Udhëzimi/Si do certifikohen operatorët e turizmit detar për aktivitete lundruese; Ja kur pezullohet licenca

Operatorët e turizmit detar të licencuar, duhet të pajisen edhe me certifikatë që lëshohet nga Ministria e Turizmit për të vijuar aktivitetin me mjete lundruese.
Afati i vlefshmërisë të dokumentit të lëshuar do të jetë 5 vjeçar. Me certifikatë është e domosdoshme të pajisen të gjithë operatorët e turizmit detar që kanë në pronësi apo në përdorim mjete lundrimi.
Në Fletoren Zyrtare është miratuar udhëzimi i Ministrisë të Turizmit për dokumentet, kriteret dhe procedurat që duhet të zbatojnë operatorët. Akti nënligjor thekson se asnjë subjekt nuk mund të ofrojë shërbime si operator i turizmit detar ose të përdorë emërtimin “operator i turizmit detar” në Shqipëri, nëse nuk është pajisur me certifikatë.
Subjektet që do të kërkojnë të pajisen me certifikatën e operatorit të turizmit detar duhet të plotësojnë edhe disa kritere që nga licencimi, të kenë kontratë për vendbazimin e mjeteve lundruese me një port apo marinë, si dhe të ketë një plan menaxhimi të emergjencave.
Kërkesa bashkë me dokumentacionin e kërkuar duhet të depozitohen pranë Ministrisë të Turizmit, e cila do të shqyrtohet brenda 15 ditëve.
Dokumentacioni
– Kërkesa për pajisjen me certifikatë duhet të përmbajë: a) të dhënat e përfaqësuesit ligjor (emrin, mbiemrin, numrin personal, adresën e saktë, numrin e telefonit, adresën email) ;b) të dhënat për subjektin (emrin tregtar, NIPT, numrin e licencës, adresën, numrin e telefonit, adresën email);c) zonën dhe/ose zonat e ushtrimit të aktivitetit, në përputhje me zonat e miratuara nga KKT-ja, sipas nenin6, pika 2,tëligjit 43/2020; ç) përshkrimin e aktivitetit/aktiviteteve të parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 845, datë 28.10.2020,“Për miratimin e rregullave të hollësishme për zhvillimin e aktiviteteve turistike detare, që kryhen nëpërmjet mjeteve lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi”; d) vendin, datën dhe nënshkrimin e përfaqësuesit ligjor.
-Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin, si: a) fotokopjen e letërnjoftimit ose pasaportës të përfaqësuesit ligjor; b) fotokopje të licencës XIII.1.B dhe një kopje të ekstraktit historik të QKR-së; c) kontratën e vendbazimit lidhur midis subjektit aplikues dhe subjektit që administron vendbazimin; d) plan menaxhimi të emergjencave të nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit; e) dokument që vërteton pronësinë apo kontratën noteriale, lidhur për përdorimin e mjeteve lundruese me qëllimin aktivitetin detar; f) listë me të dhënat e mjeteve të lundrimit, në funksion të aktiviteteve që do të ofrohen (lloji i mjetit, numri i identifikimit, flamuri, kapaciteti, viti i prodhimit, personi përgjegjës, numri i kontaktit). Për mjetet me flamur të huaj, një kopje të licencës VII.4.1;g) certifikatën e sigurisë apo të klasës së lëshuar nga shoqëria klasifikuese, sipas legjislacionit në fuqi për mjetet lundruese; h) policë sigurimi e mjetit lundrues, të përgjegjësisë ndaj palëve të treta; i) deklaratë të nënshkruar nga subjekti, ku angazhohet të respektojë kriteret e përcaktuara në Kodin e Etikës së Operatorit të Turizmit Detar.
Procedura e aplikimit
-Kërkesa me dokumentacionin, sipas kreut 3, pika 2,të këtij udhëzimi, depozitohet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe shqyrtohet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike.
-Komisioni, brenda 15 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës së aplikuesit dhe e paraqitjes së dokumentacionit, sipas pikës 2, të kreut III, nis shqyrtimin e kërkesës.
-Në qoftë se kërkesa e subjektit për pajisjen me certifikatë nuk është në përputhje me sa parashikohet në pikat 1 deri në 2, të kreut III, ministria përgjegjëse për turizmin, brenda 7 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, njofton aplikuesin, me shkrim ose email, për plotësimin e dokumentacionit ose korrigjimin e pasaktësive dhe i cakton atij një afat 7-ditor për paraqitjen e dokumentacionit përkatës.
-Kur kërkesa e subjektit është në përputhje me sa parashikohet në pikat 1 deri në 2, të kreut III, Komisioni merr një mendim të specializuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për kapacitetet dhe karakteristikat e zonës së kërkuar për ushtrim aktiviteti detar, brenda 10 ditëve. Për këtë të fundit, AKB-ja mund të bashkëpunojë me institucione të tjera.
-Në përfundim të procesit të shqyrtimit, Komisioni i Standardizimit merr vendim për lëshimin ose jo të certifikatës “Operator i turizmit detar”. Në rast se, kur komisioni refuzon kërkesën për pajisje me certifikatë, vendimi duhet të jetë i arsyetuar.
-Kundër vendimit të komisionit, i cili refuzon kërkesën për pajisje me certifikatë, mund të paraqitet ankim në gjykatë sipas legjislacionit në fuqi.
Komente