Pak, ditë më parë nga kryeministri i Shqipërisë u inaugurua nisja e punës në hidrocentralin e Lapajt, në Bushtrisë të Kukësit. Por, mesa duket ujërat që shfrytëzon ky lum mund të sjellin ngatërresa mes dy vendeve. Gazeta “Koha Ditore” shkruan se ky hidrocentral është i ndërtuar në kanionin e Grykës së Çajës, i shpallur si Monument i Natyrës Shqiptare nga qeveria e Shqipërisë. Ndërkohë që lumi i Lapajve ku është ndërtuar hidrocentrali e ka burimin në territorin e Kosovës. Qeveria e Shqipërisë ka dhënë edhe gjashtë leje të tjera koncesionare për ndërtim hidrocentralesh në lumin e Lapajve si dhe 13 leje për ndërtim hidrocentralesh në një tjetër lumë që e ka burimin në Kosovë, pikërisht në lumenjtë që vijnë nga Orqusha dhe nga Glloboçica e Dragashit. Të tre lumenjtë janë të projektuar si ushqyes për Hidrocentralin e Zhurit. Ndërkohë që Kosova dhe Shqipëria ende nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për ujërat midis tyre, përfshirë edhe ato ndërkufitare, madje palët nuk janë takuar as në nivele ekspertësh që nga tetori i vitit 2010. Projekti i
Hidrocentrali Lapaj shfrytëzon ujërat e lumit të Bushtricës i cili buron në pjesën e Kosovës dhe ka një kapacitet të instaluar prej 13,62 MË, me një prodhim mesatar vjetor të energjisë të vlerësuar prej 49.865 MWh. Hidrocentrali ka nisur punën dhe në të prodhohet energji e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e më shumë se 22.000 familjeve.
Por shkaku i mosarritjes së ndonjë marrëveshje për ujërat mesa duket është problemi i ndërtimit të HEC-it të Zhurit, ku ndërtimi i këtij hidrocentrali ishte vënë në pikëpyetje pas vendimeve të Qeverisë së Shqipërisë për dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në pjesën e vet, por me ujërat që rrjedhin nga Kosova. Qeveria e Shqipërisë ka miratuar para tre vjetësh një kontratë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës që kjo e fundit ka lidhur me një grup investitorësh shqiptarë për ndërtimin e 18 HEC-ve në zonën e Kukësit mbi lumenjtë që burimin e kanë në Kosovë dhe shërbejnë si ushqyesi kryesor për këto hidrocentrale, por edhe për Hidrocentralin e Zhurit. Ndërtimi i 18 HEC-ve do të prodhojë rreth 80 mega energji elektrike. Midis Shqipërisë komuniste dhe ish-Jugosllavisë së Titos, në vitin 1976 është nënshkruar marrëveshja teknike lidhur me ndërtimin e HEC-it të Fierzës, i cili pas ndërtimit në vitin 1980 përmbyti qindra hektarë me tokë të fshatrave Vermicë, Shkozë, Dobrushë, Vlashnjë, Kobaj dhe Gjonaj të Prizrenit. Kjo marrëveshje ka si kusht ndërtimin e HEC-it të Zhurit ku Shqipëria do të pranonte kushtin për pakësimin e ujërave në lumin Luma që buron nga malet e Sharrit pas ndërtimit të HEC-it të Zhurit. Specialistë të mjedisit kanë bërë të ditur se nga ndërtimi i HEC-it të Zhurit do të pakësohen prurjet në lumenjtë që burojnë nga bjeshkët e Sharrit dhe kalojnë në territorin e Shqipërisë në zonë Borje-Glloboçicë dhe Orqushë-Orgjost duke u derdhur në liqenin e Fierzës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.