Hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë në 7 muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rënie me 64.7 për qind duke goditur rëndë sidomos turizmin e rërës dhe detit.
Ai që duhet se ka mbajtur një trend me rënie më të lehtë ka qenë turizmi shëndetësor ku në 6 muajt e parë të vitit rezulton se të paktën 353 individë kanë hyrë në Shqipëri nën argumentin e trajtimit shëndetësor.
Numri edhe pse i vogël ka qenë i qëndrueshëm edhe përgjatë muajve të karantinës dhe izolimit total teksa qershori shënon numrin më të lartë të hyrjeve për trajtim shëndetësor me 123 persona.
Një vit më parë për të njëjtën periudhë 6 mujore në vendin tonë hynë 444 persona rreth 22 për qind më shumë se këtë vit ndërsa në 2018 për të njëjtën periudhë numri i atyre që hynë për trajtim shëndetësor ishte vetëm 120. Shqipëria ka njohur rritje të turizmit mjekësor e lidhur kjo kryesisht me ndërhyrje të veçanta estetike që kryejnë shtetas të huaj në vendin tonë për shkak të çmimeve më të ulëta teksa një pjesë e këtyre shërbimeve nuk deklarohen si të tilla pasi kryhen gjatë pushimeve verore(kryesisht emigrantët).
Standarde të reja për turizmin mjekësor
Vende të ndryshme në botë kanë theks të veçantë ndaj turizmit mjekësor apo kurativ dhe rritja e standardeve dhe sigurisë për këtë lloj turizmi po kthehet në nevojë. Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit bëri me dije se tashmë ka disa hapa konkrete nga institucione ndërkombëtare për vendosjen e standardeve për menaxhimin e risqeve klinike.
“Sektori i turizmit mjekësor, gjatë viteve të fundit po zhvillohet me ritme të shpejta. Vitin e kaluar, sipas statistikave për turizmin mjekësor, rreth një çerek milion pacientë udhëtuan jashtë kufijve, vetëm për të kryer një trajtim mjekësor. Standardi ISO 22525, jep shpresë të re për zhvillimin e turizmit mjekësor, i cili mbulon trajtime mjekësore, duke filluar nga kontrollet e dhëmbëve e deri tek operacionet plastike. Të ardhurat e turizmit mjekësor kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit. Në vitin 2019, të ardhurat e realizuara nga turizmi mjekësor ishin në vlerën 44.8 miliardë dollarë. Pandemia e koronavirusit ka për të ndikuar në të ardhurat e turizmit mjekësor, pavarësisht pas kalimit të kësaj periudhe, analistët e turizmit mjekësor parashikojnë rritje të të ardhurave në planin afatgjatë.
Pse ka rritje të të ardhurave nga turizmi mjekësor? Nga të dhënat e librit udhëzues të turizmit mjekësor, raportohet se tregu i turizmit mjekësor është duke u zhvilluar me ritme të shpejta, pasi popullsia, gjithnjë e më shumë kërkon trajtime mjekësore, që janë më të lira, të cilat kryhen në kohë më të shkurtër dhe ofrojnë më shumë zgjedhje, se ku dhe kur do të kryhet trajtimi mjekësor.
Për të kryer një trajtim mjekësor jashtë vendit, pacientët mund të kërkojnë në internet spitalet private, kirurgët, mjekët, trajtimet dhe proceset e shërimit, pa pasur nevojë të këshillohen me agjencitë e udhëtimit ose mjekët vendas.
Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) njeh rreziqet e këtij sektori dhe po synon të sigurojë hartimin e standardeve ndërkombëtare, të cilat do të shërbejnë për të ofruar procedurat më të mira mjekësore, menaxhimin klinik të rrezikut, sigurinë dhe rezultatet e përmirësuara për pacientët” bëri me dije DPS.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.