Turizmi, receta e rimëkëmbjes

24/01/2020 10:06 PM 0 komente

Hyrjet e të huajve në Shqipëri në fund të 2019-s ishin 6.4 milionë, duke e bërë atë një tjetër vit të suksesshëm për turizmin. Por vazhdimi i historisë së suksesit në vitin aktual varet shumë nga sa seriozisht është cenuar imazhi turistik i vendit nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky rast nuk është as i pari dhe as i fundit për zona turistike që goditen nga fatkeqësitë, rëndësi në këto raste marrin masat e rimëkëmbjes. Konsolidimi i paketave rajonale, promovimi i duhur ndërkombëtar, marrja e leksioneve të gatshme nga rastet e ngjashme, fokusi i integruar i rindërtimit janë ingredientë që ju dhanë Shqipërisë nga të huajt në një recete që synon rimëkëmbjen e turizmit. Agjencitë e huaja polake, nordike dhe gjermane presin që nëse hapat hidhen siç duhet viti 2020 mund të jetë një tjetër vit pozitiv.

Nga Nertila Maho

Numri i turistëve që hynë në Shqipëri deri në fund të vitit 2019 ishte 6.5 milionë, ndërsa shpenzimet e të huajve në vendin tonë deri në shtator të vitit të shkuar ishin 1.6 miliardë euro, me një rritje 11 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mjaftojnë këto dy shifra për të kuptuar që sektori i turizmit është ai me rritjen më të shpejtë por edhe ndikimin më të madh ekonomik e më tej edhe social në vend.

Goditja e tërmetit të 26 nëntorit me pasoja shkatërrimtare në disa qarqe preku mbi të gjitha edhe “zemrën” e turizmit të organizuar në vend siç është Golemi. Më shumë sesa strukturat hoteliere që raportojnë se nuk kanë pasur dëme ai që u lëkund ishte imazhi i Shqipërisë turistike. Lajmet , fotot dhe videot që qarkulluan në mënyrë virale në televizione e gazeta ndërkombëtare si dhe rrjete sociale bënë që sytë të ktheheshin nga Shqipëria, ku përveç ndjeshmërisë dhe thirrjes për solidaritet nuk mund të mos ketë shkaktuar pasiguri tek ata që e kishin Shqipërinë në listën e vendeve për t’u vizituar.

Turoperatorët raportuan se shifrat e rezervimeve në ato ditë të para të pas tërmetit ranë në mënyrë të shpejtë, duke reflektuar pikërisht frikën. Por pas çdo pikiate gjithmonë ka një kohë stabilizimi dhe më pas një ringritje që gjithmonë varet nga masat që merren.

Pikërisht në fillim të këtij viti Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizoi samitin nën moton “Turizëm për solidaritet dhe qëndrueshmëri” një aktivitet që bëri bashkë përfaqësues të Organizatës Botërore të Turizmit, ministra të rajonit dhe përtej, agjenci turistike dhe turoperatorë të rëndësishëm të sektorit në vend. Aktiviteti synonte pikërisht kthimin e vëmendjes së aktorëve më të rëndësishëm drejt Shqipërisë turistike në një thirrje për të mos u braktisur dhe vijuar historinë e suksesit të viteve të fundit, pikërisht në momentet kur rritja e sektorit është më e rëndësishme se kurrë. Në dy panele të mbajtura njëri pas tjetrit relatorët dhanë secili “ingredientin” e vet që në finale përbën recetën që duhet të vihet në jetë për të rimëkëmbur imazhin e Shqipërisë në sytë e turistëve të huaj.

 

Klosi: I qëndrojmë objektivit 10 milionë turistë, na duhet paketë e konsoliduar rajonale

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, që bëri edhe hapjen e samitit për turizmin, në fjalën e tij do të theksonte se Shqipëria vazhdon të ketë në objektiv të saj arritjen e numrit 10 milionë turistë në vitet e para të dekadës së re. “Në vitin 2013 ishin 3 milionë turistë, 5.9 në 2018 dhe 6.5 milionë turistë në 2019 dhe kemi sfidën e qartë për të shkuar në 10 milionë turistë në vitet e para të dekadës së re. Jemi këtu së bashku me kolegët tanë për të hartuar politika të caktuara për të mbështetur këtë ekonomi e për të mbështetur atë punë të madhe që kanë bërë hotelieret dhe sektori i turizmit. Shqipëria është qartësisht e orientuar drejt zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm rritjes së numrit të hyrjeve por të shndërrimit të në një destinacion të qëndrueshëm ekonomik” tha Klosi.

