Turqia ka administruar deri më tani më shumë se 10 milionë doza vaksinash të koronavirusit në të gjithë vendin, sipas shifrave zyrtare të publikuara këtë të hënë.
Sipas të dhënave të Ministrisë Turke të Shëndetësisë, mbi 7.57 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa kanë përfunduar procesin e vaksinimit më shumë se 2.44 milionë persona.
Në Stamboll, shtëpinë e gati një të pestës së popullsisë së Turqisë, janë administruar mbi 1.59 milionë doza, duke përfshirë më shumë se 1.17 milionë qytetarë me një dozë, dhe 419,717 të tjerë që kanë marrë të dyja dozat.
Pas Stambollit, më shumë se 823 mijë doza janë administruar në kryeqytetin turk, Ankara.
Më 14 janar, Turqia filloi një fushatë masive vaksinimi, duke filluar me punonjësit e kujdesit shëndetësor së bashku me zyrtarë të lartë për të inkurajuar besimin e publikut në vaksinat.
Turqia filloi të lehtësojë gradualisht masat kufizuese nga fillimi i këtij muaji.
Vendi deri më tani ka konfirmuar më shumë se 2.78 milionë raste, ndërsa mbi 29 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit.
Pandemia ka marrë gati 2.59 milionë jetë në 192 vende dhe rajone të botës, që kur u shfaq për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Kinë./AA