Paralel me investimet e Stakraft në HEC-et e lumit Devoll, me Banjën dhe Moglicën, në Veri të vendit, kompania turke Ayen Energy ndërtoi dhe vuri në punë vitin e kaluar HEC Fangun, me kapacitet 74,6 MW.
Ky është HEC-i me kapacitetin më të madh të prodhimit i vënë në punë nga një kompani private, duke tejkaluar edhe kapacitetin e HEC-eve të Banjës dhe Ashtës. HEC-i i Fangut renditet i katërti për nga kapaciteti i prodhimit, pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore.
Ky është HEC-i i dytë në vend i ndërtuar nga kompania turke Ayen pas atij të Peshqeshit me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë. Në vitin 2017, Ayen ishte prodhuesi më i madh privat i energjisë me kapacitet të instaluar 102.5 MW.
Ayen As Energy e nisi aktivitetin në vendin tonë në vitin 2012, për realizimin e projekteve të HEC-eve me koncesion në lumin e Fanit në Veri të vendit me HEC-et Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangu, të cilët gjithsej kanë kapacitet të instaluar gjithsej 109.71 MW.
Projekti i HEC-eve në lumin Fan ka krijuar një digë mes shkëmbinjve dhe 12 kilometra tunel energjie, si investime për HEC-in e Peshqeshit. Ndërsa HEC-i Ura e Fanit dhe Fangu kanë 75.71 MW, së bashku, Trupi i digës ka 92 metra lartësi dhe uji kalon në 10 kilometra tunel. Energjia e prodhuar nga këto HEC-e zë 7.8% të nevojave në konsumin e energjisë elektrike në vend.
Enti Rregullator i Energjisë në korrik të vitit të kaluar miratoi modifikimin e licencës së shoqërisë “Ayen As Energy”. Shoqëria Ayenu licencua në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike në HEC-et Gojan, Gjegjan, Peshqesh dhe Fangu, me fuqi totale të instaluar 110.54 MW, me vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE-s.
Numri i hidrocentraleve që prodhojnë energji vitin e kaluar arriti në 152, nga 146 që ishin më 2017, duke përshirë edhe HEC-et në pronësi të KESH dhe ato të zotëruara nga privatët.
Këtë vit pritet të mbyllen punimet në HEC-in e Moglicës në Devoll, i cili do të ketë kapacitet të instaluar prej 172 MW dhe një prodhim mesatar vjetor prej 475 GWh. Teksa HEC-i i Banjës kapacitet vetëm 70 MW, sipas burimeve zyrtare të kompanisë.
Borxhlinjtë e energjisë
Institucionet që menaxhohen nga shteti, administrata publike dhe ndërmarrjet shtetërore janë duke përkeqësuar performancën financiare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE e cila filloi të përmirësohet pas vitit 2014 me rritjen e arkëtimeve nga konsumatorët familjarë.
Sipas të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë, borxhet ndaj OSHEE në vitin 2017 arritën vlerën më të lartë historike në 72.8 miliardë lekë(543 milionë euro) me një rritje 3% nga viti i kaluar. Vlera më e lartë e detyrimeve u shënua në vitin 2014 me 71.4 miliardë lekë.
Ndikimin më të madh në rritjen e borxheve ndaj OSHEE-së e dhanë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat rritën detyrimet ndaj OSHEE-së me rreth 32%, me një vlerë 10.6 miliardë lekë ose 79 milionë euro.
Në të kundërt, konsumatorët familjarë kanë ulur më tej detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes,me rreth 6 milionë euro vitin e kaluar. Detyrimet totale ranë në 50.7 miliardë lekë nga 51.1 miliardë lekë që ishin më 2016.
Teksa borxhi i konsumatorëve familjarë ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi, pas një rritje galopante që pësuan këto detyrime gjatë periudhës 2009 – 2013, kategoritë e tjera të konsumatorëve, ku përfshihen bizneset private dhe shtetërorë kanë rritur më tej ekspozimin ndaj OSHEE-së.
Borxhi i bizneseve ndaj OSHEE u rrit me rreth 3 milionë euro, duke e çuar vlerën totale të detyrimit në 11.4 miliardë lekë nga rreth 1 miliard lekë që ishin detyrimet deri në fund të vitit 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.