Ndoshta jo të gjithë e dinë se këtë vit, Polonia feston 550-vjetorin e lindjes së një prej astronomëve më të famshëm dhe më me ndikim në histori, Nicolaus Copernicus (Nikolla Koperniku, 19 shkurt 1473 – 24 maj 1543).
I cilësuar si babai modern i heliocentrizmit, Koperniku ishte personaliteti i parë i Rilindjes që guxoi të sfidojë ligjet e Aristotelit dhe Ptolemeut. Në thelb, kur flitet për Kopernikun, i referohemi një revolucionari të vërtetë.
Polonia, Toka e tij Mëmë, ka vendosur të kujtojë këtë personalitet të shquar, duke krijuar një mundësi unike për të përshkuar hapat e jetës së tij të jashtëzakonshme, të cilën e kaloi duke studiuar universin e pafund përmes qiejve me yje të vendit të lindjes.
550-vjetori i lindjes së Kopernikut
Me rastin e 550-vjetorit të lindjes së astronomit, Polonia fton vizitorët e saj të ardhshëm të ndjekin hapat e tij në dy itinerare tematike, jashtë itinerareve tradicionale turistike.
Gjithçka nëpërmjet vendeve që ndihmuan në formimin e një prej mendjeve më brilante dhe me ndikim që ka jetuar ndonjëherë, në peizazhet magjepsëse të natyrës polake dhe qytetet e saj të mrekullueshme.
Itinerari që të çon në zbulimin e qyteteve të Kopernikut
Itinerari i parë i menduar për të festuar këtë ngjarje të rëndësishme ju çon në zbulimin e qyteteve të Kopernikut.

Ai nis nga Toruń, vendlindja e astronomit, që është një thesar i vërtetë mrekullish, i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1997. Arti dhe arkitektura gotike ruhen në mënyrë të përsosur.
Nga muret mesjetare që rrethojnë qendrën, te bashkia e vjetër e shekullit XIV, përballë së cilës qëndron monumenti i Kopernikut, i ndërtuar në vitin 1853, te Katedralja madhështore e Shenjtorëve Gjon Pagëzorit dhe Gjon Ungjilltarit, sytë dehen vazhdimisht nga mrekullitë.

Ndër të tjera, mes bashkisë dhe katedrales ndodhet “ulica Kopernika”, rruga ku, në adresën 15/17, ndodhet ende shtëpia në të cilën lindi dhe jetoi Koperniku.
Në këtë strukturë sot ndodhet Shtëpia-Muze i Kopernikut, ku ruhen orenditë dhe dorëshkrimet e vjetra. Gjithashtu ofrohet edhe një prezantim interesant audiovizual mbi vendet e vizituara nga astronomi në jetën e tij në Toruń.

Jo më pak i rëndësishëm dhe po aq i mrekullueshëm është Krakovi, ku jetoi Koperniku në vitin 1491. Në kryeqytetin e vjetër të Polonisë, astronomi studioi në Universitetin Jagiellonian.

