Autoritetet europiane të futbollit zgjodhën Citigroup për të drejtuar një paketë financimesh për pandeminë, me vlerë deri në 7 miliardë euro për klubet e rajonit, sipas njerëzve me njohuri për këtë çështje, ndërkohë që frika për ndërprerje të mëtejshme nga varianti Omicron i koronavirusit po rritet.
Paketa e financimit, si dhe përzgjedhja e bankës amerikane për të udhëhequr projektin nëse ai shkon përpara, do t’i paraqitet komitetit ekzekutiv të UEFA-s të enjten, tha një nga burimet. UEFA mund të vendosë nëse do të vijojë përpara me marrëveshjen në një takim të veçantë në pranverën e ardhshme, edhe pse organi drejtues, në praktikë, mund të lëvizë më shpejt.
Klubet në Europë kanë nevojë për financime, pasi kanë humbur miliarda euro të ardhura që nga shpërthimi i pandemisë në 2020-n, duke detyruar kampionatet të shtyjnë ndeshjet. Më pas ndeshjet u programuan për t’u zhvilluar në stadium pa tifozë, duke goditur të ardhurat nga ndeshjet.
UEFA ka vlerësuar së fundi që klubet europiane kanë humbur rreth 9 miliardë euro të ardhura. Krijimi i një fondi emergjence mund t’u sigurojë klubeve likuiditetin e nevojshëm për të kapërcyer ndërprerjet e mëtejshme.
Në Premier League angleze, kampionati kombëtar më i pasur i Europës, ndeshjet e Brentford, Manchester United, Burnley dhe Watford u anuluan këtë javë për shkak të lojtarëve që rezultuan pozitivë me koronavirus, ndërkohë që ndeshjet e Bundesligës gjermane po zhvillohen me një numër të kufizuar tifozësh.
Fitorja e Citigroup vjen pas një procesi konkurrues që përfshiu edhe oferta nga banka rivale si Goldman Sachs dhe Macquarie, si dhe shoqëria me kapital privat, Apollo, shkruan Financial Times. Grupet e tjera mund të kenë ende një rol për të luajtur në projekt.
Forma finale e paketës së financimit mbetet për t’u parë, por mund të nisë me një fond rreth 2 miliardë euro, para se të zgjerohet në 6-7 miliardë euro me kalimin e kohës. Klubet dhe ligat e futbollit po u drejtohen institucioneve financiare për t’u siguruar atyre kapitalin që u nevojitet për t’u rikuperuar nga pandemia dhe për qëllime investimi.
Këtë javë, La Liga spanjolle firmosi një marrëveshje me shoqërinë e fondit privat CVC Capital Partners, e cila do t’i sigurojë 2 miliardë euro në këmbim të 8.2% të “fitimeve komerciale” të Ligës spanjolle – të ardhura pas kostove nga ngritja e një entiteti të ri tregtar – për 50 vitet e ardhshme. Real Madrid dhe Barcelona, dy klubet më të mëdha të vendit, e kundërshtuan fort këtë marrëveshje.
Klubet që luajnë në Champions League, Europa League apo kompeticione të tjera të UEFA-s do të pranohen në këtë skemë.