Ujësjellësit arkëtuan 78 milionë euro në 2019, rënie të të ardhurave Tirana e Durrësi

05/11/2020 2:22 PM 0 komente

Ujësjellësit në të gjithë vendin, në total 57 shoqëri, arkëtuan në viti 2019 mbi 9.7 miliardë lekë apo rreth 78 milionë euro.

Të dhënat e bilanceve që kanë raportuar këto shoqëri nxjerrin edhe situatën e përgjithshme të sektorit ku ende një pjesë e mirë e tyre nuk arrijnë të sigurojnë dot operimin të vetme dhe kanë nevojë për mbështetje buxhetore.

Sipas Entit Rregullator të Ujit disa prej ujësjellësve kanë pasur në vitin 2019 një rënie të të ardhurave. Këtë ERRU e lidh me situatën e tërmetit të vitit të shkuar pasi ujësjellësit që kanë pasur rënie të të ardhurave janë pikërisht ai i Tiranës, Durrësit, Kamzës dhe Lezhës.

“Gjatë vitit 2019 janë realizuar 9 763.5 milion lekë të ardhura, por krahasuar me vitin paraardhës të ardhurat nga aktiviteti janë ulur me 35.7 milion lekë. Të ardhurat nga aktiviteti kanë mbetur pothuajse konstante, por janë ulur me rreth 30% të ardhurat nga subvencionet. Të ardhurat kanë pësuar rënie të konsiderueshme në shoqëritë e mëdha (Grupi I-rë)1 me 133 milion lekë, veçanërisht në shoqëritë UK, Tiranë, Durrës, Kamëz dhe Lezhë, ku rënia e të ardhurave ka ardhur si pasojë e dy tërmeteve që goditen këto qytete, ku praktikisht një pjesë e mirë e konsumatorëve nuk u faturua sidomos për dy muajt e fundit të vitit” vlerëson ERRU.

Ndërkohë rënien e ujësjellësve që janë në grupin e parë duket se e ka kompensuar situata më e mirë e të ardhurave në ujësjellësit e grupit të dytë pasi këto rezultuan me plus 135 milionë lekë të ardhura të realizuara ku veçohen shoqëritë, Gjirokastër, Cërrik, Dibër, Librazhd, Dropull dhe Malësi e Madhe.

ERRU merr në vlerësim disa prej shkaqeve që kanë çuar në përkeqësim të bilancit të shoqërive të ujësjellësve që nisin nga ulja e subvencioneve tek rritja e kostos së energjisë dhe shërbimeve të nënkontraktura.

“Në të ardhurat negativisht ka influencuar gjithashtu zvogëlimi i shumës së subvencioneve të akorduara nga buxheti me rreth 300 milion lekë më pak krahasuar me një vit më parë. Në përkeqësimin e gjendjes së tablosë së përgjithshme të sektorit krahasuar me një vit më parë, ka influencuar edhe rritja e kostove, përkatësisht për kostot e O&M nga rritja e zërave të kostove të energjisë, të materialeve dhe të shërbimeve të nënkontraktuara. Rritjet e kostove kanë ardhur kryesisht nga shtimi në zonën e shërbimit të ujësjellësve të zonave rurale, ndërsa Kostot Totale jane rritur nga zërat, amortizim i aseteve dhe interesat e kredive” thuhet në raport.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of