Flet Luan Bregasi, administrator i Birra Tirana
Për Luan Bregasin, administrator i kompanisë më të madhe në vend për nga qarkullimi, tregu i birrës në vend vijon të sillet në mënyrë të paqëndrueshme. Ndër faktorët kryesorë, sipas Bregasit, është sjellja përkëdhelëse shtetërore ndaj 2-3 kompanive të importit.
Për vitin 2017, Bregasi është optimist duke qenë se së paku është frenuar rënia, ndërkohë që shton se faktor në rënien e shitjeve ishte dhe ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël.
Si ka qenë ecuria e Birra Tirana këtë vit?
Nuk mund të themi se jemi më mirë, për sa u përket shitjeve. Tregu i birrës vijon të sillet në një mënyrë të paqëndrueshme. Disa nga arsyet kryesore që kanë penalizuar industrinë janë mungesa e konkurrencës korrekte, sjellja shtetërore përkëdhelëse ndaj 2-3 kompanive që sjellin birrë importi dhe në treg serviren si produkte vendase.
Pavarësisht se qeveria shqiptare zbatoi ligjin që për kompanitë që prodhojnë nën 200 hektolitra ka një fashë të pagimit të akcizës 15 lekë, ndërsa kompanitë që prodhojnë mbi 200 hektolitra të paguajnë 30 lekë për litër. Në tre-katër vitet e fundit, ky ligj nuk është zbatuar. Për këtë arsye, tregu nën këto vitet e fundit u deformua, po ashtu edhe çmimet. Kjo solli pabarazi në treg dhe goditje të prodhuesve vendas të birrës, ndër to edhe Birrës Tirana.
Zbatimi i këtij ligji, që nxit prodhimin vendas, ku në bazë edhe të direktivave të BE-së, kompanitë që prodhojnë nën 200 hl mund të paguajnë një akcizë të diferencuar, sigurisht ka dhënë rezultat pozitiv në këtë vit, që do të thotë se çmimet e këtyre dy kompanive, Elbar dhe Peja, janë përafruar me çmimet e prodhimit vendas. Ne, përsëri nuk jemi të favorizuar nga pikëpamja e mundësisë për të pasur një çmim më të lirë në treg, por të paktën këto dy kompani nuk janë më ulët në çmime se sa kompanitë vendase.
Në kushtet që është sot industria, a mendoni që ka nevojë për të rishikuar paketën ligjore?
Mendoj se industria e birrës, ashtu si ndoshta edhe shumë industri vendase, përballet sot me pamundësinë për të konkurruar për disa arsye. Së pari, le të themi që kostot e prodhimit për produkte vendase janë ende të larta. Kjo jo se nuk dimë të vlerësojmë kostot e prodhimit, pasi ne jemi biznesmenë, jemi sipërmarrës, por sepse disa inpute të prodhimit, siç energjia dhe uji janë ende të larta dhe rrisin kostot e prodhimit. Vendet e rajonit e kanë çmimin e energjisë 7 cent, ndërsa ne, 11-12 cent kWh, që do të thotë është gati 60-70% më shtrenjtë.
Atëherë si mund të konkurrojë produkti ynë vendas kur kostot e prodhimit janë të larta dhe marzhi i fitimit me këto çmime që janë sot në treg është modest dhe mjaft kompani mund të dalin dhe me humbje për shkak të kostove të larta. Kjo ndodh edhe për një arsye tjetër. Duke qenë se kompanitë importuese kanë kapacitete të larta prodhimi, kostot e tyre janë të ulëta për njësi prodhimi. Shto këtu edhe kostot e energjisë, ujit, të lëndëve të para, që të gjitha vijnë nga importi, e vetmja gjë që ne kemi “Made in Albania” është energjia dhe uji, dhe këto janë 60-70% më shumë se në vendet e rajonit. Çmimet e shitjeve krahasuar me kostot janë shumë qesharake, jemi në kufij nëse fiton diçka ndërmarrja ose mund të jemi dhe me humbje.
Keni menduar për të bërë investime, apo keni kryer ndonjë riorganizim?
