Intervistë me Erold Kamberi, Menaxher i Lartë në PricewaterhouseCoopers Albania
PricewatershouseCoopers (PwC) Albania, një ndër kompanitë më të rëndësishme të konsulencës fiskale dhe financiare, evidenton se shtrirja e TVSH-së në shërbimet financiare është një çështje shumë komplekse, për të cilën po diskutohet prej vitesh në Bashkimin Europian.
Erold Kamberi, Menaxher i Lartë në PwC Albania, thotë në një intervistë për “Monitor” se mund të jetë e arsyeshme që Shqipëria të presë hapat që do të ndërmarrë Bashkimi Europian, para se të vendosë ndryshime domethënëse në politikat e aplikimit të TVSH-së, qoftë edhe për shërbime të caktuara financiare.
Qeveria shqiptare po merr në konsideratë një sugjerim të Fondit Monetar Ndërkombëtar për aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për shërbime të veçanta financiare, kryesisht komisionet e aplikuara nga bankat dhe institucionet e tjera financiare. Cilat janë praktikat më të përhapura sot në vendet e zhvilluara lidhur me aplikimin/përjashtimin eventual të TVSH-së në shërbimet financiare?
Direktiva e Bashkimit Europian për TVSH-në, që në përgjithësi reflektohet edhe në ligjin tonë për TVSH-në, përcakton se në shumicën e tyre, shërbimet financiare janë të përjashtuara nga TVSH.
Natyrisht, në Shqipëri edhe sot ka shërbime të ofruara nga bankat apo institucionet e tjera financiare, që tatohen me TVSH, por këto shërbime kanë një peshë shumë të vogël në strukturën e të ardhurave të bankave. Ndaj, në shumicën e rasteve, bankat zgjedhin të mos e kreditojnë TVSH-në në faturat e tyre të blerjes.
Kjo do të thotë se, aktualisht, për bankat në Shqipëri pothuajse e gjithë TVSH-ja në blerje është kosto. Ky nuk është domosdoshmërisht rasti në vendet e Bashkimit Europian, ku shërbimet janë më komplekse, gama e shërbimeve të tatueshme është më e gjerë dhe bankat përdorin skema të ndryshme për ta optimizuar pjesën e TVSH-së. Sidoqoftë, në vija të përgjithshme, si në BE, ashtu edhe në Britaninë e Madhe, shërbimet financiare janë të përjashtuara nga TVSH.
Megjithatë, vlen të theksohet që aplikimi i TVSH-së për shërbimet financiare ka vite që diskutohet edhe në BE, edhe pse momentalisht pa rezultate konkrete.
Zhvillimi i sektorit bankar dhe i tregut në tërësi, kanë lënë hapësira për interpretim për sa u përket shërbimeve që mund të konsiderohen financiare. Në praktikën e vendeve të BE-së ka shpesh raste që i janë drejtuar Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe ka shembuj kur kjo gjykatë është shprehur se shërbime të caktuara, duke interpretuar Direktivën e BE-së, nuk mund të konsiderohen si shërbime financiare dhe duhen tatuar.
Nga praktika e deritanishme, cilat shërbime bankare tatohen përgjithësisht me TVSH?
Ligji dhe Udhëzimi për TVSH-në liston raste dhe shembuj mbi shërbime që tatohen me TVSH. Këtu mund të përmendim shërbimin e mbledhjes së borxhit, qiradhënien e kasafortave, qiradhënia e bankomatit, apo transaksione të caktuara ndërmjetësimi, negocimi, menaxhimi dhe ruajtje.
Megjithatë këto shërbime nuk janë shteruese, pasi çdo shërbim, i cili nuk bën pjesë në listën e shërbimeve të përjashtuara sipas ligjit, konsiderohet i tatueshëm me TVSH. Por siç thashë dhe më parë, sa më shumë shërbime komplekse dhe inovative të kemi, aq më shumë e paqartë është nëse këto shërbime mund të kategorizohen si shërbime të përjashtuara nga TVSH-ja, apo jo.
Pavarësisht, në Shqipëri pesha që zënë shërbimet bankare të tatueshme me TVSH është mjaft e vogël në raport me shërbimet e përjashtuara nga TVSH.
Në fakt, impakti më i madh për bankat në përllogaritjen e TVSH-së së pagueshme vjen si rezultat i autofaturimit për shërbimet e tatueshme të marra nga furnitorë të huaj, për të cilat banka është e detyruar të paguajë TVSH-në në Shqipëri.
Të tilla mund të jenë shërbimet që bankat marrin nga SWIFT, Visa, Mastercard, apo shërbimet e IT dhe menaxhimit që mund të blejnë nga grupi, edhe pse shërbimet e Visa dhe Mastercard, ndryshe nga praktika e krijuar në Shqipëri, mund të konsiderohen në disa vende si shërbim financiar i përjashtuar nga TVSH.
