Viti 2018 do të vazhdojë ecurinë pozitive në turizëm dhe trendi rritës pritet të jetë i qëndrueshëm jo vetëm në numër, por çka është më e rëndësishme në net-qëndrimi dhe të ardhura
Si ishte ecuria e turizmit këtë vit? A ishte brenda pritshmërive?
Turizmi shqiptar në vitin 2017 pati një ecuri të mirë, me një rritje konstante si dhe në vitet e fundit. Sipas INSTAT, numri i vizitorëve të huaj për 9-mujorin janar – shtator 2017 shënon rritje prej 5,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga udhëtimet dhe turizmi për 9 muajt e vitit 2017 janë rritur me 1,18 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Gjatë vitit 2017 janë shtuar fluturimet charter dhe ato low cost në Tiranë. Pas fluturimeve nga Parisi në Tiranë, Transavia nisi fluturimet direkte edhe nga Amsterdami në Tiranë. WizzAir nisi fluturimet direkte nga Budapesti në Tiranë, tre herë në javë. Fluturimet charter në vitin 2017 shtuan lëvizjet e tyre sidomos nga tregu i Europës Lindore: Poloni, Çeki, Sllovaki dhe Ukrainë. Kjo gjë bëri të mundur rritjen e numrit të pushuesve nga këto tregje me dy herë krahasuar me një vit më parë. Si rrjedhojë, edhe numri i net-qëndrimeve u rrit dhe pati një zgjerim të sezonit turistik deri në 140 net.
Gjithashtu viti 2017 shënoi një numër rekord edhe në kroçerat që u vendosën në portet e Durrësit dhe Sarandës. Ky i fundit provoi për herë të parë edhe kroçerën MSC, me ndalime të parashikuara përgjatë sezonit. Si rrjedhojë, sitet tona kulturore, historike dhe arkeologjike ishin në vëmendjen e vizitorëve ndërkombëtarë.
Edhe mediat ndërkombëtare e kanë pasur në vëmendje Shqipërinë si një destinacion turistik me site të trashëgimisë kulturore për t’u vizituar, por edhe me larminë e aktiviteteve të ndryshme që organizohen. Për herë të parë, Shqipëria ishte e ftuara e veçantë e tregut të Krishtlindjes në Bruksel, me prodhime “Made in Albania”. Veçanërisht Tirana ka pasur rritje të shtuar të artikujve, nga media prestigjioze si Lonely Planet, Financial Times, ElPais, Conde Nast Traveller, TTG Media, Euronews, Vogue, AFP, Paste Magazine, e shumë të tjera.
Mendoj se të gjitha këto arritje janë brenda parashikimeve të bizneseve shqiptare turistike, pasi kontratat me kompanitë e huaja për mbërritjen e grupeve të turistëve të huaj, nënshkruhen të paktën një vit më parë.
Ulja e taksës për njësitë akomoduese çfarë efektesh pati/do të ketë?
Vendimi për uljen e taksës për njësitë akomoduese filloi zbatimin gjatë sezonit turistik (qershor 2017) dhe efektet e saj do të mund t’i shohim jo drejtpërdrejt në këtë kohë, por pasi të bëhen të gjitha mbylljet e vitit. Gjithashtu, efektet do të duhet të shikohen si bashkëveprim ndërmjet strukturave akomoduese, tur-operatorëve dhe turistëve individualë. Vlera e produktit turistik shqiptar, e parë nën këndvështrimin e promovimit dhe artikujve ndërkombëtarë, është e lirë. Pra, nuk kemi pasur ndonjë pengesë të ardhjes së turistëve nga çmimi i produktit.
Efektet që do të ketë me siguri pritet të jenë pozitive, jo vetëm për strukturat akomoduese, por edhe për turistët. Besoj që kjo lehtësi fiskale, do të mund të shfrytëzohet nga këto biznese me rritje të cilësisë së produktit që ata ofrojnë, si në investime të faciliteteve, por edhe të burimeve njerëzore.
Çfarë problematike/problematikash vijon të ketë tregu?
Përpos ecurisë së kënaqshme të gjithë këtyre viteve të fundit, turizmi shqiptar vazhdon të ketë problemet e tij, të cilat janë të shumë dimensioneve. Së pari, janë ato që lidhen me infrastrukturën e përgjithshme të vendit. Përmirësimet e rrugëve, ujit të pijshëm, kanalizimeve, mbetjeve apo plehrave janë ende sfida të mëtejshme që duhet të preken. Po kështu, shtimi i kapaciteteve akomoduese është një sfidë tjetër, jo vetëm nga ana sasiore, por edhe cilësore. Nëse kemi një trend rritës të turistëve, na duhet të përgatitemi për një produkt cilësor turistik, në të gjithë komponentët, si ata infrastrukturorë, ashtu edhe ata që kanë të bëjnë me shërbimin dhe menaxhimin.
