Në Shqipëri numërohen disa pika ku ka prani të burimeve dhe ujërave termale. Një pjesë e tyre edhe frekuentohen shpesh për vetitë kuruese që kanë. Deri më sot, kjo është një pjesë që ka mbetur jashtë vëmendjes së planeve të zhvillimit, por jo edhe për shumë gjatë, të paktën nga sa thuhet në dokumente zyrtare.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bën me dije se në kuadër të nxitjes së turizmit shëndetësor do të kryhet një studim fizibiliteti për të gjithë vendburimet e ujërave termalë në Shqipëri.
“Për zhvillimin e mëtejshëm të produktit turistik shëndetësor, në të ardhmen synohet realizimi i një studimi fizibiliteti në disa vendburime termale në Shqipëri, si dhe hartimi i një plani veprimi për zhvillimin e turizmit shëndetësor në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Ngritja e një shoqate profesionale kombëtare për turizmin shëndetësor, me fokus në testimin e tregut, ofrimin e informacionit, edukimin dhe bashkëpunimin me shoqatat dhe anëtarësinë në organizatat ndërkombëtare, do të kishte një impakt pozitiv në zhvillimin e sektorit të turizmit ” thuhet në një dokument të fundit të qeverisë.
Aktualisht në vend njihen disa pika si burime të ujërave termalë si ato të Biljat, Bënjës apo Vronomeros. Më të famshme janë llixhat (burime të ujërave termale) e Elbasanit dhe ato të Peshkopisë ku ka edhe një numër të madh frekuentuesish.
Gjithsesi infrastruktura në këto zona është cilësuar e dobët dhe me investime modeste duke ndikuar kështu në kufizimin e potencialit real që mund të paraqesin ujërat termale në vend. Kryesisht vizitorët në qendrat e kurimit të ngritura pranë llixhave janë nga Kosova, por numri i strukturave mbetet ende i kufizuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.