Një udhëtim virtual 24 orë në 24, edhe për ëndërrimtarët e pandreqshëm
Dielli në fytyrë, rëra e nxehtë nën këmbë, ujërat e kristalta vetëm pak metra larg – e kush nuk do të dëshironte të ishte në plazh në këto momente?
Nëse doni të shikoni një perëndim të mrekullueshëm në Playa del Carmen apo ëndërroni të çlodheni në një rrjetë në plazhin Waimea në Hawaii… Ja disa video streaming për të shijuar virtualisht botën aty jashtë… Dhe përse të mos ëndërroni se një ditë do të mund të shkoni…
Për momentin mjafton një kompjuter dhe lidhja me internetin. Uluni në divan, merrni një pije përpara dhe shtypni play te këto video dhe filloni të ëndërroni…
White Bay Beach – British Virgin Islands
I cilësuar si një nga plazhet më të bukura në botë nga revista të shumta të specializuara, rripi i gjatë me rërë të bardhë i White Bay në British Virgin Islands, arkipelagu vullkanik në lindje të Portorikos në Oqeanin Atlantik, mbrohet nga një barrierë e madhe koralore, e përsosur për adhuruesit e snorkeling, rrethuar nga bare dhe lokale të bukura.
Clearwater Beach – Florida, SHBA
Zona e qetë e Clearwater Beach, e cila e ka marrë emrin nga rëra e bardhë dhe e butë në prekje dhe nga ujërat e kristalta të detit, tërheq gjatë gjithë vitit adhuruesit e jet ski, parasailing dhe kite surf. Ndodhemi në bregdetin qendror perëndimor të Florida, i cili u gëzohet ditëve me diell gjatë gjithë vitit.
Deerfield Beach – Florida, SHBA
Në këtë vend të paqtë buzë detit mund të merrni rreze dielli, të notoni, të shkoni për peshkim apo të kaloni mbrëmjen në zonën e restoranteve. Deerfield Beach Pier është një urë prej druri që nga Deerfield beach zgjatet 287 metra drejt detit.
Waimea Bay – Hawaii, SHBA
Waimea Bay ndodhet në Haleiwa, në North Shore të O’ahu, në grykën e lumit Waimea. Është destinacioni i përzgjedhur nga sërfistët që nga vitet ’50. Në dimër, valët arrijnë deri në nëntë metra.
Crystal Bay – Tajlandë
Bregu lindor i Ko Samui, ishulli i dytë më i madh në Tajlandë, ka dy plazhe të mrekullueshme, Chaweng dhe Lamai. Këtu spikasin dy gjire të vogla, Coral Cove dhe Crystal Bay.
Mori Point Pacifica – Kaliforni, SHBA
Është pjesë e Golden Gate National Recreation Area, një ndër parqet kombëtare më të mëdha urbane në botë, krijuar në vitin 1972 për të sjellë parqet pranë njerëzve.
Playa del Carmen – Quintana Roo, Meksikë
Playa del Carmen, një ndër vendet idilike në zemër të Riviera Maya, me rërë të bardha dhe ujëra të kristalta në nuanca të gjelbër – blu. Kudo të ndodheni do të ketë gjithnjë një tendë dhe një çadër ku mund të shtriheni dhe të merrni diell, në veçanti në zonat më të largëta nga qendra, ku plazhet janë më të qeta.
Burimi: Corriere della Sera