Ai nënvizoi se sot ka ardhur koha që të ketë një qëndrim të përbashkët të rajonit duke harmonizuar jo vetëm paketat turistike por edhe promovimin.

“Është e nevojshme që politikat turistike dhe dimensionet e reja të promovimit turistik në rajon t’i kemi shumë më tepër të përbashkëta. Më shumë se kushdo tjetër ky bashkëpunim ka vlerë në rajonin tonë. Kemi kaluar pothuajse të njëjtat linja të zhvillimeve politike e shoqërore në këtë pjesë të botës ku jetojmë, kemi histori, natyrë kulturë, kulinari. Kemi mundësi të pakufizuar për të qenë bashkë, duke rritur komunikimin dhe shkëmbimin turistik. Duke bashkuar ofertat unike për tregjet e largëta, mund të jemi destinacion turistik i konsoliduar. I kemi të gjitha mundësitë dhe e kemi shumë të nevojshme të kemi një paketë të rajonit më të klikuar të industrisë në botë dhe që ka të garantuar edhe suksesin. Duhet të bashkohemi më shumë për standarde për shërbime më të mira për zonë Adriatiko-Joniane dhe Ballkanin Perëndimor. Duhet të jemi komplementarë, jo konkurrentë”, do të nënvizonte Klosi.

 

OBT: Turizmi rimëkëmbet shpejt, duhet punë që lajmet negative mos ta dëmtojnë

Turizmi zë 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në botë duke u kthyer në një sektor jetik. Të dhënat zyrtare të Organizatës Botërore tregojnë se në vitin 2018 në të gjithë botën ishin 8 miliardë turistë që kaluan kufijtë e vendit të tyre me një rritje 6 për qind në raport me vitin 2017 dhe kjo është rritja më e lartë që pas vitit 2010. Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Botërore të Turizmit Zhu Shanzhong, i pranishëm në Tiranë gjatë samitit, u shpreh se të ardhurat nga eksportimi i turizmit u rritën në 2.3 miliardë dollarë në vitin 2018. “Po të analizojmë këto shifra e kuptojmë sesa jetik është turizmi, si për sektorin publik dhe atë privat dhe këto dy palë duhet të bashkohen për ta zhvilluar. Është e rëndësishme që të bëjmë punë sa më të mirë për rimëkëmbjen në Shqipëri në mënyrë që lajmet negative të mos dëmtojnë turizmin. Ky i fundit është një sektor që cenohet ndaj fatkeqësive natyrore shpesh ashtu sikurse është sektori që rimëkëmbet më shpejt se sektorët e tjerë ndaj këtyre fatkeqësive. Shqipëria është një destinacion unik, që është zhvilluar vetë dhe i bekuar me brigje e male mahnitëse dhe mbi të gjitha me popull mikpritës. Pikërisht këto e bëjnë atë një destinacion turistik tërheqës dhe më vëmendje” tha Shanzhong.

 

Leksione rimëkëmbjeje nga Greqia, si fitoi betejën e imazhit vendi fqinj

Greqia, një nga destinacionet më interesante turistike që ka marrë vëmendjen e shqiptarëve sidomos viteve të fundit priti në 2019 rreth 32 milionë turistë. Shifrat e saj u lëkundën disi për shkak të falimentimit të agjencisë Thomas Cook në 2019 si dhe rritjes së vëmendjes ndaj Egjiptit. Edhe pse një destinacion i konsoliduar turistik me një paketë të plotësuar, Greqia nuk ka qenë imune ndaj situatave të vështira në sektor ndaj të cilave i është dashur të marrë masa për të rifituar vëmendjen e turistëve të huaj. Ambasadorja e Greqisë në Tiranë Sophia Philippidou solli në vëmendje dy raste kur Greqisë i është dashur që për hir të turizmit të angazhohet me plane konkrete në përmirësimin e imazhit teksa nënvizoi se Shqipëria ka një detyrë të vështirë sa i përket rindërtimit.

“Produkti turistik është shumë i rëndësishëm për Greqinë dhe është një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Produktin e Brendshëm Bruto. Doja të ndaja këtu disa nga përvojat tona. Një pjesë e mirë e destinacioneve turistike janë të ekspozuara ndaj sfidave, qofshin këto dhe sfida natyrore. Për këtë arsye Ministra greke e Turizmit ka një sërë procedurash dhe paketash për të zbutur apo ulur ndikimin negativ. Do të përmendja këtu dy incidente që kanë ndodhur dhe kanë qenë një sfidë për Greqinë në lidhje me turizmin.

