Gjatë këtij sezoni, siç kishte filluar të shfaqej që një vit më parë, gjeografia e vendeve të preferuara nga turistët vendas apo të huaj është zgjeruar. Pushuesit nuk kanë qenë të përqendruar në vendet tradicionale buzë detit dhe me plazhe masive apo përqendrim të njësive akomoduese. Plazhe të shkelura më parë nga turistët u bënë destinacione tashmë të njohura dhe të frekuentuara. Turistët u futën më thellë në territor duke preferuar edhe zonat malore, zonat me traditë të theksuar dhe të kultivuara së fundmi si produkt turistik, të cilat tërhoqën një pjesë të pushuesve. Zhvillimet infrastrukturore por edhe nisma private në zona që as mendoheshin më parë për t’u shfrytëzuar si destinacion turistik, tashmë kanë krijuar profilin e tyre duke akumuluar të ardhura nga vizitorë që po rriten në numër.
Shpjegimi i dytë lidhet me krizën ndërkombëtare. Edhe turizmi në Shqipëri tregoi sikundër pritej që do të infektohej. Njerëzit shpenzuan më pak dhe lëvizën më pak dhe jo me qëndrime të gjata. Madje ndryshuan edhe portofolin e shpenzimeve, duke u tërhequr më shumë nga paketa familjare dhe njësi akomodimi familjare.
Megjithëse duken këtu dy përfundime si fatale, në fakt ato mund të shërbejnë edhe si orientimi për të ardhmen. Shqipëria në harkun e 20 vjetëve po ndryshon strategjinë e katërt të turizmit, që dëshmon se këto projekte nuk arritën të krijojnë profilin e duhur të vendit në tregun turistik ndërkombëtar, duke lënë pa zgjidhje dy çështje të ndërvarura prej këtij profili. Si mund të jetë më i gjatë në kohë sezoni turistik, pra përtej sezonit të verës dhe sa i shtrirë gjeografikisht. Zgjidhja e njërës ndihmon edhe përgjigjen e tjetrës dhe të dyja së bashku të çojnë pa sforcime te profili turistik shqiptar. Fakti që këtë sezon u frekuentuan të tjera destinacione nga ato tradicionale, tregon së pari se vendi i ka pak të konsumuara hapësirat gjeografike, qoftë edhe vijën bregdetare për të zhvilluar turizmin. Rritja e ndjeshme e turistëve edhe nga vende të tjera të Europës tregon se kërkesa e turistit nuk është vetëm plazhi, dielli dhe rëra por edhe jeta urbane apo suburbane shqiptare me të gjithë larminë e saj, ku do që ajo ndodhet. Ndërkohë kriza ndërkombëtare nxori më në pah faktin se çmimi i ulët, pavarësisht cilësisë së diskutueshme të produktit turistik është ende një avantazh për Shqipërinë.
Së dyti, sezoni i këtij viti po na mëson se vendet e ngelura bosh në zonat tipike turistike të vendit po humbin monopolin nga lëvizja e turistëve në destinacione të tjera, dhe duhet të neutralizojnë këto humbje, duke diversifikuar portofolin e produktit turistik. Në Durrës, Vlorë dhe Sarandë, turizmi nuk zhvillohet vetëm me hotele dhe restorante, por duhet rritur gama e shërbimeve prej të cilave jo vetëm tërhiqen turistë, por edhe të ardhura më shumë.
Strategjia e re ndoshta për këto arsye nuk duhet ta shohë turizmin në Shqipëri në bllok, por të ndarë me rajone, të cilat nuk konkurrojnë njëra-tjetrën, por plotësojnë njëra-tjetrën, sepse Shqipëria gjeografikisht e vogël, për shkak të larmisë së dukshme në kulturë, histori, gjeografi, gastronomi, në stil jetese etj., ka mundësi t’i ofrojë të gjitha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.