Turizmi s’po përfiton nga paketa e dytë, Unioni: Mbeten pa ndihmë punonjësit e palarguar dhe ata sezonale, hotelet kanë shkurtuar 70% të stafeve

05/05/2020 11:02 PM 0 komente

Nga paketa e dytë financiare e cila ka nisur të shpërndahet që prej 21 prillit numri më i ulët i përfituesve është për punonjësit në sektorin e turizmit. Nga të dhënat e përditësuara nga Tatimet deri më 5 maj, kërkesa për ndihmë 40 mijë lekë u aprovua për 1,930 individë. Qeveria parashikon që për këtë sektor të përfitojnë 10 mijë të punësuar për 1,214 biznese. Por deri tani vetëm 19% e atyre që parashikohet të përfitojnë u është miratuar kërkesa për pagën.

Rrahman Kasa kryetar i Unionit Turistik Shqiptar jep dy arsye për numrin e ulët deri tani të përfituesve në këtë sektor.  Shumë kërkesa janë refuzuar për shkak të kriterit të vendosur për largimet nga puna deri më 12 prill, nëse largimi është pas këtij afati ndihma refuzohet.  Arsyeja e dytë është se 60 mijë të punësuar sezonale që punësohen në periudhën maj-shtator kanë mbetur jashtë paketës. Kasa shpjegoi për “Monitor” se me paketën e dytë nuk përfitojnë të gjithë të punësuarit e sektorit, por vetëm të larguarit para datës 12 prill të hoteleve, agjencive turistike, tur operatorëve që janë biznese të mëdha.

Për numrin në total të larguarve nga puna te biznesi i madh pritet që nga Unioni Turistik shifra të zyrtarizohet pas përpunimit të të dhënave, por paraprakisht në total në të gjithë sektorin numri i të larguarve nga listëpagesat e sigurimeve shoqërore është rreth 20 mijë persona.

“Në hotelet e mëdha janë hequr nga puna 70% e të punësuarve, pra në rast se një hotel kishte të punësuar 350 punëtorë, hoqi nga puna 70% të tyre para datës 10 prill dhe këta punonjës kanë përfituar automatikisht ndihmën, pasi ishin të larguar nga listëpagesat e sigurimeve para këtij afati. Shkurtimi i punonjësve ka ardhur për shkak të situatës të krijuar, kur aktiviteti i hoteleve ndaloi, si dhe duke pasur parasysh faktin se kufizimet do të zgjasnin, për ata punonjës që ishte e mundur u paguan pagat e muajit mars, një pjesë shfrytëzoi edhe lejen e zakonshme, kurse pjesa tjetër deri në 1 prill u hoqën nga puna.”

Për periudhën mars-prill numri total i të larguave nga skema e sigurimeve (përfshirë turizmin) sipas drejtoreshës të tatimeve, Delina Ibrahimaj është 61 mijë persona. Nga këta të larguarit deri më 10 prill janë 57 mijë persona të cilat përfitojnë ndihmë nga paketa 1 dhe 2, ndërsa janë 4 mijë të larguar pas këtij afati që nuk do të përfitojnë ndihmë.

Zoti Kasa nuk mohon faktin se shumë nga bizneset nuk kanë aplikuar për punonjësit e larguar, për shkak të mentalitetit, por me nisjen e aplikimit të gjobave, mund të rikthehen të kryejnë aplikimet. Numri i ulët i përfituesve të ndihmës në këtë sektor lidhet edhe me punonjësit sezonale ku 60 mijë prej tyre mbeten jashtë skemës.

“Në këtë periudhë hotelet kanë një numër të ulët të punësuarish. Psh nëse unë gjatë kësaj periudhe kam 12-13 të punësuar, gjatë muajve të verës numri i tyre shkon në 70 të punësuar. Shumica e të punësuarve në sektorin e turizmit janë sezonale. Në total numri i të punësuarve në sektorin e turizmit me të punësuar sezonale dhe të përhershëm është 100 mijë, ku 60 mijë janë sezonalë. Këta punonjës punojnë për periudhën maj dhe shtator në turizëm dhe kanë mbetur jashtë paketës të ndihmës.”

Sipas të dhënave të DPT numri i punonjësve të turizmit që ka aplikuar është 4,451 apo rreth 5% e totalit të aplikimeve në tatime që janë 100,022 individë. Nga këto 1,930 kërkesa janë miratuar dhe 2,308 janë të refuzuara.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of