Flet Altin Prenga, “Mrizi i Zanave”
Këtë vit, turistët nga vendet arabe ishin grupi i ri që ra në sy, për shkak edhe të një linje direkte fluturimi që lehtësoi qarkullimin.
Ndaj në agroturizmin e Altin Prengës në Fishtë të Lezhës, grupit të vizitorëve të huaj i është shtuar edhe ky, por nuk kanë munguar edhe izraelitët apo europianët. Këta të fundit kanë shtuar ardhjet me kampera, të pranishëm deri vonë.
Në përgjithësi, Prenga e cilëson ecurinë e këtij viti të mirë dhe tendencën e zgjerimit të segmentit të agroturizmit e sheh pozitive, duke nënvizuar se ndihmon zhvillimin e zonave rurale dhe të familjeve që jetojnë aty.
Si ka qenë ecuria në vitin 2021 për agroturizmin tuaj, duke pasur parasysh efektet e pandemisë ende të pranishme?
Ecuria gjatë këtij viti ka qenë shumë e mirë. Në raport me vitin e shkuar është në rritje dhe kjo është diçka që mendoj se i përket në përgjithësi biznesit të këtij profili, pasi pandemia nuk ndihet shumë.
Sipërmarrjet agroturistike në zonat rurale kanë pasur avantazh, duke qenë se njerëzit duan të dalin, të jenë pranë natyrës, ushqimeve të shëndetshme, por edhe pa grumbullime të shumta.
Vërejmë rritje të frekuentimit si për sa i përket restorantit, por edhe dhomave që kemi në dispozicion për turistët, si agroturizëm.
Flitet shumë për kosto të shtuara dhe çmime të rritura, po tek ju ka pasur ndryshime të kostove apo shtrenjtim?
Ajo që ka ndryshuar këtë vit është rritja e çmimit të mishit vendas. Kjo lidhet me dy aspekte. Së pari, fluksi turistik në verë ka qenë shumë i lartë dhe së dyti, mendoj se është ulur numri i atyre që prodhojnë. Nuk e di ta them të saktë në shifra, por mendoj se janë pakësuar fermat, ndërkohë që kërkesa sidomos për mishin e viçit, është rritur.
Ndërkohë që çmimi është rritur me 30% për bagëtitë e imëta, pra mishi i kecit dhe qengjit. Sa i takon bujqësisë dhe prodhimit në përgjithësi mendoj se ka qenë një vit shumë i mirë. Është vënë re rritja e pjesës së ushqimit të bagëtive, si dhe çmimi i misrit, i cili ka qenë më i shtrenjtë.
Cilat grupe turistësh ju kanë vizituar gjatë këtij viti?
Kemi pasur turistë nga e gjithë bota, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga vendet europiane nga ato të Lindjes si Arabia Saudite, por edhe Izraeli. Më të zakonshmit janë shqiptarët e Kosovës, por edhe Mali i Zi. Këta të fundit vijnë individualisht, kurse grupet e tjera vijnë të organizuara me agjenci.
Edhe polakë kemi pasur shumë gjatë këtij viti. Janë ata që vijnë të organizuar për turizmin bregdetar dhe zgjedhin gjatë ditëve të qëndrimit të vijnë edhe në agroturizmin tonë. Një tjetër tendencë që e kam vënë re, në rritje, ishte ajo e kamperave. Janë udhëtarë që zgjedhin këtë variant dhe vijnë nga Europa. Kanë qenë të pranishëm deri tani vonë.
Ju përveç shërbimit të restorantit dhe strukturës akomoduese keni të përfshirë edhe një njësi që tregton produkte të zonës? Si ka qenë interesi për të?
Vëmë re se këtë vit është rritur kërkesa për prodhimet vendase. Frenuese është mungesa e sektorit të përpunimit direkt të prodhimeve, pasi preferenca është për ato që njihen si zahire tradicionale, por nuk bëhen në masë ashtu siç është kërkesa.
Si e shihni në përgjithësi vitin 2022 për segmentin e agroturizmeve?
Nuk di të them sesi do të jetë viti 2022, por shpresat i kemi që të jetë një vit i mirë dhe me rritje për sektorin. Situata është e pazakontë prej pandemisë ndaj mbajmë disa rezerva, edhe pse duam të jemi optimistë. Mendoj se duke parë ecurinë që ka pasur vit pas viti, sektori do të ketë të njëjtin vijim.
Ka një rritje të atyre që njihen si agroturizme në vend që janë të certifikuar apo në rrugë drejt certifikimit ose dhe të pacertifikuar. Ju si e shihni këtë tendencë?
E shoh pozitive zgjerimin e agroturizmeve, nëse ato plotësojnë linjat dhe standardet që duhet të ketë një subjekt i kësaj natyre dhe nëse certifikohen gjithashtu. Mendoj se qeveria duhet të jetë sa më fleksibël për t’i çuar drejt rrugës së duhur dhe t’i orientojë për hapat që duhet të ndjekin pasi janë një nga mënyrat për ta ndikuar pozitivisht ekonominë e zonës ku operojnë.
Këto sipërmarrje nuk janë të lehta për t’u ndërmarrë pasi duan shumë angazhim dhe mendoj se duhen përshëndetur të gjithë ata që shkojnë drejt këtij lloj investimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.