Një nga çështjet problematike për rritjen e mëtejshme të turizmit është lidhja (connectivity) ajrore apo detare. Potencialet e vijës bregdetare jugore të Shqipërisë janë ende jo të mirëshfrytëzuar për shkak të mungesës së një aeroporti në jug. Kjo gjë krijon vështirësi në nxitjen e investimeve në strukturat akomoduese, si nga ana sasiore por edhe cilësore, dhe rrjedhimisht në produktin turistik bregdetar të vendit.
Këto çështje që duken si “problematike” në fushën e turizmit janë të lidhura shumë ngushtë me njëra – tjetrën, si p.sh., edukimi në turizëm përçon një shërbim më të mirë, profesionalizëm më të mirë e rrjedhimisht një produkt më të mirë e cilësor. Por nuk duhen harruar edhe të dhënat statistikore në turizëm, të cilat janë shumë të nevojshme.
Përmirësimi i mbledhjes së këtyre të dhënave, në zbatim të ligjit të turizmit dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij, do të ndihmojnë në një qasje strategjike në tregjet e huaja që Shqipëria synon. Vetëm duke e kuptuar drejt se çfarë impakti sjell turizmi dhe udhëtimi si industri në ekonomi dhe punësim, atëherë do të mundemi të fokusohemi dhe të punojmë seriozisht me të.
Cili është parashikimi juaj për vitin 2018? Cilat janë sfidat? Po masat që duhet të merren?
Viti 2018 do të vazhdojë ecurinë pozitive në turizëm dhe trendi rritës pritet të jetë i qëndrueshëm jo vetëm në numër, por çka është më e rëndësishme në net-qëndrimi dhe të ardhura. Gjithashtu nga të dhënat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë në katër vitet e fundit, trendi duket pozitiv, sidomos në rritjen e të ardhurave, pasi nga një bilanc negativ ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave, kemi kaluar në bilanc pozitiv. WizzAir sapo ka lançuar për 2018 fluturime direkte nga Londra (Aeroporti Luton) në Tiranë, tre herë në javë.
Pjesëmarrja e vazhdueshme e Shqipërisë në panairet më të rëndësishme të turizmit dhe udhëtimit, ku prezantohen destinacionet e gjithë botës, do të jenë pikat kyçe të marketimit të Shqipërisë, por jo vetëm. Artikujt e ndryshëm në mediat prestigjioze ndërkombëtare, janë shumë të rëndësishme për promovimin e Shqipërisë. Gjithashtu përdorimi i mjeteve online, rrjeteve sociale, blogjeve etj., do të jenë përcaktuese në promovimin dhe marketimin e Shqipërisë, jo vetëm si destinacion për turizëm, por edhe për investime të huaja.
Projektet e mëdha infrastrukturore dhe ngritja e kapaciteteve menaxhuese në turizëm, do të ndihmojnë në një përmirësim të vazhdueshëm të produktit turistik. Këto projekte, si ai i Bankës Botërore (WB), Komisionit Europian (EU), Bankës Europiane për Rindërtim & Zhvillim (EBRD), të cilat do të kenë në fokus disa destinacione turistike të Shqipërisë: Berat, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Sarandë, Fier, Shkodër dhe Korçë, përgjatë viteve të zbatimit do t’i japin zgjidhje disa prej çështjeve problematike të turizmit në Shqipëri.
Përmirësimi i standardeve në strukturave akomoduese, do të ndihmojnë në ofrimin e një çmimi të drejtë në raport me cilësinë e produktit, dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për eksperiencën e çdo vizitori në Shqipëri, por edhe për vetë sektorin e turizmit.
Gjithashtu vazhdimi i zbatimit të akteve nënligjore për udhërrëfyesit turistikë, do të jenë përcaktuese në përvojën e turistëve dhe udhëtarëve të huaj në vend. Ata janë “ambasadorët” e Shqipërisë reale, interpretuesit e vlerave të trashëgimisë tonë kulturore.
Sfida tona në fushën e turizmit, për çdo vit, do të vijnë duke u vështirësuar, pasi rritja e numrit të vizitorëve dhe e qëndrimit të tyre kërkon gjithnjë e më shumë aftësi menaxhimi të biznesit, atraksioneve, aktiviteteve, destinacioneve e shumë të tjera. I gjithë ky sistem menaxhimi kërkon dije të vazhdueshme, të cilat duhet të nisin nga nivelet e edukimit të mesëm profesional, pa lënë mënjanë universitetet. Aktorët e interesuar të turizmit, duhet medoemos të krijojnë një mekanizëm bashkëpunimi dhe koordinimi; Qeverisje qendrore, lokale, biznese të turizmit, shoqata të turizmit, donatorë dhe projekte zhvillimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
joh të huaj që dëshërojnë të vinë në Shqipëri në sezonin veror, por nuk gjejnë asnjë adresë apo numër telefoni. Ku e si mund ti gjejnë ato ?