Turqia ka ulur sërish normat e interesit, pavarësisht inflacionit shumë të lartë dhe krizës së monedhës vendase.
Banka e saj qendrore uli normën e saj kryesore të interesit me 1%, nga 15% në 14%, kryesisht si pasojë e presionit nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan për uljen e normave në mënyrë që të stimulohet ekonomia.
Ai beson se ulja e normave të interesit do të ndihmojë në zbutjen e inflacionit të lartë.
Kjo është një pikëpamje që bie ndesh me teorinë konvencionale ekonomike.
Me këtë lëvizje të pritur nga të gjithë, banka qendrore turke zgjodhi të vazhdojë rrugën e saj të uljes së normave të interesit ditën e enjte, duke i reduktuar ato me 1 pikë përqindjeje.
Në një deklaratë, banka e krahasoi vendimin e saj me ato të bankave të tjera të mëdha qendrore, të cilat i kanë mbajtur normat e ulëta gjatë pandemisë së koronavirusit për të ndihmuar nxitjen e rritjes ekonomike.
Politikëbërësit turq janë nën një presion në rritje nga zoti Erdogan për të ulur normat e interesit.
Gjatë vitit të kaluar, shkalla e rritjes së çmimeve në Turqi është rritur mbi 21%, duke e bërë të vështirë për turqit që të planifikojnë, të kursejnë ose të shpenzojnë para për mallrat dhe shërbimet e përditshme.
Lira turke ra ndjeshëm kundrejt dollarit pas uljes së normave të interesit dhe kjo është ulja e katërt e tillë në po aq muaj.
Monedha tani ka pakashumë gjysmën e vlerës që kishte në fillim të vitit.
Presidenti dhe aleatët e tij thonë se normat e ulëta të interesit do të nxisin eksportet, investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Turqi.
Por shumë ekonomistë thonë se uljet e tilla të normave të interesit janë të pamatura.
Muajin e kaluar, norma e inflacionit në vend arriti nivelin 21.7%.
Normalisht, bankat qendrore rrisin normat për të luftuar rritjen e çmimeve, por zoti Erdogan i ka quajtur mjete të tilla si “nëna dhe babai i çdo të keqeje”.
Megjithëse banka është përpjekur të forcojë vlerën e lirës duke përdorur rezervat e saj në dollarë për të blerë monedhën, analistët thonë se ajo nuk ka mjaftueshëm fuqi për të ndaluar rënien e tillë të vlerës së lirës turke./ BBC