Për shkak të kushteve të motit dhe gjerësisë territoriale, duket se herët a vonë, Turqia do të bëhet një central elektrik i burimeve të rinovueshme. Afërsia e vendit me Europën tashmë të uritur për energji, është një përparësi strategjike shtesë.
“Kapaciteti total në vend është 7.8 gigavat në energjinë diellore dhe 10.7 gigavat në energjinë e erës. Para fundit të vitit, Ministria e Energjisë dëshiron të përfundojë tenderët e projekteve shtesë që arrijnë në 3 GW në energji të rinovueshme”, tha Eser Ozdil, anëtar në Këshillin Atlantik në Turqi.
Në muajt e fundit, vendi është përqendruar kryesisht në instalimet e sistemeve fotovoltaike në çati. Turqia ka investuar tradicionalisht në hidrocentrale dhe paksa, edhe në teknologjinë gjeotermale.
“Vendi ka pasur rritje mbresëlënëse në kapacitetin e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke arritur në 44% në vitin 2020. Hidrocentralet janë burimi më i spikatur i energjisë së rinovueshme, që përbëjnë 20% të prodhimit të energjisë elektrike”, konfirmoi një zyrtar i BE-së për DW.
Megjithatë, rritja e kërkesës për energji po pengon opsionet e tregtimit, të paktën në një periudhë afatshkurtër, duke i bërë eksportet e Turqisë të përshtatshme për tregje më të vogla. Vendi po synon tregun e gjelbër të hidrogjenit në BE dhe tregjet e energjisë në Europën Juglindore (EJL), kryesisht në Ballkan.
Pengesat
Përveç përparësive, hidrocentralet kanë edhe anë negative. Ashtu si vendet fqinje, edhe Turqia po vuan nga thatësira.
“Vitin e kaluar, thatësirat patën ndikim shumë të fortë në vend, i cili nisi përdorimin e gazit. Konsumi i gazit shkoi nga 48 miliardë metra kub (mmk) në vitin 2020, në mbi 60 mmk në vitin 2021 për këtë arsye”, tha Aura Sabadus për televizionin ICIS. Ekspertja e tregut të energjisë në Detin e Zi, shtoi se nivelet e hidrocentraleve ishin përmirësuar vetëm paksa që atëherë.
Ekspertët argumentojnë se vendi ka nevojë për kapacitet shtesë për të rritur investimet në burimet e rinovueshme, pasi rrjeti elektrik mund të mos jetë i qëndrueshëm. Qeveria ka investuar në infrastrukturën e gazit dhe në një stacion të ri të energjisë bërthamore. Megjithatë, mbeten vështirësi.
“Është e paqartë se si duhet të rregullohet tregu i energjisë elektrike derisa centrali bërthamor Akkuyu të vihet në punë. Mund të ketë vonesa për shkak të situatës aktuale gjeopolitike. Një kompani ruse po e ndërton atë”, tha Charles Ellinas, i cili punon në Këshillin Atlantik.
Importet e gazit do të jenë të kufizuara gjatë muajve të ardhshëm: Çmimet do të mbeten të larta, ndërkohë që Bashkimi Europian kërkon të distancohet nga gazi rus.
Vitin e kaluar, Turqia rinovoi kontratat e gazit me Rusinë. Çmimet e BE-së po rriten dhe gazi rus gjithashtu do të jetë më i shtrenjtë. “Me një ekonomi që është në një gjendje kaq të vështirë, kostoja e importeve është një barrë për stabilitetin financiar të Turqisë”, tha eksperti për DW.
Pavarësisht se Turqia ka shënuar rritje prej 11% në vitin 2021, ekonomistët presin një vit të trazuar për vendin: monedha vendase ka rënë, inflacioni po rritet dhe lufta ruse kundër Ukrainës po dëmton turizmin.
Më shumë mundësi
Kapaciteti i tregtimit ndërkufitar të energjisë elektrike ka qenë minimal. Sipas Sabadus, kapaciteti i energjisë elektrike nga Turqia në BE, ishte 500 – 600 MW në vitin 2015.
“Kapacitetet e ndërlidhjes duhet të rriten në mënyrë të konsiderueshme” – tha Eser Ozdil në Këshillin Atlantik.
Kompanitë turke po investojnë në Ballkan, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë. Fokusi kryesor është në tregjet e gazit, pasi Turqia mund të mbështetet në katër (së shpejti pesë) terminalet e saj të gazit natyror të lëngshëm, që zakonisht nuk kanë veprimtari në pranverë dhe në verë.
Përveç kësaj, kompanitë turke dhe ballkanike mund të zhvillojnë projekte të përbashkëta të energjisë elektrike, sipas Ozdil./DW