Bullgaria nuk është vetëm fqinj i Turqisë, por edhe porta jonë për në Europë, deklaroi kryetari i Këshillit të Biznesit Turko-Bullgar, Zeki Saribekir, në një deklaratë me shkrim të cituar nga BNR.
“Bullgaria është një vend shumë i rëndësishëm për ne. Ai nuk është vetëm fqinji ynë, por edhe porta jonë për në Europë. Pjesa më e madhe e eksporteve në Europë, të cilat përbëjnë gjysmën e eksporteve të Turqisë, kalojnë përmes Bullgarisë. Çdo vit, më shumë se një milion kamionë TIR transportojnë mallra tregtare nëpër Bullgari nga pikat e kontrollit Kapakule, Derekoy dhe Hamzabeyli”, thotë Saribekir.
Sipas tij, shkëmbimi i mallrave që bën Turqia me Bullgarinë arrin në 4.5 miliardë dollarë në vit. Ky është një nivel i ekuilibruar, pasi eksportet e Turqisë në Bullgari arrijnë në shumën 2.4 miliardë dollarë dhe të Bullgarisë në Turqi në 2.1 miliardë dollarë.
“Në vitin 2021, ne planifikojmë të rrisim shkëmbimin e ndërsjellë të mallrave në 5 miliardë dollarë dhe presim që në vitin 2023, kjo shifër të arrijë në 6-7 miliard dollarë”, tha kryetari i Këshillit të Biznesit Turko-Bullgar, i cili vepron brenda Këshillit për Marrëdhëniet Ekonomike të Jashtme të Turqisë (DEIK).
Zeki Saribekir propozon të ngrihet një qendër e përbashkët logjistike me Bullgarinë në Europë, si dhe të intensifikohet transporti ro-ro.
“Rreth 20% e eksporteve tona në Europë mund të transportohen me tren. Ro-ro është një alternativë e mirë për transportin TIR. Bullgaria ka portet në Varna dhe Burgas, Rumania portin Costanta. Bari në Itali është gjithashtu një pikë e rëndësishme, por më e rëndësishme është të vendoset përparësi në kanalet alternative.
Ministria jonë e Tregtisë gjithashtu përqendrohet në krijimin e qendrave të logjistikës. Duke siguruar kalimin më të shpejtë të kamionëve TIR nëpër Bullgari dhe Ballkan, ne mund të krijojmë një qendër të përbashkët logjistike në Europë.
Nëse prezantojmë një kod ose sistem me barkod, do të kalojnë dy herë më shumë kamionë TIR nëpër dogana. Kjo nënkupton të paktën 20% të ardhura nga eksporti”, parashikon Saribekir.
Sipas tij, Bullgaria ka përparësi serioze për sipërmarrësit turq. Ai nënvizoi se kjo vjen për shkak të faktit se qeveria bullgare ka përcaktuar sektorët e saj përparësorë ku kostot e investimeve janë më të ulëta.
“Zonat industriale në Bullgari gjithashtu ofrojnë çmime të përballueshme. Përveç kësaj, investimet mbështeten nga bashkitë, dhomat lokale dhe të huaja të tregtisë dhe industrisë lokale dhe nga shteti.
Nga ana tjetër, meqenëse Bullgaria është anëtare e BE-së, ajo gjithashtu përfiton nga fondet e BE-së. Fondet për programe si inovacioni dhe konkurrenca, zhvillimi i burimeve njerëzore dhe zhvillimi rural, mund të përdoren për zhvillimin e biznesit”, vëren Saribekir.