E para, në vjeshtë ishte falimentimi i kompanisë Thomas Cook, që pati ndikim negativ në shumë vende, përfshirë këtu Greqinë, sepse bëhej fjalë për miliona turistë. Në këtë rast Ministria greke e Turizmit vuri në lëvizje një komision që merret me menaxhimin e krizës, i cili u lidh me kompani të ndryshime turistike, agjenci, hotele dhe vendosi disa procedura për të trajtuar aspektet që kishin të bënin sidomos me personat që humbën vendet e punës për shkak të falimentimit të kësaj kompanie dhe masa të tjera për të ndihmuar bizneset që u ndikuan nga këto.

Një tjetër problem dhe që ju e njihni janë valët e refugjatëve drejt ishujve të ndryshëm sidomos në Egje ku bëhet fjalë për ishuj shumë të frekuentuar si Kios, Samos dhe Lesbos. Turizmi ra ndjeshëm gjatë vitit 2015 dhe autoritetet krijuan një plan veprimi për ta sjellë sërish Greqinë në hartën e turizmit, duke nxitur dhe promovuar ishuj të ndryshëm në seminare, konferenca, ekspozita e panaire. U organizuan udhëtime të ndryshme duke ftuar operatorë të ndryshëm në këto ishuj, blogera si dhe duke zbatuar një fushatë promovimi po përmes rrjeteve të ndryshme sociale. Gjithmonë e më shumë fenomenet natyrore dhe të tjerë po ndikojnë destinacioint turistike. Për të qenë të përgatitur kemi rritur bashkëpunimin me agjencitë e mbrojtjes civile. Në rastin tonë kemi një Sekretariat të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile. Por kemi dhe autoritete të tjera vendore me të cilët bashkëpunojmë për të rritur bashkërendimin dhe përfshirjen e aktorëve të tjerë të interesit. Ajo që do dëshiroja të thoja si përmbyllje është që si, në rastin e Greqisë, gjatë krizës ekonomike sektori i turizmit ndihmoi shumë ekonominë, ne mendojmë se sektori i turizmit do të ndihmojë shumë ekonominë për rindërtimin në Shqipëri” tha Philippidou

 

Trashëgimia kulturore, Shqipëria kërkon ndihmën e Italisë për restaurimet

Të gjithë objektet e trashëgimisë kulturore që ndodhen në një rreze 50 kilometra nga epiqendra e tërmetit të 26 nëntorit do të kalojnë në një sitë vlerësimi dhe më pas në rast nevojë edhe restaurimi. Shqipëria, në këtë rast, në mungesë të eksperiencës ka kërkuar ndihmën e Italisë. Detajet i dha Anna Laura Orrico Sekretare e Shtetit për Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore në Itali.

Orrico nuk do të harronte të theksonte se kënaqësia e saj për t’u përfshirë në ndihmë të Shqipërisë ishte edhe më e madhe duke qenë se rrënjët e saj ishin pikërisht nga Shqipëria, nga ana e nënës së saj që vinte nga Arbëreshët e vendosur në Kalbri. Ajo u shpreh Italia i njeh mirë plagët e thella që shkaktojnë tërmetet, tragjedinë e viktimave, shkatërrimin e shtëpive dhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore. Në këtë rast iu referua goditjeve të 2009 që shkaktuan Aquilan si dhe atë të 2016 që goditi Lacion, Umbrian dhe Abruzzon. “Ne e dimë se çfarë është të përballesh me urgjencën. Sa i vështirë dhe i mundimshëm është rindërtimi dhe sa e vështirë është t’ja nisësh nga e para. Ne jemi angazhuar për të dhënë mbështetje edhe për fazat e mëpasshme duke vënë në dispozicion teknikët tanë më të mirë dhe aftësitë e fituara në vitet e fundit, me një vëmendje të veçantë, sa i takon Ministrisë së Trashëgimisë Kulturorë për ruajtjen dhe rimëkëmbjen e trashëgimisë kulturore.