Sa TVSH paguajnë sot bankat në blerje?
Kjo do të kërkonte një analizë më të detajuar, por në parim pothuajse çdo produkt apo shërbim që bankat blejnë është i ngarkuar me TVSH. Në pjesën më të madhe, duke qenë se bankat nuk e kreditojnë TVSH-në, ajo është kosto shtesë për to dhe supozohet të jetë e reflektuar në çmimet e produkteve dhe shërbimeve bankare që ofrojnë.
Çfarë ndikimesh mund të japë vendosja, qoftë edhe e pjesshme, e TVSH-së në tregun e shërbimeve bankare/financiare në Shqipëri?
Ndikimet mund të jenë sa pozitive, aq dhe negative. Kjo sigurisht kërkon një analizë më të shtjelluar ekonomike, duke marrë në konsideratë, ndër të tjera, të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit, qoftë tatimpagues subjekt TVSH-je, marrës së shërbimit financiar, qoftë konsumatorin final, individin.
Teorikisht, vendosja e TVSH-së në shërbimet financiare mund të eliminojë kostot që lidhen me moskreditim e TVSH-së në faturat e blerjes, si për bankën, ashtu dhe për konsumatorin subjekt i TVSH-së, por kjo mund të arrihej vetëm nëse një pjesë e kostove të kursyera ndahet me konsumatorin në formën e çmimeve më të ulëta.
Megjithatë, çështja nuk është kaq e thjeshtë. Pavarësisht se mendojmë që kostot aktuale nga moskreditimi i TVSH në faturat e blerjes janë tashmë të reflektuara në çmimin e shërbimeve bankare, eksperienca na tregon që ndryshime të tilla ligjore, që mund të sjellin kosto ekstra të çdo forme për tatimpaguesin, kalohen te konsumatori në formën e rritjes së çmimeve.
Sidoqoftë, është me rëndësi që paraprakisht të analizohet pesha që këto shërbime, të cilat në një të ardhme mund të konsiderohen të tatueshme, zënë në raport me të ardhurat totale të bankës.
Pra, do të varet shumë nga përmasat që do të kenë shitjet me TVSH, për të kuptuar nëse skema e kreditimit të TVSH-së për faturat në blerje do të sillte një përfitim tatimor për bankat.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se bankat nuk kanë shumë përvojë me legjislacionin e TVSH-së, dhe normalisht, çdo ndryshim mbi skemën e TVSH-së për shërbimet financiare, mund të krijonte kosto ekstra, sidomos nëse nuk do të shfrytëzohej siç duhet kreditimi i TVSH-së në faturat e blerjes. Bankat mund të duhet të fuqizojnë departamentin e tyre të financave dhe taksave, për të zbatuar me saktësi legjislacionin e TVSH-së, pasi në të kundërt mund të kenë kosto shtesë që, ose do t’i mbartin vetë ose do t’ia kalojnë konsumatorit në formën e rritjes së çmimeve.
Gjykoni se aplikimi i TVSH-së mund të ketë impakt negativ në shkallën e përdorimit të shërbimeve bankare?
Në rast se kostot shtesë të bankës, si pasojë e vendosjes së TVSH-së për shërbimet financiare i kalohen konsumatorit, mendoj se po. Megjithatë, është vështirë të thuhet se sa i madh do të jetë ky ndikim.
Në ditët e sotme, në shumë raste, marrja e shërbimeve bankare është bërë e domosdoshme, shpeshherë, e pashmangshme. Por, sigurisht që konsumatorët janë shumë të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve, ndaj çdo rritje kostosh që do t’i kalonte konsumatorit, mund të kishte një efekt negativ edhe në shkallë e përdorimit të shërbimeve bankare.
Besoni se mund të jetë një ide e mirë zgjerimi i TVSH-së në shërbimet financiare?
Mendoj se është çështje komplekse dhe delikate. Jo më kot, në Bashkimin Europian po diskutohet prej shumë vitesh, dhe ende nuk është arritur të bëhen ndryshime në direktivën që rregullon këtë çështje.
Në këtë këndvështrim, mendoj se ndoshta është më mirë të presim se çfarë do të ndodhë me direktivën e BE-së për TVSH-në, sesa të jemi ne ata që ndërmarrim hapin e parë për të bërë ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. Krahasimisht me BE-në, ne jemi një treg i vogël edhe në zhvillim, dhe si pasojë, mund të jetë më e arsyeshme që të presim dhe të shohim konkluzionet e tyre, apo të mësojmë nga eksperiencat e tyre.
Nga ana tjetër, duhet parë edhe se cili mund të jetë impakti i ndryshimeve të mundshme në buxhetin e shtetit, pra, a do t’ia vlente të bëheshim ne të parët që do të aplikonim TVSH të zgjeruar për shërbimet financiare? Ndoshta impakti mund të rezultojë aq i vogël, sa të mos e justifikojë një ndryshim të tillë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.