Pajisja e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve në vend me mjete teknike dhe makineri pritet të ketë një kosto rreth 7.8 milionë euro.
Dy procedura prokurimi të hapura së fundmi nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve(AKUM) kanë në thelb pikërisht këtë synim. E para me një fond limit 416 milionë lekë parashikon “Mjete teknike te lëvizshme me rrota për shoqëritë rajonale Ujësjellës Kanalizime” dhe e dyta me një fond 407 milionë lekë parashikon blerjen e “ Makineri dhe Pajisje për riparimin e defekteve te linjave për shoqëritë ujësjellës kanalizime”.
Por cilat janë në detaj mjetet që përshkruhen në specifikimet teknike të kontratës së parë. Referuar specifikimeve teknike janë të paktën 9 autobote për ujërat e ndotura(pa trajtim), 14 kamioniçina me vinç vetëshkarkues, 8 rimorkio të hapura për transportin minieskavator, 23 automjete pick-up duke çuar në një total prej 54 mjete.
Të paktën 13 shoqëri të ujësjellës kanalizimeve në vend do të pajisen mekëto makineri si dhe me mjete teknike që parashikohen nga kontrata e dytë. Specifikisht kjo procedurë synon blerjen e 62 njësive të ndryshme të cilat do të shërbejnë për këto ndërmarrje në operacionet e tyre të përditshme në terren. Fondi limit për këtë procedurë është 407 milionë lekë apo rreth 3.8 milionë euro.
Referuar specifikimeve teknike në dokumenta nënvizohen se konkretisht do të sigurohen 8 minieskavatorë me zinxhirë gome, 11 miniseskavatorë me goma, 9 autoofiçina (përfshirë gjithë pajisjet me vegla pune), 16 kamera robotike inspektimi, për tubacionet e rrjeteve ujësjelles e kanalizime dhe 18 detektorë për rrjetet inxhinierike. Viti i prodhimit të mjeteve është caktuar që të jetë minimumi 2023 teksa lëvrimi i mallit të bëhet për një periudhë jo më shumë se 10 muaj. Kjo është një marrëveshje kuadër e cila ka si afat 24 muaj.
Referuar listës përfitues nga kjo marrëveshje do të jenë shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, Lezhë, Pogradec, Korçë, Lushnjë, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Sarandë, Dibër, Kukës, Elbasan, Berat.
Shoqëritë e ujësjellës-Kanalizimeve i janë nënshtruar dy viteve të fundit një reforme që synon bashkimin e tyre duke krijuar ndërmarrje më të mëdha. Pjesa më e madhe e këtyre bashkimeve tashmë ka përfunduar. Kjo reformë ka përfshirë pushtetin qendror dhe konkretisht Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si aksioner kryesor ndërkohë që roli i AKUM është forcuar./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.