Nga 1 shtatori 2020 auditi i brendshëm në sektorin publik kryhet sipas rregullave të manualit të ndryshuar.
Pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, Ministrja e Financave, Anila Denaj miratoi edhe udhëzimin “Për ndjekjen e rekomandimeve të dhëna nga auditi në sektorin publik”.
Dokumenti thekson se administratës publike do t’i lihet 30 ditë afat për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga njësitë e auditit të brendshëm.
Ministritë janë të detyrua që brenda këtij afati të nisin shqyrtimin për rekomandimet e lëna dhe të përcaktojnë personat përgjegjës për zbatim. Për ato rekomandime që afati zgjat më shumë se 30 ditë, subjekti i audituar duhet të informojë për përgatitjen e kushteve të realizimit.
Në udhëzim përcaktohet se njësitë e auditimit të brendshëm 3 muaj pas hartimit të raportit të tyre, do të nisin kontrollin për zbatimin e rekomandimeve të lëna. Së pari, kur verifikimi i zbatimit të rekomandimeve realizohet gjatë auditimit të radhës të një ministrie apo institucioni shtetëror, do të vendoset si pikë e veçantë e programit. Së dyti, kur ndjekja e rekomandimeve bëhet nëpërmjet verifikimit në vend , të gjitha verifikimet për zbatimin e rekomandimeve kryhen nëpërmjet një programi angazhimi, duke përfshirë jo vetëm subjektet e audituara në vitin raportues, por edhe të vitit paraardhës, rekomandimet e të cilave kanë qenë ende në proces zbatimi.
Ndjekja e zbatimit të rekomandimeve të auditimit duhet të kryhet çdo vit dhe se rezultatet e gjetjeve do të përfshihen në një raport vjetor, që duhet të jetë gati sipas kërkesave të Manualit të Auditimit të Brendshëm për raportimin e rezultateve të auditimit, jo më vonë se data 30 mars e çdo viti për vitin paraardhës.
Raporti vjetor i ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve të auditimit të brendshëm, së bashku me pasqyrat përkatëse, dërgohet nga njësitë e auditimit të brendshëm në formë zyrtare dhe elektronike pranë Drejtorisë së Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, jo më vonë se data 10 prill e vitit pasardhës.
Për ato raste kur konstatohet se institucionet nuk zbatojnë rekomandimet ose kur drejtuesit e subjekteve të audituara nuk ndërhyjnë për të siguruar zbatimin e tyre, atëherë përgjegjësia ngarkohet ndaj personave të ngarkuar drejtpërsëdrejti me zbatimin e rekomandimeve.
Në përmirësimin që iu bë manualit të auditit të brendshëm, forcohej roli i kësaj njësie për vlerësime dhe dhënie rekomandimesh të përshtatshme për përmirësimin e procesit të qeverisjes së njësisë publike për ku së pari për marrjen e vendimeve strategjike dhe operacionale; për mbikëqyrjen e administrimit të riskut dhe kontrolleve; promovimin e etikës dhe vlerave të përshtatshme brenda njësisë publike./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.