Viti 2017 ka rezultuar një vit më aktiv për shqiptarët të cilët kanë rritur udhëtimet e tyre jashtë vendit. Kjo gjithmonë nëse krahasimin e bëjmë me një vit më parë. Instituti i Statistikave publikoi shifrat e transportit për 10 muajt e këtij viti ku ajo që bie në sy është një rritje dyshifrore në përqindje.
“Në dhjetëmujorin e 2017, janë kryer 20.308 fluturime, duke u rritur me 10,3 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin Tetor, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është 216.022, duke u rritur 7,8 %, krahasuar me Tetor 2016.
Në dhjetëmujorin e 2017, transporti ajror i pasagjerëve zë 60,7 % të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në dhjetëmujorin e 2017 është 2.224.833, duke u rritur me 22,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare në Tetor 2017 është 89.769 persona, krahasuar me Tetor 2016, ky tregues është rritur 14,2 %. Në dhjetëmujorin e 2017, kanë udhëtuar me linjë detare 1.380.250 pasagjerë, duke u rritur me 19,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në raportin e statistikave të transportit të INSTAT.
Volumet e mallrave në porte
INSTAT raporton edhe për një rritje të volumit të mallrave të shkarkuara në porte që për muajin tetor ishin 395 mijë ton. “Krahasuar me Tetor 2016, ky tregues është rritur me 21,7 %. Në dhjetëmujorin e 2017, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 3.372 mijë ton, duke u rritur me 9,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Porti i Durrësit zë 91,3 %, të gjithë mallrave të ngarkuara/shkarkuara në të gjitha portet gjatë periudhës Janar – Tetor 2017.
Ndërkaq edhe hekurudha ka një rigjallërim në aktivitet sa i përket transportit të mallrave. Kjo vjen pas krizës që la Kurum një vit më parë kur ndaloi transportin. Transporti me hekurudhë është 2 milionë ton – kilometër, duke u rritur me rreth 4 herë krahasuar me Tetor 2016. Në dhjetëmujorin e 2017, ky volum është 20 milionë ton- kilometër, duke u rritur me rreth 3 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Tregtia në tetor në dorën e detit, fiton pikë dhe hekurudha
Instituti i Statistikave bën me dije se, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) vetëm në tetor 2017 është 82 miliardë lekë dhe 50,5 % e tyre u transportua me det.
“Në Tetor 2017, mallrat e eksportuara me det zënë 60,4 %, me rrugë 39,0 % dhe me ajër 0,5 %. Mallrat e eksportuara me rrugë, në Tetor 2017, janë rritur me 23,6 % dhe me det janë rritur 9,4 %, krahasuar me Tetor 2016. Gjatë dhjetëmujorit 2017, mallrat e eksportuara me det zënë 62,9 %, me rrugë 35,9 % dhe me ajër 0,5 %.
Mallrat e eksportuara me rrugë, në dhjetëmujorin 2017, u rritën 25,9 % dhe me det u rritën 9,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” vlerëson INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.