Sigurisht të gjithë këtë ballafaqim që kanë produktet vendase, në këtë rast birra, në një treg që nuk sillet në mënyrë konkurruese dhe shteti është larg vëmendjes për të mbështetur këtë industri, biznesi vendas nuk e ka shpërndarë këtë mungesë as te shkurtimi i vendeve të punës dhe as te mungesa e investimeve. Në mënyrë modeste, me këto kredi që ne kemi marrë, ku edhe kredia është element që rrit koston, kemi bërë investime dhe përmirësuar cilësinë e produktit.
Birra Tirana, në këtë vit që unë e kam marrë vetë në dorë drejtimin e kompanisë, ka bërë investime që kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së birrës dhe qëndrueshmërisë së birrës, në pëlqyeshmërinë e tregut. Edhe në rast se ne mund të mos kemi rritje, të paktën është frenuar rënia, jo vetëm e Birrës Tirana, por edhe e kompanive të tjera në vend, të cilat u ballafaquan me mungesën e konkurrencës. Kjo është një arritje shumë e madhe për ne. Është një arritje që Birra Tirana ka filluar që të konsolidohet në treg, ka rimarrë tregun e humbur, ka rifituar klientelën, për shkak të cilësisë së produktit. Gjithsesi kjo situatë nuk është e favorshme për të kryer investime të mëdha në industri. Duhet të jesh konkurrues për të bërë investime. Nuk kemi bërë investime për të shtuar kapacitetet dhe kjo është e lidhur me vështirësitë që ka ky produkt në tregun vendas.
Krahasuar me vitin 2017, si ka qenë ky vit për sa i përket industrisë?
Në 2017-n, pothuajse është frenuar rënia, ndërsa 2018 është e barabartë në sasinë e prodhuar me një vit më parë. Duke pasur në konsideratë që është frenuar rënia, për ne ky është një sukses shumë i madh. Birra Tirana ka filluar që të rimarrë tregun e humbur. Kjo do të thotë se edhe Birra Elbar, edhe Birra Peja, që në tre vjet konkurruan produktet e birrës vendase në mënyrë të pandershme, kanë filluar të sillen normal në treg, për shkak të zbatimit të ligjit dhe kjo ka dhënë ndikim pozitiv.
Ne kemi marrë një nismë, për të gjithë industrinë vendase pasi kjo është një industri që ka investuar me miliona euro, ka në punë afërsisht 30 mijë të punësuar, paguan miliona euro në shtet në formën e taksave dhe pikërisht për të vlerësuar këtë gjë do të bëjmë një konferencë kombëtare që të tërheqim vëmendjen e qeverisë që të kthehet pak nga prodhimi vendas dhe nga kjo industri, se Shqipëria nuk ka shumë prodhues.
Shteti duhet të ketë filozofinë që të mbështesë prodhimin vendas, në mënyrë edhe që ekonomia të riaktivizojë vlerat e veta. Kemi kërkuar të hiqet kostoja e ambalazhit, të hiqet kosto për pullën fiskale, është një para që nuk shkon as në buxhetin e shtetit. Këta marrin nga pulla rreth 20 milionë euro në vit dhe vetëm prej Birrës Tirana rreth 1 milion euro.
Këtë vit jemi prekur edhe nga beteja për formalizimin e tregut dhe për formalizimin e biznesit të madh, edhe pse ky i fundit ka kërkuar rregullimin dhe formalizimin e tregut. Ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël ka qenë një faktor frenues në rritjen e tregut. Kjo masë u mor që nëpërmjet biznesit të vogël, të gjurmohej biznesi i madh dhe në këtë mënyrë, mbyllej i gjithë zinxhiri i transaksionit. Në mendimin tim, duhet që biznesi i vogël ta deklarojë TVSh-në, por të mos e paguajë. Pavarësisht lehtësive që u morën ndaj biznesit të vogël, jam për lehtësi të mëtejshme. Ne kemi një rezistencë të jashtëzakonshme nga biznesi i vogël për të marrë mall me faturë, një nga arsyet që ka rënie të biznesit prodhues është mospranimi i produkteve me faturë prej nesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.