Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim këtë javë draftin e udhëzimit që sanksionon mënyrën sesi do të zbatohet ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” apo siç njihet ndryshe fiskalzimi. Në udhëzimin e plotë prej 44 nenesh jepen shembuj rast pas rasti lidhur me mënyrën sesi bëhet regjistrimi në sistemin e ri, elementët që duhet të përmbajë fatura dhe kodi QR, si veprohet kur biznesi ska akses në internet, si ndahet limiti i arkës kur aktiviteti ushtrohet në disa vende apo edhe fazat nëpër të cilat do të kalojë zbatimi i ligjit deri në 1 korrik 2020 kur është afati zyrtar.
Limiti i arkës sipas udhëzimit në konsultim
Konkretisht udhëzimi lidhur me limitin e arkës që i referohet nenit 38 të ligjit sqaron se shuma fillestare është shuma fillestare e parave cash në arkë (kartëmonedha dhe monedha) që mund të ketë tatimpaguesi në arkën e tij në fillim të ditës së punës ose të turnit të secilit operator. Shuma maksimale e arkës përcaktohet në mënyrë të pavarur nga tatimpaguesi që lëshon faturë, me një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e sigurisë, por nuk mund të jetë më e lartë se shuma maksimale e përcaktuar në pikën 2 të nenit 38 të Ligjit.
“Të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura mund të mbajnë para cash në arkë në fund të ditës së punës deri në shumën maksimale të arkës, përveç tatimpaguesve llogaritë bankare të të cilëve janë bllokuar për shkak të detyrimeve të papaguara (të gjitha paratë cash të arkëtuara gjatë ditës ata duhet t’i depozitojnë në llogarinë bankare ditën vijuese të punës pavarësisht se nuk kanë arritur limitin e arkës). Megjithatë, bankat dhe institucionet e tjera jo-banka mund të mbajnë para cash pa kufizim për depozitat ditore.
3. Sipas nenit 38, pika 3 e ligjit, maksimumi i depozitës së parave përcaktohet për tatimpaguesit që lëshojnë fatura në tërësi, dhe brenda kësaj shume, tatimpaguesi që lëshon fatura mund të përcaktojë maksimumin e depozitës së parave për të gjitha njësitë e tij organizative. Pra, tatimpaguesi do të përcaktojë në vetvete shumën maksimale për secilin vend të ushtrimit të aktivitetit të biznesit bazuar në qarkullimin ditor, brenda afatit të përcaktuar.
Për shembull, nëse një tatimpagues që lëshon fatura është në kategorinë 1 (tatimpaguesit me qarkullim deri në 2 milionë lekë gjatë vitit të fundit), maksimumi i tij për depozitë në para mund të jetë deri në 55 000 lekë. Ai mund të vendosë, bazuar në nevojat e tij dhe xhiron vjetore, që maksimumi i depozitës së tij në para të jetë 40 000 lekë. Ai ka 3 vende ushtrimi të biznesit dhe vendos ta ndajë këtë shumë prej 40 000 lekësh në mënyrën e mëposhtme: 10 000 lekë për vendndodhjen nr.1, 20 000 lekë për vendndodhjen nr. 2, 10 000 lekë për vendndodhjen nr. 3, që gjithsej janë 40 000 lekë.
4. Tatimpaguesi mund të krijojë procedurën e tij të brendshme për të përcaktuar depozitën e parave, brenda kufijve të përcaktuar me ligj. Kufiri përcaktohet në bazë të xhiros së tatimpaguesit dhe kjo është e zakonshme për secilin biznes, pavarësisht sektorit. Valuta e huaj do të duhet të llogaritet në konvertimin e saj në lekë, bazuar në kursin e këmbimit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.
5. Sipas nenit 38, pika 5 e Ligjit, tatimpaguesi që lëshon faturë, i cili kryen transaksione të këmbimit valutor, mund të përcaktojë një depozitë në para deri në shumën prej 1 700 000 lekë. Kjo shumë vlen për secilin vend ushtrimi të biznesit, veprimtaria e të cilit është shërbime të këmbimit valutor. Ajo i referohet, për shembull, zyrave të këmbimit valutor, por jo institucioneve financiare jobankare ose bankave që ushtrojnë këtë veprimtari, pasi institucionet financiare bankare dhe joqeveritare janë të përjashtuara nga kufizimi i parave, sipas nenit 38, pika 4 e Ligjit” sqarohet në udhëzim.
Afatet e zbatimit sipas dispozitave kalimtare
Udhëzimi i Financave sqaron se zbatimi i plotë i ligjit nis në 1 korrik 2020 ndërkohë që bizneset do të duhet që sipas mundësive të integrohen në sistemin e ri gjatë periudhës 6 mujore. Vetë Financat argumentuan se janë 80 mijë biznese që do të duhet të përshtaten dhe që për këtë kërkohet kohë.
“Sipas neneve 47 dhe 49 të Ligjit:
1. Nga data e hyrjes në fuqi të ligjit deri më 31.3.2020, të gjithë tatimpaguesit e rinj të regjistruar rishtas, për të gjitha transaksionet me para në dorë, mund të lëshojnë fatura në formën dhe procedurën sipas Ligjit ose dëftesë tatimore, sipas ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të dorëzojnë librin e blerjeve dhe librin e shitjeve sipas Ligjit dhe/ose ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë deri për periudhën tatimore mars 2020. Duke filluar nga data 1.4.2020 duhet të lëshojnë vetëm fatura në formën dhe procedurën sipas Ligjit.
2. Nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit deri më 30.6.2020, të gjithë tatimpaguesit e tjerë, që janë të regjistruar përpara datës së hyrjes në fuqi të Ligjit, të cilët kryejnë transaksione me para në dorë, mund të lëshojnë fatura në formën dhe procedurën sipas Ligjit në vend të faturës dhe/ose kuponëve tatimorë/dokumenteve të tjera sipas neneve 54 e 55, të ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të dorëzojnë librin e blerjeve dhe librin e shitjeve sipas Ligjit dhe/ose ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë deri për periudhën tatimore qershor 2020.
3. Në periudhën kalimtare, nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit deri në fillimin e zbatimit të tij për përdorimin e detyrueshëm të faturave elektronike, siç përcaktohet në nenin 49 të Ligjit, tatimpaguesi për transaksione pa para në dorë me tatimpagues të tjerë dhe organe publike nuk është i detyruar të zbatojë procedurën e fiskalizimit për të lëshuar fatura sipas Ligjit, por duhet të vijojë të:
a) lëshojë fatura tatimore sipas ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë;
dorëzojë librin e blerjeve dhe librin e shitjeve për transaksionet e përmendura, sipas ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë deri për periudhën tatimore qershor 2021” thuhet në nenin 44.
Udhezim i ligjit te fiskalizimit_27 11 19
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.