Teksa Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka refuzuar rritjen e normave të interesit, Turqia po shkon drejt kontrolleve të kapitalit për të mbështetur monedhën e saj kombëtare, lirën. Analistët thonë se së shpejti mund të vijë një ngadalësim ekonomik.
Turqia, e cila ka vuajtur nga një krizë valutore gjatë muajve të fundit, po i afrohet gjithnjë e më shumë masave serioze për kontrollin e kapitalit. Lëvizja e fundit në një seri përpjekjesh të paprecedenta për të forcuar lirën pa rritur normat e interesit ka ardhur nga rregullatori bankar i vendit, BRSA.
Autoriteti turk njoftoi një direktivë të re më 24 qershor e cila ndalon kreditë tregtare në monedhën lira për disa firma. Sipas kësaj direktive, një kompani me asete cash në valutë të huaj prej më shumë se 15 milionë lira turke (895,000 dollarë; 856,600 euro) dhe që tejkalojnë 10% të aktiveve totale ose të shitjeve vjetore, nuk do të jetë në gjendje të marrë një kredi të re në monedhën vendase. Ky vendim nënkupton se kompanitë turke mund të detyrohen të fillojnë të shesin asetet e tyre në valutë.
Teza e Erdoganit për normat e interesit
Meqenëse qëndrimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ndaj normave të interesit është mjaft i qartë, banka qendrore e Turqisë (CBRT) dhe BRSA vazhdojnë të vendosin rregulla në një mënyrë që po e lëkund sistemin.
Duke pretenduar se normat e larta të interesit shkaktojnë akoma më shumë inflacion, edhe pse shumica e ekonomistëve thonë të kundërtën, Erdogan përsërit shpesh thirrjet e tij për ulje të normave të interesit. Pas një takimi të kabinetit në Ankara në fillim të këtij muaji, ai tha: “Kjo qeveri nuk do të rrisë normat e interesit, askush nuk duhet ta presë këtë nga ne. Përkundrazi, ajo do të vazhdojë të ulë normat.”
Turqia ka përjetuar probleme për shkak të dobësimit të liras dhe shkallës së lartë të inflacionit për muaj me radhë, pasi Erdogan ka refuzuar të lejojë rritjen e normave të interesit pavarësisht rritjes së inflacionit.
Një lira më pak e vlefshme rrit presionet e çmimeve të brendshme dhe, kur presioneve globale ndaj çmimeve të inputeve, veçanërisht të energjisë, u shtohen edhe çmimet e rritura për shkak të këmbimit valutor, normat e inflacionit vazhdojnë të rriten në përmasa më të mëdha krahasuar me shumë vende të tjera të ngjashme.
Kulmi i inflacionit në 24 vitet e fundit
Sipas të dhënave zyrtare, norma vjetore e inflacionit në Turqi ishte 21.3% në nëntor të vitit 2021. Më pas, inflacioni u rrit në 36% në dhjetor, në 61% në mars dhe në fund arriti 73.5% në maj, duke arritur nivelin më të lartë në 24 vjet.
Edhe kursi i këmbimit me dollarin është gjithashtu në rritje. Kjo normë, e cila nisi nga 7.43 lira për një dollar vitin e kaluar, arriti në 8 lira në mars të vitit 2021. Pasi qëndroi në këtë nivel për disa kohë, ajo tejkaoi shifrën 9 në tetor, arriti 11 në nëntorin e kaluar dhe theu rekordin e të gjitha kohërave më 20 dhjetor të vitit 2021, ku një dollar këmbehej me 18 lira.
Megjithatë, banka qendrore shmangu rritjen e normave të interesit, i cili është një nga mjetet për të ndaluar rritjen e kursit të këmbimit dhe të inflacionit. Megjithëse në katër muajt e fundit të vitit të kaluar noramat e interesit u ulën gjithsej me 500 pikë bazë, ato u mbajtën konstante në 14% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Teksa qëndrimi ndaj politikës monetare vazhdon të jetë shumë i lirshëm, banka qendrore dhe institucionet ekonomike përdorin masa margjinale për të mbështetur lirën.
Kompanitë do të ndikohen negativisht
Në fillim të vitit, banka qendrore njoftoi se eksportuesit tani do të duhet të konvertojnë në lirën turke 25% të fitimeve të tyre në dollarë amerikanë, në euro ose në paund.
Në prill, qeveria njoftoi se eksportuesit do të detyroheshin të konvertonin 40% të monedhës së tyre të huaj në lira.
Direktiva e fundit e BRSA synon gjithashtu të inkurajojë kompanitë që të këmbejnë valutë të huaj, por ekspertët e kritikojnë këtë hap pasi ai do të rrisë kostot e kredisë dhe do të shkaktojë shtrëngim të kushteve të kredidhënies.
Kështu, kompanitë ose do të shesin, ose nuk do të kërkojnë më valutë të huaj për të marrë kredi. Një mundësi tjetër është që ato do të reduktojnë tendencën e tyre për të përdorur kredinë, gjë që mund t’i hapë rrugë një ngadalësimi ekonomik.
Ekonomisti Arda Tunca mendon se shumë kompani do të ndikoheshin negativisht nga ky vendim. “Për shkak të strukturës së prodhimit të Turqisë, prodhuesit duhet të importojnë në mënyrë që të prodhojnë dhe të eksportojnë. Kjo është një domosdoshmëri për ta. Kompanitë duhet të blejnë valutë për të prodhuar. Edhe nëse këmbejnë monedhën që kanë, pas një farë kohe ato duhet të blejnë sërish valutë për të importuar”, tha ai për DW.