Jo rastësisht sot Colegium Maius ruan një dhomë të Kopernikut ku ndodhen të gjitha reliket dhe mjetet e përdorura nga astronomi gjatë punës së tij, si dhe dorëshkrimi “De Rivolutionibus Orbium Caelestium”.
Mbërrijmë në Gdańsk, për të cilin në të vërtetë, nuk dihet shumë për marrëdhënien e Kopernikut me qytetin. E sigurt është se shkencëtari ka pasur disa të afërm në këto anë dhe se disa herë ka shkuar për t’i vizituar ata.
Por jo vetëm. Sipas asaj që mësohet nga artefaktet e lashta, Gdańsk ishte edhe skena më e madhe dhe e trazuar e historisë së dashurisë së jetës së tij – ajo me Anne Schilling, gruaja holandeze që Koperniku ia doli ta marrë me vete në Frombork, me pretekstin se e kishte punësuar si guvernante.
Shtëpia e Anës dhe Nikollës në Gdańsk është një nga më tërheqëset në qytet, ndër të paktat struktura mesjetare që kanë mbijetuar në qendrën historike.
Sot quhet ”Kamienica Gotyk” dhe është një hotel i bukur. Ndodhet menjëherë pas Bazilikës së Shën Marisë, në numrin 1 në ”ulica Mariacka”, ku në katin e parë është një muze i vogël mbi Kopernikun.
E përfundojnë itinerarin midis qyteteve të Kopernikut, në Varshavë, kryeqyteti modern dhe magjik i Polonisë, i cili është një parajsë për adhuruesit e shkencave të të gjitha moshave: Centrum Nauki Kopernik – qendra më e madhe shkencore në vend nuk mund të mos i kushtohej Kopernikut.
Të vizitosh këtë muze do të thotë të kënaqesh në një përvojë interaktive për të gjithë familjen, me laboratorët eksperimentalë, parkun e zbuluesve dhe, natyrisht, një planetar modern, i përbërë nga gjashtë ekspozita interaktive dhe katër laboratorë.
Rajoni i Varmia dhe Masuria, një itinerar në gjurmët e Kopernikut
Për të ecur në gjurmët e Kopernikut, në dispozicion të udhëtarëve është edhe një itinerar që përshkon një tokë me liqene të mëdhenj, përrenj dhe plazhe që frekuentohen nga sërfistët. Po flasim për rajonin e Varmias dhe Masurias, në Poloninë verilindore.
Midis Olsztyn, Lidzbark Warmiński dhe Frombork, shkencëtari punoi për teorinë e tij, duke shkruar dhe duke shpërndarë tekstet që do të ndryshonin përgjithmonë botën e astronomisë. Një itinerar tematik, 300 kilometra i gjatë, që ju çon të zbuloni qytetet dhe fshatrat e lidhura me personalitetin e tij.
Lidzbark Warmiński është një qytet i vogël i zhytur në natyrën e harlisur dhe i rrethuar nga liqene dhe përrenj. Në këto anë, Koperniku përfundoi, në vitin 1509, hartimin e traktatit të tij të parë, “Commentariolus”.
Këtu ndodhet një pallat i mrekullueshëm i peshkopit, një fortesë me tulla të kuqe, që në atë kohë ishte në pronësi të xhaxhait të astronomit, ku Koperniku kaloi shtatë vjet.
Olsztyn është një tjetër vend ku qëndroi Koperniku. Në thelb, astronomi arriti të koordinojë me sukses mbrojtjen e qytetit, gjatë rrethimit nga kalorësit teutonikë në vitin 1521.
Pikërisht në kështjellën e Olsztyn, ai krijoi tabelat astronomike të nevojshme për të kuptuar lëvizjen e planetëve, të ruajtura edhe sot këtu.
Në vitin 1973, me rastin e 500-vjetorit të lindjes së Kopernikut u përurua një planetar, ndër më të mëdhenjtë e Polonisë, në nder të shkencëtarit, ndërsa në 2008-n, një kullë uji e shekullit XIX u shndërrua në një observator astronomik. Në vitin 2003, në qendër të qytetit, u ndërtua një stol kushtuar Kopernikut.

Frombork është ndalesa e fundit e udhëtimit në gjurmët e Kopernikut, vendi ku astronomi përfundoi traktatin e tij më të famshëm “De Revolutionibus Orbium Coelestium” në vitin 1543. Fatkeqësisht, ai vdiq në të njëjtin vit.
Për këtë arsye, në katedralen e qytetit ruhen eshtrat e tij, por kujtimi i shkencëtarit të madh është më i gjallë se kurrë.
Ju nuk duhet të lini pa vizituar Muzeun e Nikolla Kopernikut në qendrën e qytetit dhe Parkun Astronomik, dy kilometra në veri, në kodër, me vende të ndryshme për të vëzhguar yjet dhe dy tarraca panoramike.
Në Frombork, ashtu si në Olsztyn, së fundmi u përurua një stol kushtuar Kopernikut, pikërisht pranë shatërvanëve të sheshit të tregut.
/ Si Viaggia.it