Ka përfunduar votimi i diasporës turke në referendumin mbi ndryshimet kushtetuese, ndërsa Komisioni i Lartë Zgjedhor i Republikës së Turqisë (YSK) ka deklaruar se kanë votuar më shumë se 1.2 milionë qytetarë turq që jetojnë jashtë vendit.
Referendumi për ndryshimet kushtetuese dhe futjen e sistemit presidencial të qeverisjes në Turqi do të mbahet më 16 prill, kurse diaspora turke në 57 shtete ka votuar në ditët e kaluara në një total prej 120 vendvotimeve që ishin hapur në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në vende të botës.
Rreth 70,000 shtetas turq që jetojnë jashtë vendit kanë votuar në vendkalimet kufitare dhe aeroporte. Afër 2.9 milionë qytetarë turq jashtë vendit janë të regjistruar dhe kanë të drejtë vote. Ky është procesi i katërt zgjedhor në të cilin është përfshirë drejtpërdrejt edhe diaspora turke.
Fundjavën që kaloi votuan dhe qytetarët turq që jetojnë në rajon, duke përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Diaspora, për herë të parë pati mundësinë për të votuar në zgjedhjet që u mbajtën në Turqi në vitin 2014. Pjesëmarrja e atëhershme e votuesve ishte vetëm 8 për qind, kurse më pas u regjistrua trend i vazhdueshëm në rritje.
Më shumë se 600,000 turq votuan në Gjermani, ku dhe jeton komuniteti më i madh, ndërsa në Francë kanë votuar 123.000 votues.
Në SHBA kanë votuar 35.000 turq, ose 35% e të regjistruarve, shifër kjo që paraqet rekord të diasporës turke në Shtetet e Bashkuara.
Diaspora turke ditën e djeshme votoi edhe në Kazakistan, Australi, Arabinë Saudite, Gjeorgji si në shumë vende të Afrikës. /Anadolu Agency (AA).