JAK SERREQI, ekspozitë vetiake në Galerinë Kombëtare të Arteve, (tetor nëntor 2004)Jak Serreqi në historinë e artistëve të diasporës shqiptare paraqitet mjaft i veçantë, pasi në dallim nga artistët e tjerë si I. Kodra, O. Kaleshi, L. Delija, Dh. Zonia etj., ka kryer studimet e larta për kimi (Romë Itali) e më pas e ushtron këtë profesion në një uzinë të prodhimeve të aluminit në Kanada (1970 90), ku del në pension dhe vazhdon të jetojë me familjen e tij. Ciklin e parë të pikturave të tij prej 14 tablosh, Serreqi e realizon pas kthimit nga vizita e parë në Shqipëri në vitin 1992 dhe ia dedikon temës fetare për Katedralen e qytetit të tij të lindjes, Shkodrës. Ky cikël titullohet: “Udha e Kryqit”. Kontakti me kryeveprat e artit italian dhe botëror gjatë studimeve në Itali, miqësia me artistin Gerardo Dottorin (piktor futurist) dhe martesa e tij me piktoren Ana Sereme kanë ndikuar në vazhdimësi gjatë gjithë jetës brenda vetëdijes së tij dhe pasionit të tij të fshehur për artet pamore. Në ekspozitën e çelur në sallën e kuqe të Galerisë Kombëtare të Arteve, me titull: “Udhëtimi i artistit”, Serreqi i paraqet publikut të kryeqytetit 44 vepra të realizuara në akrilik dhe që përfshijnë disa cikle piktorikë, brenda mënyrës së tij të pikturimit. Në tablotë e Serreqit ndjehet një prirje dekorative, ngjyra plot dritë, që piktori i përdor gati të pastra dhe me plane gjithmonë në lëvizje.Tendenca e artistit për ti ofruar publikut imazhin e figurës dhe mesazhin e tij artistik me anë në subjekteve të zgjedhur realizohet në disa “rrugë” artistike. Kështu, në veprat e ekspozitës dallojmë tablo ku figurat e pikturuara duken sikur pozojnë (“Dy motra skoceze”, “Vëllezërit”, “Atë e Bir”, “Baballarët”, “Ëndrra dhe ëndërrimtari”, “Alienation”) si dhe vepra të tjera ku figurat janë në lëvizje të çuditshme, ku evidentohen dhe zmadhohen mjaft elemente të trupit të njeriut. Një veçanti e autorit është mënyra e pikturimit të portreteve apo dhe e trupit njerëzor në përgjithësi, që perceptohet në frymë kubiste ku “ndarjet” edhe nga ana koloristike herë janë të tonuara dhe herë pikturohen me tone të kundërt. Në përgjithësi, tablotë brenda tyre përshkruhen nga një lëvizje e brendshme. Në disa tablo të tij si “Interferencë”, “Gjeometri sferike”, “Teorema e Pitagorës”, “Gjeometri plane”, ndihet kërkesa e shkencëtarit e ndërthurrur me atë të artistit që nuk ndalet në kërkimet e formave dhe elementeve gjeometrikë, të ndërthurrjes së planeve dhe ngjyrave nga një paletë e ndrojtur e tone të afërta, në efekte piktorikë gradual duke ruajtur një tonalitet koloristik tipik të artistit. Serreqi si piktor nuk imiton apo ndjek një model të preferuar. Ai ka “intuitën e shkencëtarit piktor”, që kërkon të japë mesazhet e tij në veprat që realizon. Për këtë artisti priret që nga ngjarje të jetuara të japë situata piktorike sipas mënyrës së tij, ku gjithmonë kërkon të transmetojë të “vërtetat e tij artistike” në formë mesazhi social.Veprat e tij vlerësohen nga 2 500 6 000 USD.Jo vetëm artVetëm koleksionistët dhe të pasurit ia lejojnë vetes luksin të mobilojnë banesat apo zyrat e tyre me piktura, skulptura, antikuare etj.. Një pohim jo më totalisht i vërtetë. Tifozëve të artit dekorativ përditë e më tepër po u shtohen adhuruesit, snobët dhe madje edhe qytetarë të thjeshtë, që sado të kufizuar të kenë buxhetin e tyre kërkojnë të plotësojnë sa më mirë mobilimin e banesave. Të ardhur prej një periudhe kur artit “iu kushtua” jo pak vëmendje dhe financim, por që iu kufizua ndjeshëm shija artistike, sot në tregun shqiptar ka një mori stiless dhe artistësh, të rinj e të vjetër në profesion dhe në moshë. Oferta e artit është marramendëse. Cilësia e artit po ashtu, nëse di të zgjedhësh. Ndërsa kërkesa për këtë art nuk është aq e zhvilluar. Duke nisur nga fuqia e ulët blerëse; mungesa e një edukimi të mirëfilltë për të shijuar artin e deri te mungesa e strukturave të organizuara që të krijojnë tregun e artit, të gjitha ndikojnë që sot artistët të përpëliten midis nevojës për të jetuar, mbijetuar apo për të bërë art në një treg ku ende nuk ka rregulla të qarta biznesi. Sidoqoftë duket se diçka po ndryshon, për mirë. Lajmi se një pikturë e piktorit të shquar shqiptar, Alush Shima, shitur vite më parë te një koleksionist i huaj për rreth 17 mijë dollarë amerikanë, arriti të shitej në një ankand në SHBA për 1 milion dollarë amerikanë të bën të mendosh që arti shqiptar ka vlera jo të vogla. Në fund të fundit kërkohet të gjendet vlera e vet artistike dhe pse jo edhe monetare. Me rubrikën më të re të çelur në faqet e “Monitor”: ART & BIZNES, revista, në bashkëpunim me studiuesin e artit, z. Ylli Drishti, do të synojë të sjellë te lexuesi informacione mbi tendencat më të reja artistike në vend; artistët e mirënjohur shqiptarë; ekspozitat që çelen dhe galeritë që i strehojnë ato dhe pse jo tju orientojë për tregun e artit në Shqipëri. Në fund të fundit, arti është edhe biznes edhe pasuri dhe duhet punuar që edhe ky lloj biznesi, që të sjell kënaqësi, të lulëzojë dhe kjo lloj pasurie të shtohet. Prandaj, “Monitor” jo vetëm ju informon për ekonominë, por tani ju ofron edhe një mënyrë të re se si të investoni, sigurisht afatgjatë; të gjeni atë çka është e vlefshme dhe në fund fare të përfundoni një marrëveshje të kënaqshme.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.