Shqipëria është shndërruar tashmë në një vend tërheqës për turizmin shëndetësor, ku vendin kryesor e zënë shërbimet dentare, gjithashtu edhe ato estetike.
Sipas të dhënave të INSTAT, në 9 muajt e parë të 2017 numri i të huajve të cilët kanë ardhur në Shqipëri për trajtim shëndetësor kanë qenë 378, më rënie rreth 24 % nga e njëjta periudhë e një viti më parë, në të cilën ishte 499.
Sipas studimeve, personat e gatshëm për të udhëtuar për shërbimet dentare apo trajtimet estetike kanë si kriter parësor për vendimin e tyre cilësinë e lartë të shërbimit, koston e ulët dhe pajisje me teknologji të përparuara.
Shkaku i ardhjes së turistëve dentarë vijon të jetë çmimi.
Klinika të ndryshme në kryeqytet tregojnë se sidomos për shërbime dentare si proteza, implantologji etj., çmimet janë deri në 70% më të lira se në Itali, nga ku mbërrijnë pjesa më e madhe e pacientëve.
“Nëse në Itali, për një implant duhet të paguash deri në 1500 euro, në Shqipëri, çmimi nuk i kalon 650 euro”, – pohojnë ata.
Ndërsa pushimet duket se janë arsyeja kryesore që të huajt vizitojnë vendin tonë, numri i të cilëve është rritur në 9 mujorin e 2017. Nga ana tjetër për arsye biznesi dhe profesionale thuajse 52 mijë persona kanë hyrë në Shqipëri për 9 muaj, me rritje nga një vit më parë. Gjithashtu arsye të tjera, që citon raporti i INSTAT, janë arsye fetare, vizita te miq e të afërm, vizita ditore, udhëtarë tranzit etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.