Udhëzimi/Ndryshojnë kriteret për licencim në transportin ndërkombëtar të mallrave; Procedurat e reja për operatorët

20/01/2021 9:25 AM 0 komente

Miratohen kriteret dhe procedurat e reja për licencimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave për të tretë ose me qira. Licencimi për këta operatorë është i detyrueshëm.

Për të ushtruar veprimtarinë e transportit ndërkombëtar rrugor të mallrave çdo operator fillimisht duhet të paraqesë një kërkesë pranë autoritetit kompetent, e shoqëruar me dokumentet që provojnë se plotësojnë kriteret e posaçme sipas këtij udhëzimi, si: një vendosje efektive dhe e qëndrueshme në Shqipëri; reputacioni i mirë; qëndrueshmëria financiare; kompetenca profesionale.

Në udhëzim përcaktohet më tej se kërkesa dhe dokumentet dorëzohen pranë autoritetit kompetent që sipas kategorisë të veprimtarisë që ushtrohet mund të jetë Qendra Kombëtare e Biznesit (QKR) ose Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Aplikimi për licencë, së bashku me dokumentet që provojnë përmbushjen e kritereve, pasi dorëzohen në QKB, sipas procedurave standarde, shqyrtohet brenda afateve kohore të miratuara, nga autoriteti kompetent. Kërkesat që kanë lidhje me aplikimet për pajisjen me certifikata në transportin ndërkombëtar rrugor, dorëzohen në zyrën e protokollit pranë autoritetit kompetent që është DPSHTRR, nëpërmjet shërbimit me postë ose me postë elektronike.

Afati i vlefshmërisë të licencës do të jetë deri në 10 vjet, ndërsa certifikatat e mjeteve për shërbimin për llogari të vet dhe mallrave të rrezikshme, lëshohen me afat nga 1 vit deri në 5 vjet, sipas kërkesës së subjekteve. Licenca e transportit (kopje e certifikuar/njësuar) dhe certifikata e mjetit në origjinal për shërbimin për llogari të vet për mallra të rrezikshme, mbahen në mjet dhe janë objekt kontrolli dhe u paraqiten autoriteteve të kontrollit sa herë që u kërkohet.

Udhëzimi parashikon se veprimtaria e transportit ndërkombëtar të mallrave për llogari të vet ushtrohet me anë të certifikatës. Kjo certifikatë lëshohet nga DPSHTRR-ja për subjekte. Mjetet me peshë maksimale me ngarkesë deri në 1,5 tonë nuk certifikohen për këtë transport ndërkombëtar.

Udhëzimi

Autoriteti kompetent për lëshimin e licencës/certifikatës në transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave:

-Transport ndërkombëtar rrugor i mallrave për të tretë ose me qira /licencë/Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB)

-Transport dypalësh, shumëpalësh dhe për vende të treta (ECMT/CEMT) /licencë, libri i udhëtimit (karneti) /Shoqata Kombëtare e Transportuesve Ndërkombëtarë Rrugorë(ANALTIR)/Certifikatë e përputhshmërisë me kërkesat teknike dhe e sigurisë për mjete EURO/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)

-Transport ndërkombëtar rrugor për llogari të vet /Certifikatë/DPSHTRR

-Transport ndërkombëtar rrugor i mallrave të rrezikshme/Certifikatë/DPSHTRR

-Autoriteti kompetent është përgjegjës për të siguruar zbatimin korrekt të këtij udhëzimi dhe është i autorizuar, për të: a) kontrolluar aplikimin e bërë nga subjekti. b) kontrolluar deklarimin e një subjekti nëse është i përshtatshëm dhe i aftë si drejtues i veprimtarisë së një ndërmarrjeje transporti; c) kryer kontrollet e kërkuara për verifikimin nëse një subjekt kënaq kërkesat sipas pikës 6, të këtij udhëzimi dhe plotëson kushtet e përcaktuara, në përputhje me rregullat për pranimin në profesionin e operatorit të transportit rrugor ndërkombëtar të mallrave d) lëshuar dokumente, si: licencë/ certifikatë /libër udhëtimi (karnetë) për subjekte të angazhuar në transportin rrugor të mallrave dhe të pezullojë ose të tërheqë/anulojë këto dokumente.

Dokumentacioni për certifikim në transportin ndërkombëtar të mallrave për llogari të vet

