Të ardhurat nga agjencitë turistike në Spanjë ka të ngjarë të jenë 4.7% më të larta këtë vit krahasuar me 2019-n, para se pandemia Covid-19 të shkatërronte sektorin, deklaroi të martën grupi industrial Exceltur.
Pavarësisht paqartësive të luftës në Ukrainë dhe inflacionit, për herë të parë, hotelet, resortet, kompanitë e transportit, kompanitë e makinave me qira dhe sipërmarrjet e argëtimit parashikojnë fitime më të larta se para pandemisë, mbi bazën e rezervimeve të bëra.
“Tabloja është premtuese” – deklaroi zëvendëspresidenti i Exceltur, Jose Luis Zoreda, në një konferencë për shtyp.
“Duket se mbizotëron dëshira për të udhëtuar; disa kompani thonë se konsumatorët parapëlqejnë të heqin dorë nga blerja e një këmishe apo pajisje elektroshtëpiake, se sa të ndalin së udhëtuari”.
Grupi deklaroi se e bëri parashikimin për vitin 2023 mbi bazën e një sondazhi të kryer te rreth 2000 sipërmarrje deri më 5 janar.
Pavarësisht rimëkëmbjes në vitin 2022, pas dy viteve tkurrje për shkak të kufizimeve në udhëtime, të ardhurat e përgjithshme nga kompanitë turistike në Spanjë janë ende 2,1% më të ulëta krahasuar me nivelet e vitit 2019 – deklaroi Exceltur.
Rimëkëmbja e sektorit vitin e kaluar ishte mikse. Për shembull, nëse të ardhurat e hoteleve për pushime u rritën me 7% krahasuar me nivelet e para pandemisë, kompanitë e transportit shitën 5% më pak se në 2019.
Sipas një sondazhi, vitin e kaluar, agjencitë turistike mundën të rrisin çmimet mesatarisht 6,6%, edhe pse marzhet u reduktuan për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe rritjes së pagave.
Industria turistike spanjolle po përfiton nga rritja e numrit të vizitorëve nga Europa Qendrore dhe Meksika./ Reuters