Ministria e Financave vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik – Privat si dhe çdo ndryshim të tyre nga pikëpamja e implikimeve financiare buxhetore.
Në një udhëzim të posaçëm për zbatimin e buxhetit të vitit 2021, Ministria e Financave detyron të gjithë koncesionarët me financime buxhetore të raportojnë çdo datë 5 për muajin paraardhës, për situacionin financiar të tyre dhe zbatimin e kontratave. Me këtë informacion, njësia për Monitorimin e Risqeve në Ministrinë e Financave përgatit një raport përmbledhës për ecurinë e pagesave faktike dhe treguesve të performancës mujore për kontratat PPP.
Gjithashtu jo më vonë se data 10 gusht të gjitha autoritetet kontraktore dërgojnë pranë Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) të gjitha kontratat koncesionare me dhe pa financime buxhetore të lidhura prej tyre. Më tej, brenda datës 10 shtator ATRAKO përgatit një raport për risqet buxhetore që mbartin këto kontrata dhe më pas i dërgon në Ministrinë e Financave. Drejtoria e Analizës dhe Programit Buxhetor në Ministrinë e Financave përgatit më pas një raport vjetor brenda datës 10 maj të çdo viti i cili raportohet si pjesë e buxhetit faktik të vitit paraardhës.
Buxheti i shtetit pritet të paguajë 14.5 miliardë lekë këtë vit (gati 120 mln euro) për pagesat për 13 kontrata koncesionare aktive.
Në krahasim me 2020-n, kur shumë kontrata u ngrinë ose u reduktuan për shkak të situatës së vështirë të krijuar në buxhet nga Covid-19 (në total 7.9 miliardë lekë), pagesat për koncesionet do t’i rikthehen normalitetit këtë vit. Kjo shumë e parashikuar për pagesa koncesionesh në vitin 2021 është sa rreth 16% e totalit të shpenzimeve kapitale të planifikuara.
Pagesa më e lartë është për koncesionin e Rrugës së Arbrit, që është në ndërtim e sipër, me 4.1 miliardë lekë të parashikuara.
Katër koncesionet e shëndetësisë, check-up, sterilizimi, dializa dhe ai i fundmi i laboratorëve pritet të marrin gjithsej 4.6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, që përbën gati një të tretën e gjithë pagesave për koncesionet në 2021. Më i shtrenjti është sterilizimi, që pritet të marrë 1.7 miliardë lekë pagesa nga buxheti për sterilizimin e pajisjeve mjekësore gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Koncesioni i laboratorëve do marrë 1.28 miliardë leke pagesa për 2021. Ai filloi zbatimin në mesin e këtij viti. Check up dhe dializa do të marrin përkatësisht 876 mln lekë dhe 779 mln lekë.
Qeveria ka planifikuar të aktivizojë vitin që vjen edhe 6 kontrata të reja koncesionare me Partneritet Publik-Privat me vlerë 217,5 miliardë lekë ose më shumë se 1,7 miliardë euro.
Kontratat u njoftuan nga projektbuxheti i vitit 2021, i publikuar nga Ministria e Financave. Vlera më e madhe i takon koncesionit për segmentin Milot-Fier me një shumë prej 178 miliardë lekësh. Projekti i dytë më i kushtueshëm është dhënia me koncesion e PPP e infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe Mbikëqyrjes së Qendrave të Kontrollit Teknik të Mjeteve rrugore me vlerë 20 miliardë lekë.
Ky koncesion vjen pasi qeveria ka vendosur të liberalizojë tregun e kontrollit teknik të automjeteve, që deri në fund të dhjetorit u realizua nga kompania SGS Automotive Albania, pas zgjatjes së kontratës me 16 muaj.
Krahas liberalizimit të tregut, në ndryshimet ligjore të kryera në janar 2020, parashikohet që qendrat e kontrollit teknik në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të mbikëqyren dhe kjo mbikëqyrje do të kryhet nga një subjekt i specializuar, që mund të jetë subjekt publik ose privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.