Përvoja na ka mësuar sesa e rëndësishme është në zonat e prekura nga tërmetet, të mbështesim rindërtimin material dhe shoqëror. Kjo do të thotë se nuk mjafton të ndërtohen vetëm shtëpi dhe rrugë. Rikuperimi i trashëgimisë kulturore do të thotë tu kthesh komuniteteve të goditura ato vende dhe ato simbole identiteti, në të cilat ato njohin vetveten, dëshmitë më domethënëse të së kaluarës së tyre. Për këtë arsye duke pranuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, ministri italian i Trashëgimisë Kulturore ka urdhëruar ndërhyrjen e Task Force-s italiane në zonat e prekura nga tërmeti në 26 nëntorin e kaluar” tha Orrico. Ajo nënvizoi se misionet do të zgjasin një javë dhe kontingjenti do të përbëhet nga zyrtarë të ministrisë në sektorë të ndryshëm : një arkitekt, një resturator dhe një fotograf si dhe dy oficerë të komandës së karabinierëve për mbrojtën e trashëgimisë kulturore. “Është një staf që ka fituar eksperiencë për vënien në siguri të trashëgimisë kulturore, më aftësi që tani do vihen në Shqipëri. Vëmendje e veçantë do tu kushtohet zonave më të prekura në një rreze prej 50 kilometra nga qendra tërmetit.

Do përgatitet një relacion për veçoritë dhe shtrirjen e dëmeve të pësuara mbi trashëgiminë kulturore, do përcaktohen masat për pasuritë e luajtshme dhe paluajtshme si dhe do japë udhëzimet e para teknike për përgatitjen e qendrave të depozitimit në të cilat do vendosen përkohësisht objektet e trashëgimisë të dëmtuara ose në rrezik”.

 

“Pas tërmetit ju duhet më shumë marketing dhe reflektim mbi problematikat”

Intervistë me Alekandar Senicic, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Agjencive Turistike të Serbisë

 

Shqipërisë i duhet të marketojë më shumë veten ndërkombëtarisht për të zbehur imazhin negativ që mund të ketë lënë pas tërmeti i 26 nëntorit. Alekandar Senicic, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Agjencive Turistike të Serbisë shprehet se ndoshta ky është edhe një moment që vendi ynë të reflektojë mbi problematikat që ka pasur më parë sektori i turizmit duke bërë që gjithmonë e më shumë të huaj të kthejnë vëmendjen drejt saj si destinacion. Ai nënvizon se Shqipëria Ia ka dalë që 10 viteve të fundit të kthehet në një destinacion gjithmonë e më të preferuar dhe ka të gjitha asetet natyrore që t’i garantojnë sukses.

 

A mund të kemi një opinion për turizmin në Shqipëri, si e shihni ju sot?

Shoh se jeni një destinacion që po rriteni shpejt kjo është diçka që e kam vënë re 10 vitet e fundit. Shqipëria ka mundësi shumë të mira për tu bërë një nga vendet më të famshme të zonës së Mesdheut në të ardhmen. Keni bregdet shumë të bukur, dalje në det, një industri hoteliere në zhvillim që ka edhe ndikimin më të madh në turizëm gjithashtu. Ky moment është shumë specifik sepse jeni përballur me një tërmet vitin e shkuar, ndaj ju duhet të keni qëndrueshmëri të aktivitetit marketues në përpjekje për të tërhequr njerëzit që të kthejnë vëmendjen tek ju si destinacion dhe që duhet të vijnë t’ju vizitojnë. Po kështu, nga ana tjetër, kjo është një mundësi ndoshta për të ndryshuar disa aspekte që kanë qenë problematike në të kaluarën. Vëmendja ndaj turizmit është faktor kyç ndaj mendoj se po ecni shumë mirë. Mendoj se në vitet e ardhshme do të keni shanse të mira bashkë me rajonin për promovim si paketë e përbashkët.

 

Mendoni se kemi më shumë shanse për sukses nëse operojmë me një paketë të përbashkët?

Padyshim që kjo mund të funksionojnë në varësi edhe të tregjeve. Nëse llogarit një numër të madh turistesh nga Azia apo nga vendet përtej oqeanit duhet të lobohet për paketën rajonale. Por gjithashtu duhet të zhvilloni vendin edhe si destinacion unik. Keni disa tregje që ndoshta duhet ti ftoni dhe të përpiqeni t’iu shisni oferta, pasi janë tregje të tilla të mëdha në Europë. Ju ia keni dalë të keni rritje dhe të merrni vëmendje, por pse jo të mos keni vëmendjen që ka Greqia apo Serbia. Çdo gjë në vendin tuaj duhet ta nxirrni në pah dhe ta promovoni në mënyrën më të mirë për të marrë rezultate më të mira nga sektori i turizmit.

