Turizmi, plani për Baks-Rrjoll, struktura për të akomoduar deri 6 mijë pushues

28/08/2020 10:00 AM 0 komente

Një masterplan për zonat me përparësi turizmin ka marrë në analizë edhe Baks-Rrjoll, që është nën administrimin e Bashkisë së Shkodrës dhe që përfshin plazhe jo pak të njohur për zonën.

Masterplani thekson se kjo zonë aktualisht është e orientuar drejt shtëpive private të kthyera në pritëse të pushuesve por se zhvillimi i sektorit do të kërkojë edhe rritjen e kapaciteteve akomoduese duke zgjeruar ofertën nga bujtinat tek resortet.

“Zhvillimi turistik i zonës, dikton nevojën e rritjes dhe strukturimit të ofertës akomoduese në zonë. Strukturat sot të orientuara në një turizëm familjar do të përfshihen në zhvillimin e ardhshëm duke u bërë pjesë e strukturimit dhe rigjenerimit urban dhe arkitektonik. Gama e ofertës turistike në zonë do të pasurohet me struktura të reja hoteliere të cilat do të ndërthuren në territor me struktura shërbimesh turistike dhe gastronomike duke rritur aktivitetin ekonomik në këtë zonë. Zona do të ndahet në disa nënzona ku gjithësecila prej tyre do të ketë tipologji të veçantë hapsinore dhe do të ofrojë aktivitete të ndryshme hapsinore. Në këtë mënyrë turisti do të ketë shumëllojshmëri zgjedhjesh që nga resortet e deri tek bujtinat” thuhet në dokument. I njëjti nënvizon se do të synohet akomodimi i 6 mijë pushuesve.

Masterplani analizon në detaj disa zona dhe kapacitetet akomoduese të pushuesve ku për Rrjollin vendoset kufiri 6 mijë pushues, për Ranën e Hedhun 4 mijë, për Tajlen 6 mijë, për Ishmin 10 mijë dhe për Spillenë 12 mijë.

Lidhur me zhvillimin e zonës Baks-Rrjoll nënvizohet se është e nevojshme që të kryhet investimi për rrugën Shëngjin Velipojë, një investim ky i deklaruar nga ana e qeverisë.

“Si ndër projektet e parashikuar së fundmi është dhe projekti i ndërtimit të rrugës Shëngjin-Velipojë i cili kalon në zonën e Rrjollit. Kjo rrugë rrjedhimisht do të kalojë në fokus primar për aksesin në këtë zonë duke qenë hyrja kryesore turistike. Aksi ekzistues hyrës do të kalojë i një rëndësie të dytë duke u përdorur më shumë nga vendasit dhe furnizimit me shërbime për zonën. Nëpërmjet ndërtimit të rrugës Shëngjin-Velipojë dhe përmirësimit të aksit ekzistues hyrës krijohet një trekëndësh bashkëveprimi turistik dhe ekonomik: bashkëveprim i turistik Shëngjin-Baks Rrjoll-Velipojë dhe  bashkëveprim ekonomik Baks Rrjoll-Shkodër”, thuhet në masterplan.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of