Shqipëria është futur në hartën turistike edhe sa i përket vizitave të shkurtra një ditore ku vendi ynë përfshihet si destinacion në paketat e kroçerave. Të dhënat e Autoritetit Portual Durrës tregojnë se pjesën e parë të vitit, respektivisht janar-qershor janë akostuar në Portin e Durrësit të paktën 11 krocera me 2194 turistë në bord ndërkohë që përjashtim nuk kanë bërë as jahte te madhësive të ndryshme. Për të njëjtën periudhë sipas APD janë akostuar 141 të tillë në Durrës.
Statistikat e APD tregojnë se në periudhën janar-qershor në kalatat e portit të Durrësit janë akostuar 924 mjete lundruese gjithsej, ose 61 mjete lundruese më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
“Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se në të gjithë Terminalet përkatësisht, numri i anijeve dhe trageteve të përpunuar ka qenë më i lartë se sa në 6-mujorin e parë të vitit 2018.
Për periudhën janar-qershor 2019 në të katër Terminalet janë përpunuar afro 193 mijë ton mallra më shumë se sa vjet, mësohet nga statistikat 6-mujore.
Në Terminalin perëndimor janë përpunuar 17 anije më shumë se sa në janar-qershorin e vitit të kaluar, në Terminalin lindor 6 më shumë se sa vjet, ndërsa në atë të Kontejnerëve janë përpunuar 2 anije më shumë” thuhet në njoftimin e APD.
Po ashtu numri i trageteve të përpunuar në Terminalin përkatës ka qenë 18 më shumë se sa në periudhën janar-qershor 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.