 

Lyben Kanchev, zv.ministër i Turizmit në Bullgari

Turizmi është një sektor, zhvillimi i suksesshëm i të cilit varet shumë nga shumë sektorë të tjerë të ekonomisë. Një prej tyre është lidhshmëria në transport pra konektiviteti. Përmirësimi faktik i infrastrukturës së Korridorit të 8 Panuropian që lidh bregdetin e Detit të Zi të Bullgarisë me qytetin e Durrësit do t’i jepte një shtytje të fortë marrëdhënieve dypalëshe në disa aspekte . Dua t’ju kujtoj se turizmi është një nga mënyrat e drejtpërdrejta të afrimit të kulturave të popujve të ndryshëm dhe të mësuarit nga njëri-tjetri.

 

Zdravko Pocivalsek, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Slloveni:

Duhet të pranojmë që turizmi është sektor shumë i mirë i ekonomisë, me shumë efekte. Siguron vende të reja pune dhe ka ndikim jashtëzakonisht të madh në zhvillimin e rajonit. Po kështu mund të konsiderohet si një instrument i shkëlqyer për të lidhur njerëzit, për të mësuar nga njëri-tjetri e pranuar diversitet. Ne kemi shumë mundësi për të fuqizuar bashkëpunimin turistik mes dy vendeve. Këtë mund ta bëjmë mes investimeve të përbashkëta, ëorkshopeve seminareve si dhe nxitjes e përgatitjes së aktiviteteve turistike në të dy vendet.

 

Frano Matušić Sekretar i Shtetit, Ministria e Turizmit Kroaci

Ne në Kroaci kemi pasur të njëjtën situatë dikur në kohën e luftës dhe hotelet iu gjendën njerëzve. Ajo që ka rëndësi tani është të kujdesemi dhe të nisim rindërtimin. Kroacia mbetet e gatshme të ofrojë shkëmbim asistence për çdo aspekt. Që kur Krocia ka marrë Presidencën në KE ka pasur në vëmendje vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, për procesin e zgjerimit. Ne shpresojmë që në maj, kur të mbahet takimi në Zagreb, vendimi i gabuar që u mor në takimin e fundit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të rregullohet shpejt.

 

Kreshkik Bekteshi Ministër i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut:

Në rastin e katastrofave të tilla ka një numër më të vogël të turistëve që vizojnë këto zona. Pikërisht me evente të tilla që promovojnë dhe me mbështetjen e gjithë jam i bindur që do të ketë rritje të numrit të turisteve e do të hapen më shumë vende pune. Ne na mbetet së bashsku që të mbështesim Shqipërinë të rindërtojë. Me siguri Maqedonia e Veriut nuk ka det por në të kaluarën një pjesë e mirë e qytetarëve të saj kanë shfrytëzuar detin shqiptar. Ndaj bëj thirrje që pikërisht mbas ngjarjeve të tilla edhe më shumë të vizitojnë bregdetin shqiptar.

 

Renata Pindzo Zv.ministre e Ekonomisë dhe Zhvillimit, Serbi

Mendojmë se turizmi mund të jetë një vlerë e shtuar për të gjitha marrëdhëniet tona në rajon. I gjithë rajoni është ende i paeksploruar plotësisht sa i takon turizmit. Ka vende shumë tërheqëse të cilat ne mendojmë që të jenë shumë më të mira në të ardhmen e afërt. Rritja në të ardhmen do të jetë e qëndrueshme dhe zhvillimi do të jetë më i fortë nëse do të përqendrohemi tek përdorimi optimal i burimeve mjedisore duke respektuar vlerat sociale, duke ofruar përfitime ekonomike për të gjithë palët në bazë të parimit të zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Qazim Hodzic Zv.ministër i Turizmit dhe Zhvillimit, Mali i Zi

Unë kam studiuar në Shqipëri në vitet 2004-2008. Pamja që ka sot Shqipëria pas aq shumë vitesh është shumë më e bukur andaj mendoj që rimëkëmbja do jetë e shpejtë. Shpesh më pyesin nëse Shqipëria është konkurrente për Malin e Zi. Normalisht që jo, sepse unë mendoj që jemi më të fortë si rajon, duke pasur parasysh kohët e fundit tregjet e treta që na vijnë nga Amerika e Jugut dhe Azia. Ato gjithmonë planifikojnë pushimet 10 ditë, ndaj vizitojnë Serbi, Kosovë, Shqipëri e me radhë. Mendoj se bashkë mund të ecim më të fortë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of