Nisur nga përdorimi i shpeshtë i pagesave paraprake për shpenzimet kapitale, te njohura ndryshe letër kreditë, Ministria e Financave ka përcaktuar kriteret dhe rastet mbi të cilat do të bëhën pagesat në këtë formë ne buxhetin e vitit 2016. Zakonisht nëpunësit autorizues urdhërojnë kryerjen e shpenzimeve deri më datën 31 dhjetor. Por në një udhëzim të e Ministrisë së Financave për buxhetin e vitit 2016 përcaktohen rasteve specifike, ku pagesat bëhen përtej datës 31 dhjetor si në rastet mëposhtme.
a. Ekzistenca e dokumentacionit që provon shpenzimin e ndodhur (fatura e furnitorit) nuk mund të shoqërohet me marrjen në dorëzim të mallit/shërbimit brenda datës 31 dhjetor 2015 për kushte specifike të prodhimit të mallit (si furnizimet strategjike: armatime, helikopterë, rezonanca magnetike, etj.) apo kryerjes së shërbimit (mirëmbajtjes së objekteve të rëndësisë strategjike, etj.)
b. Përdorimi i mallit apo kryerja e shërbimit ndikon në mosfunksionimin normal të njësisë shpenzuese të qeverisjes së përgjithshme dhe është i pamundur planifikimi për vitin e ardhshëm buxhetor.
Për rastet e përmendura në pikën e mësipërme lejohet përdorimi i formës së pagesës me Letër Krediti sipas përcaktimeve të nënshkruara në kontratën me operatorët ekonomikë në bazë të Urdhrit të ministrit të Financave, në zbatim të pikës 147 të Udhëzimit të përhershëm nr. 2, datë 06.02.2015 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, sqaron ministria e Financave ne udhëzimin përkatës.
Me tej struktura përgjegjëse për Thesarin në degë pranon njohjen dhe regjistrimin në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të shpenzimeve për llogari të vitit 2015, që konstatohen në zbatim të pikës së mësipërme. Regjistrimi i faturave duhet të përfundojë dhe të kryhet rakordimi përfundimtar me institucionin, sipas afatit të caktuar në udhëzimin e mbylljes së llogarive vjetore. Pagesa kryhet nga llogaria e unifikuar e Thesarit “Depozitë e Qeverisë” në një llogari të veçantë të çelur në bankën e nivelit të dytë me emërtimin e projektit të kontratës, sipas përcaktimeve të nënshkruara me operatorin ekonomik.
Gjendja më 31 dhjetor e llogarive të veçanta bankare në pronësi të njësive shpenzuese të qeverisjes së përgjithshme që krijohen nga përdorimi i formës së pagesës me Letër Krediti si më sipër raportohet në të dhënat e treguesve fiskale të konsoliduar të qeverisjes së përgjithshme në zërin “Të tjera” të burimeve të brendshme të financimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.