Tatimi mbi vlerën e shtuar për sektorin e gastronomisë në Kosovë nga 1 janari është kthyer sërish në 18 për qind, nga 8 për qind sa ishte vitin e kaluar. Gastronomët paralajmërojnë protesta e rritje të çmimeve në produkte.
Një ndryshim ka hyrë në fuqi nga 1 janari në Kosovë. Bëhet fjalë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar e cila sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ishte 8 për qind. Megjithatë ky afat i paraparë me këtë ligj tashmë ka kaluar dhe TVSH-ja është rikthyer në 18 për qind.
Gastronomët po paralajmërojnë rritje të produkteve sepse edhe çmimet e mallrave të tjera tashmë janë rritur.
Përqindja e tatimit u kthye pas një viti e gjysmë që ishte 8 për qind pasi afati i dhënë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike tashmë ka skaduar.
Gastronomët deklarojnë se rikthimi i tatimit nga 8 në 18 për qind do të ndikojë në rritjen e çmimeve të pijeve dhe ushqimeve në lokale.
“Për neve është absurde. Ne detyrohemi automatikisht me bo rritje të çmimeve ndryshe s’mundemi me ja dalë”.
Nëse s’do të ketë ndryshim të këtij vendimi ata paralajmërojnë protesta.
Flamur Smajli, menaxher në njërin nga lokale në Prishtinë ka thënë se kthimi i vlerës së TVSh-së do të shkojë në dëme të bizneseve duke marrë për bazë se edhe nuk janë ndihmuar nga Qeveria për të përballuar dëmet e shkaktuar nga pandemia.
Madje ai thotë se nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër veç se të dorëzohen, duke për përmendur edhe kufizimin e orarit të punës për këtë sektorë si pengesë të madhe.
“Kthimi i 18% na ka dëmtuar se duke llogaritur se ne kemi qenë të dëmtuar edhe pandemisë, nuk kemi pas shtesa, ndihma prej Qeverisë edhe Ministria ka premtuar se 8% ka me vazhduar deri sa të është pandemia, por kjo nuk vlejti prej neve. Prej 1 janarit d.m.th ja kemi nis me 18% TVSh. Normal që ka ndikuar se rritja e TVSh-së, qeto e kem pas bile një lehtësim bile sadopak për pandemi me na ndihmuar, neve na ka mbet tash veç me u dorëzuar gati, nuk kem ndihma as për paga as për ndonjë gjë tjetër. Edhe kufizimi i orarit është deri në 23:00, nuk po merren me këtë çështje, ne tash jemi në gjendjen më të vështirë që kemi mundur me qenë ndonjëherë”.
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka bërë të ditur se nga 1 janari përveç shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit, TVSh-ja në 18% u rikthye edhe te transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore.
Sipas tyre, kjo ka ndodhur me miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ku ishte plotësuar dhe ndryshuar edhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku përmes nenit 7 të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike që plotësoi nenin 26 të Ligjit për TVSh-në, u theksua se uljes së TVSh-së i bashkëngjiten furnizimi i mallrave dhe shërbimet hoteliere, restorantet dhe shërbimet e ushqimit.
Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati gjatë konferencës së fundit ka folur edhe në lidhje me çështjen e TVSH-së në sektorin e gastronomisë, e cila në bazë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomikë ishte reduktuar në 8 për qind.
Murati ka thënë se ky reduktim ka rezultuar me rritjen e fitimit të bizneseve, që sipas tij në krahasim me vitin e kaluar ka dyfishuar qarkullimin.
I pyetur për reagimet e sektorit të gastronomisë, Murati tha se nuk u është premtuar asnjëherë se TVSH-ja do të vazhdojë të jetë 8 për qind.
“Nuk do të thoja që ka përplasje, mund të ketë akuza. Megjithatë ne si Qeveri dhe Ministri duhet t’i konsiderojmë të gjitha sektorët e bizneseve dhe të ju ndihmojmë. Sa i përket sektorit të Gastronomisë në lidhje me TVSH-në, ne kemi pasur një takim, mirëpo nuk u është premtuar asnjëherë. Në fakt është e kundërta, unë kur kam qenë kryetar i Komisionit për buxhet në mandatin e kaluar kam thënë që zbritja e TVSH-së në atë formë nuk është mënyra e duhur sepse nuk do të rezultonte me zbritje të çmimeve, e që zbritja e çmimeve pastaj të rezultonte në konsum të shtuar. Pra, kur është zbrit TVSH-ja nuk kemi pasur zbritje të çmimeve”.
Sipas tij, përveç që nuk ka pasur zbritje të çmimeve, ka pasur shtim të fitimit për bizneset.
“Përkundrazi, çka ka ndodh është që mund të jetë rrit fitimi për bizneset. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që si biznese, gastronomia edhe këtë vit ka shënuar rekord qarkullimi, nga të dhënat që kemi krahasuar me vitin 2019, mund të flasim për një qarkullim prej mbi 30% rritje do të thotë nëse e krahasojmë me një vit normal”.
Ai tha se në krahasim me vitin 2020, ka dyfishim të qarkullimit në sektorin e gastronomisë.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ditë me parë e ka quajtur gënjeshtar Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Kllokoqi thotë se Murati vetë i kishte premtuar se TVSH-ja për gastronomët do të mbetet 8%, ndërsa tani ka thënë se do të rritet në 16%.
Kllokoqi ka thënë se me këtë vendim gastronomët do të “fundosen”.
“Morre RRENC, ne tavolin me ke premtu mu e atyre qe ishin me mua qe tvsh-ne ki me vazhdu ne 8% sa te egziston pandemia. Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni”, ka shkruar ai në Facebook.
Kllokoqi thotë se është i zhgënjyer me këtë vendim pasi që Murati i kishte premtuar atij në sy se TVSH-ja nuk do të lëvizë.
“Është hera e parë qe një politikan me rren ne sy , mfalni për shprehjen RRENC po pernime jom ZHGENJY”, shtoi ai.
Prej datës 1 janar gastronomët do të detyrohen të paguajnë 16% TVSH. Vendimi që ata të paguajnë 8% ishte marrë si masë lehtësuese për këtë sektor që po përballet me pandeminë.
Ndryshe, sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.
Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.