqipërisë.

Maciej Sokalski, koordinator i shitjeve për agjencinë “Rego-Bis” në Poloni dhe rezident në Durrës, në një intervistë për “Monitor” pak javë më parë, tha se nëse çmimet do të shtrenjtohen edhe më shumë, rreziku që të ketë më pak polakë është i dukshëm. Ai nënvizon se Shqipëria ka ende punë për të bërë. Teksa, hotelet sipas tij, kanë shërbyer më mirë, kanë ofruar gamë më të gjerë ushqimesh në paketa problematika me ambientet jashtë hoteleve dhe infrastruktura duhet të shihen me kujdes. Shtetasit nga Kosova kanë pasur rritje edhe këtë vit, duke qenë turistët kryesorë që kanë vizituar vendin tonë. Në gusht, hyrjet ishin 781 mijë me një rritje 16.5% në raport me gusht 2018 ndërkohë që si 8-mujor rritja ishte 14.9% më shumë se një vit më parë.

 

 

Oferta e argëtimit e cunguar, jahtet tendencë në rritje, por s’ka porte

Një nga problemet që turistët ngrenë në përshtypjet e tyre për Shqipërinë lidhet me ofertën e cunguar të argëtimit. Trafiku i rënduar shpeshherë i bllokon turistët e vendosur në Golem për të shkuar drejt Durrësit, ndërkohë që paketat e tjera ditore përfshijnë ture njëditore drejt disa atraksioneve si Berati, Kruja, Ohri. Në bregdetin e Durrësit, është vetëm një anije turistike që ofron udhëtime përgjatë bregdetit. Por ndalesat e saj janë shumë të kufizuara, për shkak se nuk janë kushtet e duhura për t’u afruar drejt bregut.

Në Jug të vendit, kjo paketë është disi më e konsoliduar, ashtu sikurse prej vitesh po vijon tendenca e jahteve. Ka një kërkesë në rritje për këtë lloj argëtimi, por kufizohet nga mungesa e porteve të dedikuara për jahte. Operatorët e tregut shprehen se kjo është një nga mangësitë që shfaqet dhe kufizon zhvillimin e industrisë detare. Aktualisht janë në fuqi tre kontrata koncesionare të dhëna në vitet 2014-2016 për portet turistike të dedikuar posaçërisht për jahte.

Në ato vite nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por edhe Ministria përgjegjëse për Transportet, u miratuan disa koncesione portesh, por sot asnjë prej tyre nuk ka përfunduar. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se nga katër porte të dhëna me koncesion, vetëm njëri ka përfunduar, por ai nuk ka orientim si port jahtesh.

I pari është porti me koncesion i formës BOT në zonën e Spillesë Kalaja e Turrës në Kavajë. Koncesioni ka një kontratë të nënshkruar. Operatori ka përfunduar marrjen e gjithë licencave dhe lejeve. Punimet civile kanë filluar, duke parashikuar që të mbyllen në vitin 2020. Ky port parashikohet të ketë një investim 20 milionë euro dhe është menduar si një projekt i integruar edhe me resorte turistike.

Porti i dytë është ai i jahteve në Durrës, marrëveshja e koncesionit e të cilit u nënshkrua në shtator të vitit 2015. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nga të dhënat e fundit që janë të qershorit të këtij viti, operatori është në fazën e mbledhjes së lejeve dhe licencave. Punimet pritet të nisin pas përfundimit të këtyre hapave. Porti i Jahteve në Durrës parashikohet të ketë një kosto 15 milionë dollarë dhe synon, sipas projektit origjinal, të ndërtojë objekte të tjera në funksion të kësaj marine, si dhe të investojë në infrastrukturën që do t’i shërbejë këtij porti.

Porti i tretë, ai i Shëngjinit, është i treti në radhën e porteve të jahteve të dhëna me koncesion. Kontrata me kompaninë fituese u nënshkrua në vitin 2016 duke parashikuar një kapacitet ankorimi për 200 jahte, ndërkohë që vlera e investimit parashikohej në 7 milionë dollarë. Edhe pse kanë kaluar disa vite, edhe ky port është në fazën e dokumenteve, pra mbledhjes së lejeve dhe licencave. Punimet pritet të përfundojnë pas sigurimit të tyre sipas raportimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of