Shitja e banesave të huajve vazhdon të regjistrojë rritje për 3 muaj me radhë. Në tetor rritja ka qenë 2% në krahasim me shtatorin, duke shënuar edhe shifrën më të lartë në bazë mujore për periudhën janar-tetor 2019.
Në periudhën 10-mujore të vitit 2019 të huajt kanë blerë në Turqi 36 mijë e 197 banesa, kurse vitin e kaluar për të njëjtën periudhë shifra ka qenë 30 mijë e 431. Një rritje prej 19% (për periudhën janar-tetor) tregon se interesi i të huajve ndaj patundshmërive në Turqi vazhdon të jetë në rritje.
Përfaqësuesit e sektorit rikujtojnë se vitin e kaluar të huajve iu shitën 39 mijë e 663 banesa, kurse këtë vit shifra do të shkojë me lehtësi deri në 40 mijë banesa, madje mund të kapë edhe rekordin e të gjitha kohërave, 45.000.
Stambolli qëndron me një diferencë të madhe në krye të metropoleve që shtetasit e huaj preferojnë të blejnë banesë. Vetëm në tetor të huajt kanë blerë në Stamboll 2 mijë e 43 banesa, kurse në periudhën janar-tetor të huajt janë bërë pronar të 16 mijë e 322 banesave në Stamboll.
Kurse vitin e kaluar shtetasit e huaj kishin blerë në Stamboll 14 mijë e 270 banesa, shifër kjo që këtë vit është tejkaluar që në 10-mujorin e parë.
Përfaqësuesit e sektorit janë të mendimit se të huajt këtë vit mund të bëhen pronarë të 20 mijë banesave në megaqytetin e shtrirë në dy kontinente, Stamboll.
/TRT TURKEY