Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm UNI-COM sh.a.
Interpretimet e ndryshme të të njëjtit akt nënligjor janë bërë shpesh arsye për zvarritje të reja të bizneseve dhe individëve. Për të shmangur një situatë të ngjashme, bizneset që operojnë në sektorin e instalimeve fotovoltaike nënvizojnë se udhëzimi i ri, që pritet të dalë nga grupi i punës, i ngritur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me skemën neto të matjes duhet të jetë ezaurues.
Stavri Thano, Menaxher i Përgjithshëm në kompaninë UNI-COM sh.a., që merret ndër të tjera me instalimin e impianteve diellore, shprehet se do të ishte në lehtësi të të gjitha palëve që aspektet teknike të jenë të qarta, duke mos lënë vend për interpretime të ndryshme që pasohen nga burokraci e vonesa.
Ai nënvizon se aktualisht, mungesa e udhëzimit ka frenuar gjithë investimet potenciale, ndërkohë që dëmton drejtpërdrejt ata që kanë tashmë një impiant të instaluar.
Cilat janë efektet që ka sjellë zvarritja e akteve nënligjore për ata që kanë instaluar një impiant fotovoltaik për autokonsum dhe s’kanë si t’i menaxhojnë tepricat?
Efekti është tërësisht negativ. Duhet të kemi parasysh që konsumatorët, që kanë bërë këto instalime, ndahen në familjarë dhe biznese. Biznesi ka aktivitetin e tij, kryesisht nga e hëna në të premte, që do të thotë se prodhimi i energjisë të shtunën dhe të dielën, që është tepricë, humbet pikërisht për arsye të mungesës së akteve nënligjore.
Për familjarët kryesisht konsumi i energjisë është pas orës 17:00, pasi pjesa më e madhe janë të angazhuar në punë. Por prodhimi i impiantit, pikun e vet e ka gjatë ditës, që do të thotë që sërish ky prodhim nuk konsumohet dhe humbet. Kjo situatë, si për rezidentët ashtu edhe për bizneset, përkthehet në humbje të drejtpërdrejtë, pasi vetëshlyerja e investimit që kanë bërë, zgjatet shumë në kohë.
A keni vënë re rënie apo frenim të kërkesës për të instaluar impiante fotovoltaike për autokonsum nën problematikën e mungesës së akteve nënligjore?
Nga momenti që është miratuar ligji në vitin 2017 ka pasur interes, por i gjithë ky interes, në fund përballej me pyetjen: Po me tepricat çfarë të bëj? Në momentin që përgjigjja ishte që nuk ke çfarë bën, sepse është pjesa e ngërçit ligjor, klientët janë tërhequr. Kjo situatë është një e metë e madhe, sepse e gjithë ajo sasi vlerë monetare që mund të ishte investuar nuk mbetet në Shqipëri, nuk qarkullon dhe nuk jep kontributin e saj të përgjithshëm në ekonomi.
Për cilët sektorë rekomandohet instalimi i impianteve fotovoltaikë dhe cilët janë më të interesuar aktualisht?
Sistemet fotovolatike prodhojnë energji elektrike. Energjia është e vlefshme për të gjithë bizneset, pa diferencuar sektorë. Sigurisht secili ka specifika të caktuara, që mund ta bënin të përfitonte nga këto sisteme. Për shembull, në turizëm mund të përdorej për ngrohje uji, në agropërpunim, në ferma që janë larg qendrave ku tensioni nuk është konstant, do na ndihmonte më shumë të kishte edhe këtë opsion dhe t’i jepte zhvillim. Industritë e përpunimit të drurit, që kanë sipërfaqe të madhe çatie dhe që mund ta shfrytëzonin për instalimin e impianteve, mund të reduktonin gjithashtu faturën e tyre të energjisë.
Nga ana e OSHEE ka rezerva sesi integrohen këto impiante në rrjet dhe nevojën për certifikimin e sigurisë së tyre në mënyrë që të shmangen risqe potenciale që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre. A qëndrojnë këto shqetësime?
Shqetësimi i vetëm që mund të qëndrojë është për sistemet fotovoltaike që janë më të mëdha sesa përcakton kontrata aktuale që biznesi ka me OSHEE. Kjo do të thotë që, nëse një familjar ka një kontratë 5 kw me OSHEE, të gjithë instalimet i përshtaten kësaj kontrate. Edhe impianti duhet të jetë më i vogël se 5 kw ose i barabartë me 5 kw, që të mos sjellë shqetësime në rrjet.
Nëse do të jetë më i madh duhet të bëhet rakordimi teknik me OSHEE. Ka shqetësime për mënyrën sesi do të lidhen pajisjet në rrjet apo siguria e tyre por inverterat, si pajisje që lidhin në rrjet sistemin, kanë mbrojtjen e tyre, por edhe kontroll online të funksionimit dhe të detektimit të çdo anomalie.
Të gjitha këto çështje teknike duhet të mbahen parasysh edhe tek udhëzimi. Ky i fundit duhet të dalë sa më shpejt dhe të jetë ezaurues që një individ apo biznes të shmangë burokracitë dhe zvarritje të reja gjatë procesit.
Nga momenti që nxirret ky udhëzim, me të gjitha detajet teknike, impiantet tanimë të instaluara, kanë të zgjidhur çështjen e tepricave dhe iu mundësojnë kthimin e investimit në një afat më të shpejtë qytetarëve dhe bizneseve. Nga ana tjetër, u hapet rrugë projekteve të reja që në finale ndihmojnë edhe vetë OSHEE, me surplusin e energjisë që sot një pjesë të mirë ne e importojmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.