Subjekti paraqet pranë autoritetit kompetent: kërkesën sipas formularit të vetëdeklarimit;- lejen e qarkullimi;  aktin e pronësisë mbi mjetin ose kontratën e qiramarrjes në emër të subjektit aplikues shoqëruar me regjistrimin në QKB; dokumentin e qëndrueshmërisë financiare; – dokumente që vërtetojnë përmbushjen e kërkesave ligjore në lidhje me standardet dhe sigurinë për mjetet; policë sigurimi se pronari/përdoruesi i mjetit të transportit ka lidhur kontratën e sigurimit, sipas ligjit nr. 10076, datë 12.2.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, të ndryshuar; certifikatën e kryerjes së kontrollit teknik të detyrueshëm; – certifikatën e kalibrimit të tahografit;  çdo dokument tjetër shoqërues, i cili kërkohet sipas legjislacionit të posaçëm sektorial, me kusht që këto dokumente të je në publikuar në regjistrin informativ për kategorinë e licencës, sipas VKM-së nr. 538, datë 26.5.2009, të ndryshuar; çdo dokument që subjekti kërkues gjykon se është i dobishëm për shqyrtimin e kërkesës së tij.16.2 Subjekti që kërkon pajisjen me certifikatë/a sigurohet që, ç do mjet i cili kryen një shërbim, duhet të mbajë gjatë gjithë udhëtimit një certifikatë ose kopjen e saj të certifikuar/njësuar me origjinalin/noterizuar, e cila do t’u paraqitet organeve të kontrollit të autorizuar për inspektim, me kërkesën e tyre.

Dokumentet për t’u pajisur me licencë në transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave për të tretë ose me qira

-Licenca për ushtrim veprimtarie në transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave për të tretë ose me qira lëshohet për subjektet që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, të reflektuara edhe në aneksin 1, kategoria VII.2 të VKM-së nr. 538, datë 26.5.2009, të ndryshuar.

-Licenca për transport ndërkombëtar rrugor të mallrave për të tretë ose me qira jep edhe të drejtën për transport rrugor mallrash brenda vendit për të tretë ose me qira.

-Subjekti i paraqet autoritetit kompetent kërkesën, sipas lidhjes 1, e cila duhet të përmbajë:- llojin e veprimtarisë që kërkohet të kryhet; të dhëna për identifikimin e kërkuesit dhe të personit që paraqet kërkesën; adresën e plotë të selisë/filialit për ushtrimin e veprimtarisë;- dokumentin që vërteton se subjekti ka në pronësi, të paktën një mjet të përshtatshëm për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave, (targën/targat e mjeteve që do përdoren) të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), shoqëruar me NUIS dytësor (certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm); – regjistrimi në QKB (ekstrakti i QKB-së), ku në objektin e veprimtarisë të shprehet aktiviteti, transport ndërkombëtar rrugor i mallrave për të tretë ose me qira; plotësimi i kriterit të reputacionit të mirë për përfaqësuesin ligjor dhe/ose pronarin/pronarët e subjektit, si dhe për drejtuesin e veprimtarisë, që provohet me plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, përkatësisht sipas modeleve të lidhjes 3 dhe 3/1; dokumenti që vërteton zotërimin e kompetencës profesionale (ÇKP), për personin që drejton veprimtarinë e transportit për subjektin që do të licencohet; akt që vërteton marrëdhëniet e kërkuara të punës(kontrata e punës) lidhur ndërmjet përfaqësuesit ligjor të subjektit dhe drejtuesit të veprimtarisë, në rastet kur subjekti nuk plotëson kërkesën e kompetencës profesionale; dokumenti i qëndrueshmërisë financiare; – lista e dokumenteve shoqëruese që duhen paraqitur.

Kategoritë që përjashtohen nga licencimi

Llojet e mëposhtme të transportit dhe udhëtimet bosh të kryera lidhur me të tilla transporte nuk kërkojnë pajisjen me licencë dhe janë të përjashtuara nga çdo autorizim/leje transporti: a) transporti i postës si shërbim universal; b) transporti i mjeteve që kanë pësuar dëme ose shkatërrime; c) transporti i mallrave në mjete, masa e lejuar me ngarkesë, e cila, duke përfshirë atë të rimorkiove, nuk i kalon 3.5 tonë. d) transporti për llogari të vet të mallrave, me kusht që të plotësohen kushtet e mëposhtme :i. mallrat e bartura janë pronë e subjektit ose janë shitur, blerë, lënë ose marrë me qira, ose prodhuar, nxjerrë, përpunuar ose riparuar nga ndërmarrja; ii. qëllimi i udhëtimit është të transportojë mallrat në ose nga ndërmarrja ose të lëvizë ato brenda ose jashtë ndërmarrjes për kërkesat e veta; iii. mjetet motorike të përdorura për një transport të tillë drejtohen nga personeli i punësuar ose vënë në dispozicion të ndërmarrjes nën një detyrim kontraktual;  iv. mjetet që transportojnë mallrat janë në pronësi të ndërmarrjes, janë blerë me këste ose janë marrë me qira, me kusht që në rastin e fundit të plotësojnë kushtet e direktivës 2006/1/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 18 janar 2006, mbi përdorimin e mjeteve të marra me qira pa drejtues mjeti për transportin rrugor të mallrave; v. një transport i tillë nuk është më shumë se ndihmës për aktivitetet e përgjithshme të ndërmarrjes; e)transportin e produkteve mjekësore, aparaturave, pajisjeve dhe artikujve të tjerë të nevojshëm për kujdes mjekësor në raste emergjente, veçanërisht për fatkeqësitë natyrore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of