Turqi-Greqi, një përplasje e paparashikuar

16/10/2020 10:02 PM 0 komente

Një përplasje e paparashikuar. Turqia zotëron anije më të shumta dhe më të reja

 

“Ne u dhamë turqve një mësim në artin e lundrimit”, mburret Andreas Stefanopulos, një rezervist në marinën e Greqisë, shkruan The Economist.

Në Athinë, nuk është zbehur ende patriotizmi agresiv që përfshiu vendin pas një përplasjeje në Mesdheun Lindor më 12 gusht, kur një fregatë e re turke pësoi dëme të dukshme, ndërsa fregata 40-vjeçare greke shpëtoi e padëmtuar. Gjendja morale e Forcave të Armatosura është “më e larta që kam parë ndonjëherë”, deklaroi një ish-ministër grek i Mbrojtjes. “Forca detare dhe ajrore po presin me padurim për t’u përballur me turqit”.

Greqia shkëlqen vërtet si fuqi detare. Nëndetëset e saj të modeluara në Gjermani janë “pothuajse të pazbulueshme nga hidrolokatori turk”, thotë Emmanuel Karagiannis nga King’s College në Londër, dhe korvetat e saj të mprehta janë të armatosura me raketa franceze Exocet, i njëjti lloj që u përdor kundër Marinës Mbretërore në luftën e Falklandit. Flota detare e Greqisë do të kishte “fuqi të konsiderueshme zjarri” në kufijtë e Egjeut, thotë zoti Karagiannis. Por “i mungojnë mjetet për të projektuar fuqinë në ujërat e thella të Mesdheut Lindor”, paralajmëron ai.

Midis viteve 1970 dhe 2020, Greqia ka porositur 30 nëndetëse sulmuese, fregata dhe korveta që janë ende operacionale, ndërsa Turqia ka porositur 38, sipas shifrave të mbledhura nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), në Londër. Flota greke gjithashtu po plaket, ndërsa Turqia po prodhon anije luftarake moderne. Greqia, tashmë në gjendje të ngushtë ekonomike, nuk ka më mundësi të blejë fregatat moderne franceze të nivelit të lartë, duke zgjedhur në vend të tyre korveta britanike më të vogla dhe më të lira.

Greqia është veçanërisht e shqetësuar për sigurinë e Kastellorizo, një ishull i vogël larg territorit grek dhe vetëm një milje larg bregdetit turk. Ai qëndron në zemër të krizës aktuale. Megjithëse Turqia nuk e pretendon zyrtarisht ishullin, ajo e kundërshton idenë se një territor i tillë i vogël duhet të ketë zonën e vet ekonomike ekskluzive dhe ankohet se Greqia ka shkelur marrëveshjet për çmilitarizimin e këtij ishulli dhe ishujve të tjerë.

Kastellorizo, që u vizitua nga presidenti i Greqisë më 13 shtator, nuk është i lehtë për t’u mbrojtur. Zotërimi i një helikopter-transportuesi nga Turqia do të forcojë aftësinë e saj për të montuar operacione amfibe, përfshirë edhe pushtimin e ishujve, thotë Hugo Decis nga IISS.

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë dobësi, gjenerali i lartë grek ka paralajmëruar se çdo konflikt lokal do të përshkallëzonte shpejt në një luftë në shkallë të plotë. Një kundërpërgjigje greke, thotë zoti Karagiannis, duhej të ndodhte në një terren më të favorshëm, siç është rajoni i lumit Evros, në kufirin tokësor midis dy vendeve. Por tanket greke janë në gjendje të keqe dhe kufiri është minuar shumë. Nuk është “me të vërtetë një propozim realist në këto kohë”, thotë një atashe ushtarak perëndimor.

Greqia po përpiqet me vështirësi të ngushtojë hendekun e dizavantazhit. Në gusht, ministri i Financave premtoi të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, të cilat ranë ndjeshëm pas krizës financiare. Çdo vit, Greqia harxhon më pak se 5 miliardë dollarë në mbrojtje, sa një e treta e asaj që shpenzon Turqia.

Më 12 shtator, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, njoftoi planet për të blerë 18 avionë luftarakë francezë Rafale, shumica prej të cilëve do të ishin “paksa të përdorur”, plus katër helikopterë dhe armë të përparuara. Ai gjithashtu premtoi të blinte katër fregata të reja dhe të rinovonte të vjetrat. Por avionët e parë do të jenë në dispozicion vetëm vitin e ardhshëm dhe anijet, ndoshta edhe më vonë. Kështu, Greqia do të jetë në dizavantazh armësh për një farë kohe.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of